Epoka pa viza sjell më shumë shkëmbime mes Kinës dhe Tajlandës
2024-03-07 11:02:57

Adisorn Sangkrajang mbërriti herët në aeroportin “Suvarnabhumi” të Bangkokut të enjten në mbrëmje javën e kaluar për fluturimin e tij për në Shangai. Ai ka pritur prej kohësh me padurim udhëtimin e tij të parë në Kinë dhe kur avioni u ul në orët e para të së premtes, ai u bë një nga të parët që përfitoi nga epoka pa viza mes Tajlandës dhe Kinës që hyri në fuqi më 1 mars.


“Jam i emocionuar për udhëtimin tim të parë në Kinë dhe heqja e vizave është tepër e përshtatshme. E kishim planifikuar të vizitonim Kinën dhe heqja e vizave e bëri vendimin të lehtë. Kina është një vend me një kulturë të pasur, të cilën gjithmonë kam dashur ta përjetoj. Kjo është vizita ime e parë, por mund të kthehem edhe për herë të tjera”,- tha punonjësi 42-vjeçar i kompanisë, i cili udhëtoi me 11 kolegë të tjerë.

foto: VCG

foto: VCG

Në fund të janarit, Kina dhe Tajlanda nënshkruan një marrëveshje për përjashtimin e ndërsjellë të vizave dhe që hyri në fuqi më 1 mars.


Që atëherë, rezervimi i tureve në Kinë është rritur ndjeshëm, bëri të ditur operatori turistik tajlandez “Kavisara Charoenporn”, i cili organizoi një fluturim çarter që u nis të premten për në Zhangjiajie, një vend piktoresk turistik në Kinën qendrore. Sipas kompanisë, fluturimet me çarter nga Bangkoku për në Zhangjiajie, janë rritur gati tre herë në javë duke filluar nga marsi.

foto: VCG

foto: VCG

“Ky është udhëtimi im i dytë në Zhangjiajie. Herën e parë kam shijuar peizazhin e bukur dhe klimën e këndshme. Tani nuk kemi nevojë të aplikojmë për vizë, mund të kursejmë kosto dhe kohë, kështu që vendosa ta vizitoja sërish këtë vend”,- tha Bunsuk Withanwattana, një nga turistët.


Edhe përpara se marrëveshja të hynte në fuqi, turistët kinezë kanë shijuar një përjashtim të përkohshëm të vizave të zbatuar nga qeveria tajlandeze që nga shtatori i kaluar. Nënshkrimi i marrëveshjes u bë një shtysë tjetër.


Gjatë festës së fundit të Vitit të Ri Kinez, shumë kinezë fluturuan për në Tajlandë për t'u zhytur në trashëgiminë kulturore dhe historike në Bangkok dhe Ayutthaya, si dhe në peizazhet tropikale që të lënë pa frymë në Phuket dhe Samui.


Kina rifitoi pozicionin e saj si tregu kryesor i burimit për turistët e huaj në Tajlandë deri më tani këtë vit, me më shumë se 1.1 milionë mbërritje që nga 25 shkurti, nga gati 6 milionë vizitorë të huaj të pranuar nga Tajlanda, sipas ministrit të Turizmit dhe Sporteve, Sudawan Wangsuphakijkosol.

foto: VCG

foto: VCG

Numri pritet të vazhdojë trendin rritës me hyrjen në fuqi të heqjes së vizave dhe rritjen e numrit të fluturimeve drejt Tajlandës të ofruara nga disa linja ajrore, tha ministri.  Kryeministri i Tajlandës, Srettha Thavisin, e ka përshëndetur marrëveshjen e përjashtimit të vizave si një moment historik për marrëdhëniet dypalëshe.


“Ky është një hap i rëndësishëm në marrëdhëniet Tajlandë-Kinë dhe do të ketë një ndikim të madh në stimulimin e ekonomisë tajlandeze, jo vetëm në aspektin e tregtisë por edhe të investimeve. Turizmi i ndërsjellë do të përmirësojë shumë të ardhurat nga turistët, të cilat u dërgohen drejtpërdrejt tregtarëve në Tajlandë”,- shkroi ai në rrjetet sociale.


Surasit Thanadtang, drejtor i Qendrës Kërkimore Strategjike Tajlandeze-Kineze në Bangkok, tha se epoka pa viza do t’i afrojë edhe më shumë marrëdhëniet midis Tajlandës dhe Kinës.


“Kjo do të lehtësonte fluksin e njerëzve midis dy vendeve dhe do të çonte në një lartësi të re shkëmbimet mes njerëzve. Gjithashtu do të forconte më tej miqësinë dhe besimin e ndërsjellë midis Tajlandës dhe Kinës, duke kontribuar kështu në paqen në rajon”,- tha ai.