“Gratë mund të mbajnë gjysmën e qiellit”. Por kur është fjala te sporti, ato “mbajnë mbi shpatullat e tyre” më tepër se aq. Ashtu si edhe në shumë fusha të tjera, edhe në sport në dekadat e fundit Kina ka pasur arritje të jashtëzakonshme, por “pesha” e suksesit të sportisteve kineze pa dyshim është më e madhe se e homologëve të tyre meshkuj.
Për ta vërtetuar këtë, mjafton të shihen olimpiadat. Kësisoj, më tepër se dy të tretat e medaljeve të arta olimpike të Kinës janë fituar prej sportisteve kineze. Pothuajse 70 për qind e delegacionit të Kinës në lojërat e fundit olimpike në Tokio ishin femra.
Epërsia e femrave duket edhe nga “zbërthimi” në sporte të veçanta, veçanërisht në lojërat me dorë. Kështu, në basketboll, në korrik të vitit 2022 Kina u shpall kampione e Azisë, ndërkohë që një vit më parë kishte dalë nënkampione e botës. Sa i përket historisë olimpike, basketbollistet kineze janë fituese të një medaljeje argjendi dhe një bronzi, ndërsa ata meshkuj ende nuk janë ngjitur në podiumin e medaljeve. Ekipi i basketbollit i femrave e ka siguruar tashmë pjesëmarrjen në Olimpiadën e Parisit 2024, teksa meshkujt mbetën jashtë kësaj veprimtarie.
Foto: ekipi kombëtar kinez i volejbollit të femrave/VCG
Edhe më të spikatura janë arritjet e volejbollisteve kineze. Ato janë shpallur tashmë pesë herë kampione bote, duke përfshirë dy edicionet e fundit. Dashamirët e volejbollit ende e mbajnë mend sidomos vitin 1985, kur ekipi kinez gjatë gjithë turneut humbi vetëm një set, pikërisht në ndeshjen finale me Kubën. Një emër spikat, Lang Ping, atëherë lojtare dhe sot trajnere e ekipit kombëtar kinez të volejbollit të femrave, duke e ngritur atë drejt lartësive te reja. Vajzat kineze kanë gjithashtu edhe tre medalje ari olimpike në koleksionin e tyre të trofeve, ndërkohe që janë edhe pretendentet kryesore në “Paris 2024”.
Përsëri, homologët e tyre meshkuj nuk kanë siguruar asnjë trofe madhor e nuk do të jenë në kryeqytetin francez në verë.
Edhe kur është fjala te futbolli kinez, të paktën në nivel ekipesh përfaqësuese, lartësitë ku kanë arritur futbollistet kineze janë më të mëdha se të meshkujve. Natyrisht, nuk është fjala thjesht për sasi, por edhe për vullnet e këmbëngulje, çka i ka bërë anëtaret e ekipit kombëtar kinez të futbollit të femrave të quhen edhe si “Trëndafilat e çeliktë”. Që synojnë t’i japin futbollit kinez një epokë të artë, të cilën futbollistët meshkuj nuk kanë arritur ta bëjnë dot deri më tani. Kështu, futbollistet kineze parvjet fituan për herë të 9-të Kupën e Azisë, ndërkohë që janë pjesëmarrëse të rregullta në kupat e botës e madje edhe kanë dalë nënkampione në Kupën e 3-të të Botës në vitin 1999. Ndërsa futbollistët kineze numërojnë vetëm një pjesëmarrje, atë në Kupën e Botës 2002.
Foto: teniste Li Na/VCG
Pingpongu quhet edhe si “tenisi i tavolinës”, po nëse ai mund të cilësohet pa frikë si sporti kombëtar i Kinës dhe pingpongistët e pingpongistet kinezë janë kampionë absolutë nëpër kupa bote e olimpiada, vetë tenisi mund të quhet një sport relativisht i ri në Kinë, pa arritje të shquara. Por kjo gjendje ndryshoi kur nisën të shfaqen një numër tenistesh të talentuara kineze, të prira nga Li Na, pa dyshim emri më i shquar i tenisit jo vetëm kinez, por edhe aziatik në përgjithësi, e jo vetëm për femra, por edhe për meshkuj. Li Na u bë tenistja e parë aziatike që e fitonte këtë turne, si edhe një turne të "Grand Slam"-it në përgjithësi, ndërkohë që tre vjet më pas do të fitonte edhe Turneun e Hapur të Australisë. Ajo është po ashtu tenistja e parë aziatike e renditur në dhjetëshen më të mirë të botës, duke arritur të zërë deri vendin e dytë.
Foto: Zheng Qinwen/VCG
Epërsia e sportisteve kineze mund të vërehet edhe duke parë veprimtaritë e rëndësishme ndërkombëtare të zhvilluara deri tani sivjet. Kështu, në Turneun e Hapur të Australisë në janar, ndërsa morën pjesë vetëm dy tenistë kinezë, numri i bashkatdhetareve të tyre pjesëmarrëse ishte shtatë dhe një prej tyre, Zheng Qinwen, doli nënkampione në ndeshjet individuale për femra, duke ecur në gjurmët e legjendës Li Na. Ndërsa në shkurt, në Kampionatin Botëror të Sporteve Ujore në Dohë të Katarit, ndonëse sportistët kinezë, qofshin meshkuj apo femra, bënë një paraqitje mbresëlënëse, duke e renditur Kinën në vendin e parë të listës së medaljeve me 33 të tilla, prej të cilave 23 të arta, përsëri numri i medaljeve të marra nga sportistet femra ishte më i madh se i medaljeve të meshkujve.
Sukseset e sportisteve kineze tregojnë se gruaja mund t’ia dalë mbanë edhe në ato fusha që dikur dukej sikur ishin “zotërime” të burrave. Dhe duhet thënë se këto arritje bien edhe më shumë në sy sepse janë bërë kur, ashtu si edhe në vende të tjera, sportistet femra janë me pak të shpërblyera financiarisht se meshkujt dhe interesi publik ndaj tyre është më i vogël.
Por sporti nuk është një ishull i veçuar. Spikatja e sportisteve kineze është pjesë e një peizazhi më të gjerë, atij të rolit gjithnjë e më të madh të vajzave e të grave në shoqërinë kineze. Ashtu si Shqipëria e shumë vende të tjera të botës, Kina ka qenë një shoqëri patriarkale, ku femra ishte e kufizuar, kishte status shoqëror më të ulët se i meshkujve dhe vendi i saj ishte “brenda katër mureve të shtëpisë”. Ndërsa sot gratë e vajzat kineze po gëzojnë mundësi gjithnjë e më të mëdha në arsim, punësim e zhvillimin e karrierës, megjithëse barazia gjinore është një proces i gjatë e i mundimshëm. Tani vendi i femrës kineze nuk është vetëm në shtëpi si “mbarëvajtëse e familjes”, por ajo po jep një kontribut gjithnjë e më të madh në të gjitha fushat. Vajzat dhe gratë kineze po i shpërfaqin potencialet e tyre dhe me forcën, vullnetin e vendosmërinë që kanë, po arrijnë suksese të papërfytyrueshme më parë.