Jo vetëm poetët e donin dhe lavdëruan pranverën në punën e tyre. Edhe piktorët shqiptarë spërkatën motive pranverore në kanavacat e tyre, duke pikturuar ujin e shkrirë të marsit, rrezet e para të diellit, qiellin e kaltër të pranverës, lulet dhe barin e ri. Shumë krijues gjetën bukuri të jashtëzakonshme në fillim të pranverës. Poetët folën me tekste të mahnitshme, ndërsa të tjerë folën me penel dhe ngjyra.
Në të vërtetë, peizazhet e pranverës në korpusin e pikturës shqiptare janë më të pakëta në numër, krahasuar me stinët e tjerë.
Nisur nga fakti se natyra përbën modelin më të mirë për një piktor, ajo gjithmonë ka qenë dhe do të mbetet burimi shpirtëror dhe emotiv më ngacmues për çdo artist.
E nëse vjeshta zë vendin e parë, si stina e ngjyave të tokës dhe piktorët e kanë pikturuar e ripikuturuar çdo herë duke kapur emocione të reja, pranvera si stinë e ripërtëritjes, nuk ka lënë jashtë vëmendjes piktorë shqiptarë. Pavarësisht brezit që përkasin, rrymës që përfaqësojnë, stilit unik dhe gjestit pikturik, të ndryshëm njëri- prej tjetrit, pranvera me pemët esaj në lulëzim, është pagëzuar në peizazhet e shumë piktorëve shqiptarë.
Hasan Reci - pranvera ne Rome, 1942
“Pranvera” e Hasan Reçit, është një peizazh tepër i veçantë, pasi piktori ka fokusuar pranverën në një rrugë të Romës, gjatë kohës kur studionte atje për pikturë. Është ndër punët më interesante të piktorit.
Hasan Reçi e donte peisazhin dhe kjo pikturë tregon se sa i lidhur ishte piktori me ngjyrën. Tabloja është pikturuar me ngjyrat më të theksuara të natyrës pranverore. Të gjelbrat janë të freskëta dhe shkelqejnë, duke u dhënë formë gjetheve të pemeve. Ato janë të shumëllojshme dhe piktori ka përdorur disa tone të saj, duke krijuar formën e pemës dhe thellësinë e rrugës së kopshtit. Rruga krijohet edhe përmes pikturimit të pemëve të lulëzuara në rozë, ngjyrë që reflektohet edhe mbi vetë rrugën. Piktori Hasan Reçi zë një vend të veçantë në historinë e artit figurativ shqiptar, që i përket gjysmës së parë të shekullit të XX.
Pranvere - Agim Faja i, 1971
“Pranvera” e piktorit Agim Faja i përket vitit 1971 dhe është ndër peizazhet më impresionues të kësaj tematike. Mbështetur në një teknikë tepër dekorative (kjo përkon edhe profesionin e tij, pasi për shumë vite punoi si piktor dekorativ pranë shtëpive botuese kryesore në vend) ai të mahnit me ndarjen e ngjyrave brenda kufinjve që natyra përcakton, pa i shkrirë aspak njërën nga tjetra. Pemët në ngjyrë rozë, të bardha, blu ndodhen në plan të parë të peizazhit malor, i cili konturohet në sfond nga dy varg male, njëri i bardhë dhe tjetri blu, si për të na kujtuar që pavarësisht lulëzimit të pemëve, dimri është aty në rezistencën e tij të paepur. Linjat e pastra, tonalitetet e ftohta të ngjyrave, e bëjë pranverën e Agim Fajës, një pranverë të egër, të brishtë, por edhe të mezipritur.
“Pranvera” e Sali Shijakut është ndër peizazhet më të bukura të piktorit që ka njëkohësisht edhe një fat disi të çuditshëm. Prej shumë vitesh, në të gjallë të tij, ajo ishte bërë pjesë e koleksionit e ish kryeministrit italian Gulio Andreotti, por me vdekjen e ish kryeministrit, ajo sigurisht që ka një fat të ri: fatin e veprave mahnitëse, që sa më shumë u kalon koha, aq më shumë vlera u shtohet.
Ky peizazh është një himn për jetën. I përket vitit 1975 dhe është punuar me ngjyra vaji. Një peizazh me shumë pemë të degëzuara dendurisht, të ngatërruara mes tyre në shpërthimine stinës, të pikturuar me ngjyra pastel e me një ndjeshmëri të fortë estetike, e bëjnë “Pranverën” e Sali Shijakut, unike.
Mbjellja e pemeve- Edi Hila, 1971
“Mbjella e pëmëve” e Edi Hilës, ndonëse nuk e përmend kund në titull emrin e stinës, na fokuson tek konteksti i stinës së pranverës. Tablloja është një kompozim, fati i së cilës është i lidhur ngushtë me fatin e vetë piktorit.
Në qendër të kompozimit janë një grupi të rinjsh, që punojnë për pyllëzimin, duke mbjellë fidanë të rinj. Por çuditërisht fidanët nuk janë të vegjël tw të paçelur. Të rinjtë po mbjellin fidanë të mëdhenj, me plot lule rozë, ndërsa të gjithë tabllonë e pushton atmosfera e optimizmit dhe e gëzimit. Por kjo vepër e vitit 1970, e pati fatin jo të mirë, pasi u kritikua ashpër për devijim nga realiteti dhe ndiikime moderniste përendimore. Kaq mjaftoi që “Mbjella e pemëve”asaj kohe të të kritikohej, ndërsa sot të vlerësohet si ndër më t mirat e kompozimeve shqiptare.
“Pranvera” e Edi Ramës
Piktori Edi Rama, sot e prej 10 vitesh kryeminsitër i shqiptarëve ka pikturuar pranverën, sipas mënyrës së tij. Nëse për artistë të tjerë, pranvera është interpretim i emocionit që bazohet te natyra dhe ndërrimi i saj, për Edi Ramën “Pranvera” është në lidhje të ngushtë me një portret vajze që ka të njëjtin emër. Nuk kuptohet mirë nëse është pikturuar stina e pranverës, apo një vajzë që e ka emrin “Pranvera”. Por pavarësisht kësaj dileme, mbetet një ndër kompozimet më interesante të Edi Ramës. “Pranvera”, wshtw realizuar në vitin 1987.
Kjo është një nga pikturat e pakta realiste që kemi parë gjatë karrierës artistike të kryeministrit të Shqipërisë. Rama vijon të pikturojë edhe gjatë kohës që merret me politikën dhe arti i tij është më së shumti abstrakt.
Neritana Kraja