Klajdi Keta, i riu nga Bulqiza që menaxhon biznesin e tij online
2024-03-06 10:23:28

Klajdi ne ambientet e biznesit familjar 9Foto personale)

Klajdi në ambientet e biznesit familjar (Foto personale)

Klajdi Keta është një i ri nga nga Bulqiza, që studion për ekonomi në Tiranë. Përveç studimeve ai  është i angazhuar në menaxhimin dhe prezantimin online të produkteve të biznesit të tij familjar. Mënyra e prezantimit të këtyre produkteve online e ka bërë Klajdin unik në tregun e marketingut dhe shtitjeve. Ai është mjaft i informuar për produktet që prezanton, dhe ka fituar mjaft besim te klientët e tij. Në një intervistë për Radio Ejani Klajdi tregon për krijimin e biznesit familjar dhe ecurinë e tij përmes prezantimeve në rrjetet sociale.   

Klajdi Keta ne interviste per CMG

Klajdi Keta ne interviste per CMG

CMG: Kohët e fundit je bërë viral në rrjetet sociale, duke prezantuar produktet e biznesit tuaj familjar Ketas Store. Si është ndërtuar ky biznes dhe reklamimi online?

Klajdi Keta: Ky biznes është i trashëguar dhe ka 25 vite që është hapur në Bulqizë. Ka qenë dëshira dhe pasioni për tu njohur në të gjithë Shqipëinë përmes rrjeteve sociale. Gjithashtu të bëjmë sa më shumë punë dhe të jemi një biznes sa më i sigurtë online për të gjithë klientët në Shqipëri.

CMG: Çfarë produktesh përfshin biznesi juaj familjar?

Klajdi Keta: Biznesi është një fushë e materialeve të ndërtimit, vegla pune, hidrosanitare, produkte mobilerie dhe autogas. Pra në i kemi të gjitha produktet e përfshira, që të jemi sa më të kompletuar për klientin që vjen në dyqanin tone dhe ta gjejë veten për çdo produkt që i nevojitet.

CMG: Këtë biznes e ka ngritur babai juaj para 25 vitesh dhe më pas ti e zhvillove më shumë përmes prezantimeve online?

Klajdi Keta: Duke qenë se koha po vjen me këtë mënyrë, mendova që të kemi një hap më ndryshe në pjesën online. Në Bulqizë kemi magazinën kryesore, ku kemi një dyqan rreth 400 metra katrorë, dhe ofrojmë të gjitha produktet.

CMG: Ka patur rritje të biznesit gjatë kohës që ti i prezanton këto produkte online për klientët?

Klajdi Keta: Ka patur goxha rritje, sepse falë informimit dhe marketingut shumë persona nga qytete të ndryshme kanë ardhur në dyqan dhe kanë blerë një produkt. Mendoj se nuk është vetëm produkti, por që e ka marrë iniciativën për të ardhur në dyqan sepse i ka pëlqyer reklamimi dhe mënyra e prezantimit.

CMG: Je unik në mënyrën e prezantimit të produkteve, dhe besoj se i njihni mirë të gjitha produktet e dyqanit?

Klajdi Keta: Mundohem që çdo produkt ta them me imtësi për veçoritë e tij, që në momentin kur një klient e dëgjon, të jetë sa më i informuar për produktin dhe të dijë se çfarë do tÇi shkojë në shtëpi. Sigurisht që unë lexoj informacionet e çdo produkti në katalogun e tij.

CMG:  Ndërkohë që ke bërë edhe një investim të mirë, duke blerë te paisjet e regjistrimit të videove promocionale.

Klajdi Keta: Jam përpjekur që çdo pajisje regjistrimi ta kem sa më profesionale, duke qenë se duhet të jemi unikë në këtë fushë, që dhe video e realizuar të jetë sa më cilësore në sytë e klientit.

CMG: Ka të tjerë që e kanë kopjuar mënyrën tënde të prezantimit përmes videove?

Klajdi Keta: Mendoj se po, por diçka që kopjohet nuk realizohet asnjëherë si i pari që e ka bërë atë gjë. Unë vazhdoj të nxjerr gjithmonë gjëra të reja, për të qenë i pari në treg me ide të reja për produktet, videot dhe marketingun.

CMG: Ti vazhdon studimet e larta në Universitetin e Tiranës për ekonomi. Si e menaxhon kohën për biznesin dhe shkollën njëkohësisht?

Klajdi Keta: Një përparësi është rruga e re dhe Bulqiza është afër me Tiranën. Gjithashtu jam pak më i lirë sepse jam në vitin e tretë në shkollë  dhe mundohem t’i kushtoj më shumë kohë videove. Gjithashtu dhe shkolla është një gjë shumë e mirë sepse të informon për produktet, çmimet dhe sesi ta menaxhosh biznesin.

Klajdi duke prezantuar nje produkt per klientet (Foto personale)

Klajdi duke prezantuar nje produkt per klientet (Foto personale)

CMG: Të ka tërhequr gjithmonë dega e ekonomisë?

Klajdi Keta: Zgjodha ekonominë sepse një rol të mirë luan dhe pjesa e punës që unë bëj me biznesin, por dhe një dëshirë e imja në fëmijëri që të vazhdoja studimet për ekonomi.

CMG: Pas përfundimeve të studimeve tuaja do të qëndrosh në Tiranë, apo do shkosh në Bulqizë për të qenë më pranë biznesit?

Klajdi Keta: Dëshira ime është që të hap një dyqan të madh në Tiranë, për të qenë një furnitor i parë nga jashtë shtetit dhe për të furnizuar gjithë Shqipërinë. Kjo është dëshira dhe planet në të ardhmen.

CMG: Sa kohë i kushton realizimit të videove të prezantimit të produkteve të biznesit?

Klajdi Keta: Produket mësohen shumë lehtësisht, sepse duke mësuar çdo produket nuk harrohen, dhe është më e lehtë për t’i memorizuar veçoritë e atij produkti. Ndërkohë që për pjesën e editimit të videove merr pak kohë. Sigursht përdor edhe programet e kompjuterit, ku kërkon një kohë të mirë për të dalë një video sa më perfekte.

CMG: Mendon se e veçanta e prezantimit tuaj është se e realizon videon prezantuese në ambjentet e biznesit?

Klajdi Keta: Kjo është një veçori që ne e prezantojmë çdo produkt në dyqan, disa produkte në kënde të ndryshme. Kryesorja është se ne kemi një dyqan dhe klienti na beson, sepse ne dalim me fytyrë, kemi çmimet më të mira në treg dhe oratoria që unë përdor për prezantimin e produktit. Kjo është ajo gjë që njerëzit na besojnë, na telefonojnë për të bërë porosi. Kjo është një gjë mjaft pozitive, ku të dyja palët ngelen të kënaqura.

CMG: Ke patur ndonjëherë pasion fushën e televizionit, duke parë mënyrën e prezantimit tënd në kamera?

Klajdi Keta: Të them të drejtën nuk e kam menduar ndonjëherë, por nuk do të ishte ide e keqe për të qenë në televizion. Nëse nuk do kisha pjesën e marketingut, mund të kisha hyrë në fushën e medias.

CMG: Sa shpesh prezanton produkte të tilla në Instagram?

Klajdi Keta: Mundohem që çdo ditë të postoj një ose dy video, ku dhe ata që na ndjekin të kenë materiale për të parë. Edhe pse është pak e lodhshme, por mundohem ta arrij.

Klajdi Keta ne Bulqize (Foto personale)

Klajdi Keta në Bulqizë (Foto personale)

CMG: Ke menduar të investosh në të ardhmen në biznesin tuaj, apo të largohesh për të punuar dhe investuar jashtë vendit?

Klajdi Keta: Ka qenë puna ajo që më ka mbajtur në Shqipëri, por dhe nëse nuk do kisha biznesin do të gjeja mënyra për të jetuar në Shqipëri, sepse Shqipëria është një vend shumë ideal. Dëshira ime është të qëndroj në Shqipëri, sepse këtu kam familjen dhe janë shumë faktorë të tjerë që të ndihmojnë për të qëndruar këtu.

CMG: Të pëlqen të udhëtosh dhe vizitosh vende të tjera?

Klajdi Keta: Më pëlqen të udhëtoj, kjo në varësi dhe të ngarkesës së punës. Kam udhëtuar në disa vende të Europës, më ka pëlqyer shumë Gjermnaia, Italia dhe Franca. Kam dëshirë të vizitoj në të ardhmen edhe Anglinë.

CMG: Si e kalon kohën tënde të lirë?

Klajdi Keta: Kam pak kohë të lirë, por  shikoj shumë video në YouTube, që të profesionalizohem sa më shumë. Gjithashtu merrem dhe me palestër dy apo tre herë në javë.

CMG: Mendon se sot rrjetet sociale janë çelësi i suksesit të një biznesi?

Klajdi Keta: Mendoj se është një pjesë e mirë, por jo totalisht sepse ka shumë persona që e blejnë produktin fizikisht. Pra ka njerëz që nuk vijnë në një qytet të largët për diçka të vogël që i duhet.

CMG: Cila është veçantia e qytetit të Bulqizës që të bën të jetosh atje?

Klajdi Keta: Bulqiza ka ajër të pastër dhe është qetësi. Unë shtëpinë e kam në fshat, rreth 2-3 minuta me makinë. Edhe pse nuk ka shumë njerëz, sepse mjaft persona kanë ikur, por është qetësia që për mendimin tim nuk e gjen në vend tjetër. Mua personalisht do më pëlqente të jetoja në Bulqizë sepse tani me rrugën e re është më afër Tiranës.

CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.

Klajdi Keta: Përshëndes të gjithë dëgjuesit dhe klientët tanë që na ndjekin.

Intervistoi: Gazmend Agaj