“Pasi dëgjuam raportin mbi veprimtarinë e qeverisë kineze të këtij viti, ne kemi më shumë besim për të investuar më tej në Kinë dhe për të zgjeruar dhe forcuar biznesin tonë në Kinë. Besoj se fitimet tona do të jenë gjithashtu premtuese." Kështu i tha gazetarit të CMG-së Tang Xiaodong, presidenti i degës së Kinës të kompanisë kryesore në botë të pajisjeve të pastrimit, "Kärcher".
Foto:CMG
Të martën, raporti i kryeministrit kinez mbi punën e qeverisë kineze për vitin 2024 tërhoqi vëmendjen e botës. Shumë investitorë ndërkombëtarë i njohin tashmë më qartë objektivat e zhvillimit ekonomik të Kinës për vitin 2014, dhe kompanitë shumëkombëshe si "Kärcher" e kanë ndier mesazhin e "mundësive të Kinës".
Hovi i rritjes së ekonomisë botërore është ende i pamjaftueshëm dhe shumë institucione ndërkombëtare kanë parashikuar që rritja globale këtë vit do të jetë më pak se 3%. Kina ka vendosur që objektivi i pritshëm i rritjes së PBB-së në vitin 2024 të jetë rreth 5%, që është i njëjtë me objektivin e vitit të kaluar, në përputhje me pritshmëritë e jashtme dhe duke dërguar një sinjal pozitiv për botën.
Shumë media të huaja besojnë se vendosja e këtij objektivi do ta ndihmojë Kinën në thelb të arrijë modernizimin deri në vitin 2035. Analistët theksuan se në vitin 2023, PBB-ja e Kinës u rrit me 5.2 % në krahasim me vitin paraardhës, dukshëm më shpejt se ritmet e rritjes ekonomike prej 2.5 % në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 0.5 % në Eurozonë dhe 1.9 % në Japoni. Duke marrë parasysh faktorin e bazës së lartë të krahasimit, përcaktimi i objektivit të rritjes ekonomike për vitin 2024 duket të jetë më premtues. Nga pikëpamja globale, shkalla e rritjes ekonomike të vendeve të zhvilluara ka qenë kryesisht rreth 2 % deri 3 % në vitet e fundit. Kina e ka vendosur normën e saj të rritjes ekonomike në rreth 5 %, duke demonstruar vendosmërinë dhe përpjekjet e saj për të ndihmuar rimëkëmbjen ekonomike botërore.
Qëllimi është i qartë, por si mund të arrihet ai? Qeveria kineze ka përcaktuar dhjetë detyra kryesore për këtë vit, duke përfshirë promovimin e fuqishëm të ndërtimit të një sistemi industrial modern, zbatimin e thelluar të strategjisë së rilindjes kombëtare nëpërmjet shkencës dhe arsimit, fokusimin në shtimin e kërkesës së brendshme dhe zgjerimin e nivelit të lartë të hapjes ndaj botës së jashtme. Nga ky plan, njerëzit kanë një kuptim më konkret të "mundësive të Kinës". Midis tyre, "produktiviteti i ri" është një shprehje "e nxehtë". Shumë media të huaja besojnë që kjo fushë me potencial të madh zhvillimi do të bëhet katalizator i rritjes ekonomike, që do të thotë se Kina do t'i kushtojë më shumë vëmendje modelit "novator" të zhvillimit. Për shembull, raporti flet për optimizimin dhe përmirësimin e zinxhirit industrial dhe zinxhirit të furnizimit. Aktualisht, në Deltën e Lumit Perlave, një smartfon mund të pajiset me 95 % të përbërësve të tij brenda një ore; në Deltën e Lumit Jance gradualisht është formuar një "rreth industrial katërorësh" për automjetet me energji të reja... Rezistenca dhe konkurrueshmëria e zinxhirit të ardhshëm industrial do të rritet, duke krijuar hapësirë më të madhe zhvillimi për ndërmarrjet dhe duke i sjellë më shumë vrull të ri botës.
Foto:CMG
Në të njëjtën kohë, raporti bën plane specifike për zhvillimin inovativ të industrive në zhvillim, industrive të së ardhmes dhe ekonomisë digjitale. Disa analistë theksuan se industri të tilla si energjia e re, ekonomia digjitale, inteligjenca artificiale, prodhimi i nivelit të lartë dhe mjekësia janë aktualisht fushat kryesore të rritjes së një pjese të investimeve të huaja në Kinë. Në vitin 2023, fondet e pasurive sovrane të Lindjes së Mesme "përfshinë" automjetet kineze me energji të re, duke tërhequr vëmendjen e botës. Në të ardhmen, kompanitë shumëkombëshe do të shfrytëzojnë më shumë mundësitë e risive në Kinë.
Le t'i hedhim edhe një herë një sy tregut. Kohët e fundit, Suzanne P. Clark, presidente dhe kryezyrtare ekzekutive e Dhomës Amerikane të Tregtisë, kryesoi një delegacion për të vizituar Kinën. Ajo ka theksuar shumë herë se Kina është një treg të cilit kompanitë amerikane i kushtojnë shumë rëndësi. Gjatë pushimeve të Festës së Pranverës të këtij viti, shpenzimet e përgjithshme të udhëtimit të turistëve kinezë brenda vendit u rritën me 47.3 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa të ardhurat nga shitja e biletave të kinemave arritën rekord. Raporti i punës i qeverisë kineze thekson "përqendrimin në zgjerimin e kërkesës së brendshme." Qoftë nëse është fjala për kultivimin dhe zgjerimin e konsumit të ri, ashtu edhe për stabilizimin dhe zgjerimin e konsumit tradicional, një treg super i madh me më shumë se 1.4 miliard njerëz është një mundësi e domosdoshme për botën.
Hapja është një tjetër mesazh kyç që bota e jashtme e percepton nga raporti i punës së qeverisë kineze të këtij viti. Nga lehtësimi i hyrjes në treg për sektorët e shërbimeve si telekomunikacioni dhe kujdesi mjekësor, te shtimi i sektorëve që inkurajojnë investimet e huaja dhe te zbatimi i tetë veprimeve për të mbështetur ndërtimin e përbashkët cilësor të "Një brez, një rrugë", raporti liston një numër masash për zgjerimin e hapjes, duke shtuar besimin e kompanive ndërkombëtare. Në kontekstin e tanishëm të "oborreve të vogla dhe mureve të larta" dhe të shkëputjes të zbatuar nga disa vende perëndimore, Kina ka vazhduar të zgjerojë hapjen e nivelit të lartë ndaj botës së jashtme, duke i sjellë qëndrueshmëri të rrallë botës. "Raporti i sondazhit për mjedisin e biznesit në Kinë" i publikuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë në Kinë në shkurt tregon se kompanitë amerikane kanë rritur më tej pritshmëritë e tyre për perspektivat e zhvillimit të Kinës në vitin 2023. 50 % e kompanive të anketuara e renditën Kinën si zgjedhjen e tyre të parë ose ndër tre destinacionet kryesore të investimeve në botë.
Foto:CMG
Në kontekstin aktual të intensifikimit të konflikteve gjeopolitike dhe të rimëkëmbjes së ngadaltë të ekonomisë globale, nuk do të jetë e lehtë për Kinën të arrijë objektivat e saj për këtë vit dhe do të kërkohen më shumë përpjekje. Por, siç thotë raporti, faktorët e favorshëm i tejkalojnë ata negativë. Ofrimi i mundësive të reja për botën me zhvillimin e vet të ri është jo vetëm angazhimi, por edhe veprimi konkret i Kinës.