Turiste kinezë në Shqipëri
Gjatë vitit të kaluar, Shqipërinë e vizituan 10.2 milionë vizitorë të huaj, ndërkohë që shifrat e INSTAT për janarin 2024 dëshmojnë për gjysëm milioni vizitorë të huaj, ose 29.8 përqind më shumë vizitorë të huaj, në krahasim me muajin janar 2023. Edhe pse ende jo përfundimtare, shifrat e shkurtit 2024 tregojnë për një shtim të theksuar të vizitorëve të huaj, në nivelet e muajit janar 2024.
Në 4 prill 2023, në një forum ndërkombëtar në Tiranë, që bashkoi zyrtarë të lartë nga Ballkani Perëndimor dhe nga Evropa Jugore për promovimin e turizmit të qëndrueshëm rajonal, si një burim kryesor të ardhurash, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit të Kombeve të Bashkuara, Zurab Pololikashvili, u kërkoi vendeve të Ballkanit që të bashkohen në një destinacion të vetëm turistik. Ai parashikonte që gjatë viteve në vijim, numri i vizitorëve nga tregjet e mëdha si Kina, vendet e Gjirit Persik, etj., do të rritej me shumë në Ballkan.
Kjo realisht ndodhi për Shqipërinë. Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave INSTAT, vizitorët e huaj nga Azia Lindore dhe Paqësori, ku bën pjesë në masën mbi 98 përqind nga Kina, u shtuan në Shqipëri gjatë vitit 2023 me 2.5 herë.
Nga ana tjetër, numri i qytetarëve shqiptarë që udhëtojnë për në Kinë, sipas të dhënave të disa agjensive turistike të Shqipërisë, është në rritje 120-130 përqind, në krahasim me vitin 2022, për shkak të heqjes së rregjimit të vizave mes të dyja vendeve, në janar 2023. Megjithatë, në shkëmbimet turistike mes Shqipërisë dhe Kinës mbizotëron fluksi i turistëve kinezë dhe kjo është e kuptueshme.
Turistët kinezë në Muzeun e Krujës (Foto CMG)
Në bazë të të dhënave paraprake nga operatorët turistikë në Kinë, gjate aktiviteteve të Festivalit të Pranverës në këtë vend, i cili simbolizon fillimin e Vitit të Ri, sipas kalendarit hënor kinez, lëvizjet në shkurt 2024 mund t’i kenë kaluar mbi tre miliardë udhëtime të planifikuara, të organizuara dhe individuale brenda vendit. Ato u shtuan shumë edhe jashtë Kinës.
Sipas një raporti të firmës së parashikimeve ekonomike globale “Oxford Economics”, parashikohet që në vitin 2024, numri i udhëtimeve jashtë vendit nga udhëtarët kinezë të dyfishohet, në krahasim me vitin 2023.
Kina ka treguar ndër vite se është shteti, i cili ka më shumë turistë që lëvizin në të gjithë botën. Për turistët kinezë, Evropa vazhdon të jetë tërheqëse. Sipas një vlerësimi të Komisionit Evropian të Udhëtimit, të publikuar në shkurt 2024, destinacionet evropiane mund të presin mëkëmbje të mëtejshme nga tregu kinez këtë vit.
Duke parë kërkesën në rritje për udhëtime, edhe kompanitë ajrore po i shtojnë fluturimet dhe kapacitetet për linjat Kinë-Evropë dhe anasjelltas. Tregu ynë i turizmit nuk bën përjashtim nga këto trende dhe parashikimet e operatorëve turistikë shqiptarë janë që fluksi i turistëve nga Kina do të rritet ndjeshëm edhe për këtë vit. Zak Topuzi, Kryetar i Degës së Hotelerisë, Shoqata Shqiptare e Turizmit në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës ndalet në këto shkëmbime, duke shprehur optimizëm për rritjen e numrit të turistëve kinezë në Shqipëri këtë vit
Zak Topuzi në intervistë për CMG
CMG: Z. Topuzi, si janë pronotimet në hotelet tona, për pranverën dhe verën e këtij viti? Mund të flitet për një tjetër rritje me 30 përqind e numrit të vizitorëve të huaj tek ne për këtë vit, në krahasim me vitin e kaluar shumë të suksesshëm?
Zak Topuzi: Falë performancës pozitive që dha Shqipëria gjatë vitit 2023, kemi një rritje progresive rreth 20-30% të prenotimeve për sezonin veror të turizmit.
Kjo duket qartë edhe në lëvizjet e tremujorit të parë, është në një sens pozitiv. Shpresojmë që Shqipëria të hyjë në axhendën botërore të turizmit dhe, në fakt, Ballkani është kthyer dhe është sot një nga zonat lider të turizmit në botë.
CMG: Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave INSTAT, vizitorët e huaj nga Azia Lindore dhe Paqësori, ku bën pjesë në masën mbi 98 përqind Kina, u shtuan gjatë vitit 2023 me 2.5 herë, ndërkohë që, sipas kompanisë ndërkombëtare të konsulencës së biznesit McKinsey & Company, turistët kinezë shpenzojnë në vit rreth 255 miliardë dollarë. A duhet që operatorët tanë dhe strukturat tona publike të përpiqen më shumë për të tërhequr këtu turistët nga Kina?
Zak Topuzi: Në fakt sinjalin e parë e dha forumi ndërkombëtar në Tiranë, i mbajtur një vit më parë për turizmin e qëndrueshëm, i cili mblodhi pothuajse 10 ministra të turizmit në Europë. Po ashtu, prania e Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Turizmit ishte përsëri një risi, duke i dhënë një promovim të rëndësishëm Shqipërisë.
Po të bëjmë një analizë, një nga konkluzionet që dha. Zurab Pololikashvili, Sekretar i Përgjithshëm i OBT-së, ishte që turizmi kinez do të kthehet furishëm në vitet në vazhdim, në Ballkan.
Ai cilësoi se ne duhet të synojmë që turizmi në Ballkan të jetë i bashkuar. Duhet të synojmë që i gjithë Ballkani të shitet si një brand.
Ky mesazh i rëndësishëm tregon se na duhet të jemi të bashkuar. Na duhet të ndërtojmë politika, për të pritur këtë numër të madh të turistëve. Dhe sigurisht, duhen kapacitete më të mëdha, resorte, zgjerimi i aeroportit dhe thjesht politika më stimuluese për këtë sektor.
Pra, një vit më parë, ne morëm një sinjal që turizmi nga Kina do të jetë një turizëm i rëndësishëm për Ballkanin dhe qeveria duhet të ndërmarë masa menjëherë, për t’i dhënë zhvillim kapaciteteve akomoduese.
Sigurisht që Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës është një aeroport i rëndësishëm për këtë qëllim, por edhe ai i Tiranës po zgjerohet, për të pritur avionët ndërkontinentalë. Në këtë mënyrë, për të bërë të mundur që kjo ëndërr të bëhet realitet dhe këtu të ulen edhe avionët e mëdhenj.
Pak a shumë, është dhënë sinjali që do të ketë lëvizje të madhe dhe shenjat që po ecim mirë po jepen.
Është e rëndësishme që konkluzionet të jepen në forumet e rëndësishme botërore dhe të analizohen nga sektori privat, por edhe nga ministria jonë e Turizmit, për të bërë politika që t’i paraprijnë zhvillimit të turizmit.
Turistë kinezë në Shqipëri (Foto CMG)
CMG: Në janar të këtij viti Kalanë mesjetare të Krujës dhe Muzeun Historik brenda kalasë, e vizituan 15 operatorë turistikë nga Kina, pjesë e një FAM Trip, organizuar nga Landways International. Përfaqësuesit e kompanive kineze shprehën interes dhe optimizëm për rritjen e numrit të turistëve nga ky vend në Shqipëri. A duhet të provojmë të nxisim më shumë turizmin kulturor dhe historik tonin?
Zak Topuzi: Mbas Pandemisë nga Covid-19, është vënë re që turizmi ka marrë një zhvillim tjetër. Pra, turistët jane drejtuar drejt turizmit aktiv dhe turizmit kulturor dhe sigurisht, edhe turizmit të gjelbërt, lëvizjeve në natyrë, larg zhurmave. Kjo ka qenë një risi, e cila po vazhdon.
Vjet është vënë re kjo tendencë, pavarësisht se turistët në numrin më të madh kanë ardhur në periudhën e tremujorit të dytë, të periudhës qershor- fund gushti. Vetëm se nuk kanë qenë thjesht turistë të plazhit apo të rërës, por kanë qenë turistë që kanë lëvizur në të gjithë Shqipërinë, nga veriu në jug.
Kjo tregon që, pavarësisht se tendenca kryesore është ende për plazh, megjithatë, këta turistë të huaj vijnë dhe angazhohen, për të parë e vizituar çdo cep të Shqipërisë.
Dhe turizmi kulturor është një nga turizmet më të rëndësishëm në Ballkan, pasi Ballkani është arena e luftrave 2400 vjeçare, pikënisja e Luftës së Parë Botërore, e Luftës së Dytë Botërore, si dhe shkatërrimi dhe rindërtimi i Perandorive, qoftë asaj romake apo asaj osmane.
Kështu që historia e Shqipërisë është mjaft interesante për të huajt dhe ne duhet ta shfrytëzojmë maksimalisht këtë dhe të shtojmë muzetë dhe atraksionet e tjera historike.
T’i bëjmë ato të vizitueshme, por edhe t’i plotësojmë me ciceronë, pra me njerëz që të japin konkluzionet reale dhe jo ta lëmë këtë ta bëjnë vetë vizitorët e huaj.
Turiste kineze në Krujë (Foto CMG)
CMG: A mund të themi që kemi një rritje të ndjeshme edhe të vizitave të qytetarëve tanë në Kinë, sidomos pas heqjes së vizave në janar 2023?
Zak Topuzi: Sigurisht që Kina është një nga tregjet kryesore botërore të tregtisë dhe sigurisht që Shqipëria ka një experiencë shumë pozitive me tregtinë.
Shoh një lëvizje të dukshme mbas rritjes eksponenciale të çmimeve të transportit dhe tani ka një stabilizim. Kina është një treg i rëndësishëm për shqiptarët, qofte edhe për vizitat e rëndësishme turistike.
CMG: Duke parë lëvizjet turistike brenda vetë Kinës gjatë festimeve të Vitit të Ri Kinez në shkurt të këtij viti, ku 74 milionë qytetarë vizituan muzetë në këtë vend, a besoni në një rritje të fortë të turistëve nga Azia, sidomos nga Kina, edhe për këtë vit?
Zak Topuzi: Sigurisht që do të ketë rritje. Gjykoj se nuk duhet të ketë kufizime për marketingun e Shqipërisë në çdo vend të botës, qoftë edhe lëvizje minimale. Edhe ato janë mjaft të rëndësishme. Tregu shqiptar është një treg i larmishëm, pavarësisht se është i vogël.
Nga ana tjetër, ai ka një pozicion shumë të rëndësishëm në Ballkan, pasi është rruge kalimi dhe ne duhet t’a shfrytëzojmë këtë maksimalisht. Por duhet të jemi të qartë se gati 80 përqind e të gjithë numrit të turistëve janë kryesisht turistë me origjinë shqiptare, por me pasaportë të huaj, të cilët jetojnë kryesisht, 95 përqind e tyre, janë në vendet europiane.
Ky është trendi i turizmit shqiptar, por kjo nuk do të thotë që nuk duhet të përgatitemi dhe t’i bëjmë shërbimin dhe pritjen e duhur të gjithë atyre që duan të vijnë në Shqipëri.
Krahas tregut kinez që është rritur shumë në Shqipëri dhe në gjithë Ballkanin, vjet ka patur lëvizje nga e gjithë bota. Që nga Agjentina, nga Brazili dhe vende të tjera, të cilat më parë nuk ekzistonin në hartën e lëvizjeve në Shqipëri.
Eksperti i turizmit Zak Topuzi
CMG: Cilat janë risitë e projektligjit që ka përgatitur Ministria e Turizmit, me ndryshime në Ligjin për Turizmin, në gjykimin tuaj?
Zak Topuzi: Kishte ardhur koha për të përmirësuar ligjin e turizmit, pasi turizmi ka ndryshuar që në koncept. Pra sot, turizmi është bërë jo vetëm industri, por është bërë mënyrë jetese. Standardet kanë ndryshuar, teknologjia ndryshon dhe ishte momenti i përshtatshëm që qeveria ta ndërmerrte këtë hap.
Jo vetëm për ndyshimet që lidhen me standartet, por ndryshim i rëndësishëm ishte edhe formalizimi i tregut. Kjo ishte një kërkesë kryesore e industrisë turistike në vend. pasi një konkurencë e pandershme krijon dhe kishte krijuar probleme. Gati gjysma e kapaciteteve akomoduese që shiteshin nëpërmjet platformave airb&b apo booking.com ishin jashtë skemës së formalizuar dhe jashtë standarteve.
Kjo bëri që edhe Europa të kishte një problem të tillë. Vendet e Bashkimit Evropian përmirësuan legjislacionin, për ta bërë atë transparent dhe për ta bërë bashkëpunues, bashkëlidhes midis turistit dhe banorit vendas.
Kjo, në mënyrë që të mos tejkalohet ajo që ata do të fitojnë me mjediset dhe jetën e banorëve që jetojnë në ato ambjente. Bëhet fjalë për apartamente dhe vila që jepen me qira.
Një gjë e rëndësishme është që në këtë projekt që shumë shpejt do të bëhet ligj, përmirësohen shumë statistikat për turizmin.
Pa statistika të sakta, është e pamundur të bësh parashikime serioze për të ardhmen dhe kjo ishte risi për projektligjin. Pati edhe kërkesa të tjera që lidhen me regjistrimin e subjekteve, që do të shesin në sektorin e hotelerisë, si apartamente dhe vila, që këto të fundit të hapin NIPT dhe të regjistrohen në sektorin e akomodimit, për të paguar 6% TVSH dhe të formalizohen.
Këto ishin pak a shumë risitë kryesore të projektligjit për turizmin dhe shpresojmë që brenda këtij muaji, ndryshimet të miratohen dhe të kalojnë në Parlament.
Intervistoi Fatos Çoçoli