Foto nga Teatri shetites Cajupi
Shfaqja për fëmijë "Fuqia e dëshirave” vazhdon të vihet me sukses në skena të ndryshme të vendit. Në këtë fillim marsi teatri ka dhënë shfaqje për fëmijët e Memaliajt, në Pallatin e Kulturës së këtij qyteti, por dhe në Pallatin e Kulurës në Tepelenë. Shfaqja u mbështet nga Eurosig-Insig-UBA Bank.
Shfaqja “Fuqia e dëshirave” ka si autore dhe regjisore Greta Baci, aktorë Kevin Rrapaj, Arlin Capi, Silvana Likaj, kostumografe dhe skenografe Ansi Shtëmbari. Regjisori i mirënjohur Kiço Londo, është shprehur për mediat sa i përket Teatrit Shëtitës “Çajupi” dhe shfaqjet për fëmijë që po vihen në skenë nëpër Shqipëri.
Shfaqja në Teatrin Skampa (Foto nga instagrami)
“Unë mendoj se një nga gabimet kryesore është që ne kemi vendosur gjithçka në qendër në Tiranë, dhe në mënyrë të pa menduar mirë. Krahas teatrit për të rritur, komedive, dramave, ku vetëm këtë vit kemi bërë katër produksione, kjo është një gjë jo e zakonshme, sepse vështirësitë artistike janë të mpleksura, rreziku artistik është i mpleksur me rrezikun e rrezikut ekonomik sepse ne jemi një teatër që nuk mbështetemi nga shteti. Një nga gjërat evidente krahas dramave dhe komedive është Teatri Shëtitës për Fëmijë. Ne kemi qenë në Gramsh, në Pukë, Fushë Arrëz, Librazhd Cërrik, në Krastë të Martaneshit etj, ku ne organizojmë një ditë të tërë teatër, me disa shfaqje në ditë. Aty kanë mundësi të gjithë fëmijët e qytetit që të shohin 3- 4 shfaqje teatri. Kjo është një mënyrë e mirë për të ndjekur sa më shumë shfaqje në vit, në çdo qytet të vendit”, ka përfunduar regjisori Londo.
Pamje nga shfaqja (Foto nga instagrami)
Në fund të muajit shkurt Teatri Shëtitës “Çajupi” vuri në skenë shfaqjen për fëmijë "Fuqia e dëshirave” në Krastë të Martaneshit, ku aktorët interpretuan për fëmijët e kopshtit dhe shkollës së bashkuar “Jani Fullani”. Aktorët mbetën tejet të prekuar nga dashuria e tyre, kur fëmijët u thanë: “Ejani prapë”. Artistët u pritën mjaft mirë nga drejtoresha e shkollës Morena Demiri, si dhe Kryetari i Shoqatës Atdhetare-Kulturore Martaneshi dhe administratori i Koka shpk, Rakip Koka.
Gjithashtu gjatë këtij fillim viti Teatri Shëtitës “Çajupi”, ka vënë në skenë shfajen për fëmijë "Fuqia e dëshirave” edhe në Gramsh, pranë Qendrës Kulturore të këtij qyteti, nën kujdesin e mbështetjen e Z. Kadri Morina. "Fuqia e dëshirave” udhëtoi edhe në Qendrën Kulturore të qytetit të Librazhit, nën kujdesin e Kryetarit të Bashkisë Mariglen Disha dhe disa sponsorëve të tjerë. Teatri ka shëtitur edhe në qytetin e Elbasanit në Teatrin “Skampa”, në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, në Has, në Kukës, etj.
Shfaqja në Krastë Martanesh (Foto nga instagrami)
Kjo shfaqje e nisi stafetën shëtitëse "Fuqia e dëshirave”, me vënien në skenë me premierën e saj në Prrenjas, me mbështetjen e Kryetarit të Bashkisë së Prrenjasit Nuri Belba dhe drejtuesit e Qendrës Kulturore, e cila u shfaq në sallën e pallatit të kulturës së këtij qytetit. Kjo është një mënyrë mjaft e mirë që arti të trimfojë kudo, e fokusi i tij të mos jetë vetëm kryeqyteti, por edhe në skajet më të thella të vendit. Kjo është një mënyrë e mirë edukimi dhe argëtimi për fëmijët e grupmoshave të ndryshme, të cilët shijojnë vënien në skenë të këtyre shfaqjeve, por të kenë më shumë kohë për të kaluar me njëri - tjetrin.
Një teatër shëtitës u dhuron fëmijëve në mbarë vendin, fytyra qeshura e të gëzuara të vogëlushëve, duke e konsideruar këtë projekt mjaft të suksesshëm, sepse fëmijët kanë mundësinë që të kalojnë kohën e tyre në mënyrë cilësore. Mësohet se Teatri Shëtitës “Çajupi” do të gëzojë edhe shumë fëmijë të tjerë nëpër Shqipëri.
Sava Lena