Që kur Kina u bë ekonomia e dytë më e madhe në botë, raporti i PBB-së së Kinës ndaj PBB-së së ShBA-së ka qenë gjithmonë një fokus diskutimi.
Në vitin 2023, ky numër ka pasur rënie. Duke parë këtë ndryshim, të ndërthurur me bllokadën amerikane ndaj Kinës në fushën e teknologjisë së lartë në vitet e fundit, shumë njerëz pyesin nëse ekonomia kineze do të bjerë?
A do të ndodhë vërtet kjo?
Le të shikojmë fillimisht vetë treguesit numerikë. Llogaritja e PBB-së përfshin edhe faktorë të tillë si çmimet dhe kursin e këmbimit.
Kur vendet llogaritin PBB-në, ato përdorin PBB-në nominale të llogaritur sipas vlerës aktuale të monedhës së tyre, gjë që kërkon shqyrtimin e faktorit të çmimeve. Në tre vjetët e fundit, ShBA-ja ka zbatuar politika fiskale dhe monetare radikale, të cilat e kanë çuar atë në situatën e inflacionit të lartë, gjë që gjithashtu ka rritur ndjeshëm PBB-në nominale të ShBA-së.
Le të marrim vitin 2022 si shembull. Në atë vit treguesi i çmimeve të konsumit (CPI) dhe treguesi i çmimeve të prodhimit (PPI) në ShBA u rritën përkatësisht me 8% dhe 16.5 % në krahasim me vitin e mëparshëm. Ndërsa në vitin 2022, CPI-ja dhe PPI-ja e Kinës u rritën përkatësisht me 2 % dhe 4.1 %. Kështu, mund të imagjinohet "hendeku" në llogaritjet numerike.
Përveç çmimeve, duhet të mbajmë parasysh kursin e këmbimit, domethënë, kur krahasojmë PBB-të e Kinës dhe ShBA-së, PBB-ja e Kinës e shprehur në RMB duhet të konvertohet në dollarë amerikanë.
Nga marsi 2022 deri në korrik 2023, Rezerva Federale i ka rritur normat e interesit 11 herë radhazi, që është rritja më e madhe e tillë në ShBA në 20 vitet e fundit.
Rritja e normave të interesit zakonisht sjell flukse hyrëse neto të kapitalit ndërkombëtar, duke e ngritur kursin e këmbimit të dollarit amerikan. Kursi i këmbimit të monedhës kineze me atë amerikane ka shkuar nga 6.3 juanë për 1 dollar amerikan në mars 2022 në rreth 7.1 juanë për 1 dollar amerikan sot. Edhe kursi i këmbimit e ka zgjeruar objektivisht "hendekun” në përllogaritje.
Kohët e fundit, gazeta "Wall Street Journal" publikoi një raport, që thotë se në vitin 2008 ekonomitë e Shteteve të Bashkuara dhe të Eurozonës ishin afërsisht të njëjta, por tani ekonomia e ShBA-së është pothuajse sa dyfishi i asaj të Eurozonës. “Wall Street Journal” i përdori këto të dhëna për të vërtetuar se ekonomia amerikane është më mirë se ajo evropiane.
Ky raport u kritikua nga ekonomisti amerikan Paul Krugman, sipas të cilit kjo ka ardhur kryesisht si rezultat i nënçmimit të kursit të këmbimit të euros ndaj dollarit amerikan. Në vitin 2008, kursi i këmbimit të euros ndaj dollarit amerikan arriti kulmin prej 1.59, ndërsa në vitin 2023 u ul në 1.05.
Teorikisht, edhe kur krahasohet PBB-ja kineze me atë amerikane, duhet të mbahen parasysh këta faktorë. Por, pasi pa rënien e raportit të PBB-së së Kinës ndaj PBB-së së ShBA-së, Krugman shkroi këtë në një artikull tjetër: "Ekonomia kineze është në telashe serioze".
Çfarëdo e dhëne që mund të tregojë se ekonomia kineze po bie, do të amplifikohet e përhapet më tej, duke shërbyer si "dëshmi" që Kina do të sjellë "rrezik".
Instituti "Lowy" në ShBA përkrah teorinë që "ekonomia e Kinës ka arritur kulmin", duke publikuar një raport sipas të cilit deri në vitin 2050 rritja e PBB-së së Kinës do të jetë 2 %-3 %. Por në raport thuhet se sigurisht se nuk mund të përjashtohet mundësia e një rritjeje 5 %, por me kusht që sistemi ekonomik i Kinës "të perëndimorizohet".
Mund të themi se qëllimi i teorisë që "ekonomia e Kinës ka arritur kulmin" është për të krahasuar sistemet ekonomike dhe për të ndryshuar sistemin ekonomik kinez. (Çang Çuo)