Kina zotohet të zhvillojë forca të reja prodhuese cilësore gjatë modernizimit
2024-03-05 18:36:54

Kina do të shfrytëzojë rolin udhëheqës të inovacionit dhe do të nxisë risitë industriale nëpërmjet përparimeve tekniko-shkencore dhe industrializimit të ri, thuhet në raportin e punës së qeverisë kineze të vitit 2024, që u paraqit të martën për shqyrtim në sesionin vjetor të organit më të lartë ligjvënës të vendit.

Foto:Xinhua

Mbledhje e hapjes së sesionit të dytë të legjislaturës së 14-të të AKP-së(Foto:Xinhua)

Kryeministri kinez Li Qiang e mbajti raportin në mbledhjen e hapjes së sesionit të dytë të legjislaturës së 14-të të Asamblesë Kombëtare Popullore, që u zhvillua në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin.

Sipas raportit, Kina do të përpiqet të modernizojë sistemin industrial dhe të zhvillojë forca të reja prodhuese cilësore me një ritëm më të shpejtë.

Me inovacionin në krye, forcat e reja prodhuese cilësore nënkuptojnë kapërcimin e modeleve tradicionale të rritjes ekonomike me anë të teknologjisë së lartë, efikasitetit të lartë dhe cilësisë së lartë, duke u përputhur me filozofinë e re të zhvillimit të Kinës.

Për të zhvilluar forca të tilla, raporti i punës së qeverisë rendit një sërë detyrash.

Kina do të ndërmarrë veprime për zhvillimin cilësor të zinxhirëve industrialë e të furnizimit dhe nxitjen e industrive të reja e të orientuara drejt së ardhmes, si edhe do të përshpejtojë zhvillimin e industrive si energjia e hidrogjenit, materialet e reja e barnat inovative, teknologjia kuantike dhe shkenca e jetës. Po ashtu, do të promovohet zhvillimi inovativ i ekonomisë digjitale dhe do të shpallet nisma "AI+"(Inteligjencë Artificiale Plus), duke konsoliduar dhe përmirësuar pozicionin udhëheqës të Kinës në industri të tilla si automjetet inteligjente të lidhura me internetin dhe me energji të re.

Kina ka vendosur në raportin e punës së qeverisë një objektiv të rritjes ekonomike prej rreth 5 % për vitin 2024, duke u zotuar të nxisë zhvillimin me cilësi të lartë. Sipas raportit, do të jepen bono të posaçme në disa vitet e ardhshme për zbatimin e strategjive kryesore kombëtare dhe ndërtimin e kapaciteteve të sigurisë në fushat kryesore, duke filluar me 1 trilion juanë bono (gati 139 miliardë dollarë amerikanë) të tilla këtë vit.

Kryeministri kinez Li Qiang në mbledhjen e hapjes së sesionit të dytë të legjislaturës së 14-të të AKP-së(Foto:Xinhua)

Deputetët në mbledhjen e hapjes së sesionit të dytë të legjislaturës së 14-të të AKP-së(Foto:Xinhua)

Në raport theksohet gjithashtu se Kina do të përshpejtojë përpjekjet për të ndërtuar një personel me ekspertizë me rëndësi strategjike dhe do të kultivojë më shumë shkencëtarë dhe ekipe inovacioni të klasit të parë botëror.

Po ashtu, do të krijohen përfitime reale për popullin, duke vepruar mbi bazën e filozofisë së zhvillimit të përqendruar te njerëzit. 

Do të bëhen përpjekje për të përmirësuar mirëqenien e banorëve dhe për të promovuar mënyra më të mira dhe të reja të qeverisjes shoqërore, thuhet në raport.

Sipas raportit, sivjet në Kinë pritet të krijohen mbi 12 milionë vende pune në zonat urbane dhe të ruhet norma e papunësisë së regjistruar urbane në rreth 5.5 për qind.

Kina gjithashtu do të përmirësojë mbrojtjen ekologjike dhe do të promovojë zhvillimin e gjelbër dhe me lëshim të ulët karboni, thuhet në raport.

Sipas të dhënave të publikuara nga Administrata Energjetike Kombëtare, në vitin 2023, kapaciteti i instaluar i energjisë së rinovueshme në Kinë e tejkaloi kapacitetin e energjisë termike për herë të parë në histori, duke përbërë mbi gjysmën e kapacitetit të energjisë së rinovueshme të instaluar rishtazi në mbarë botën.

Kina do të nxitë revolucionin energjetik dhe do të punojë në mënyrë aktive e me maturi për arritjen e kulmit të lëshimeve të dioksidit të karbonit dhe të asnjanësimit të karbonit, sipas raportit.