Librat e marsit, një dhuratë e grave për gratë
2024-03-04 10:57:57

Libra nga grate per grate - foto ilustruese - foto Ambasaciator

Libra dhe mimoza per marsin e grave - foto ilustruese-foto biblioterapiaitaliana.it

Shumë libra janë shkruar nga gratë, duke krijuar një univers letrar ku historitë biografike apo trillimet artistike që ato rrëfejnë shërbejnë si një kujtesë, çdo kapitull i të cilave, ka formësuar gruan e mrekullueshme që ne jemi sot. Janë histori, sa të ngjashme, aq edhe të veçanta nga njëra-tjetra. Dëshmojë një forcë të pashtershme që gjendet brenda tyre. Ja disa libra të rëndësishëm, nga gratë, kushtuar grave.

“Krenari dhe Paragjykim” nga Jane Austen

Natyrisht, nuk mund të flitet për autore gra pa përmendur Jane Austen, e cila konsiderohet si një nga penat më brilante të letërsisë moderne. “Krenari dhe Paragjykim” është një histori plot humor, dashuri dhe vështirësi familjare në një aventurë të gjetjes së një bashkëshorti të bukur dhe njëkohësisht të pasur. Pa dyshim kryevepra e Austen.

“Zonja Dalloway” nga Virgjia Woolf

Ndonëse ky roman është shkruar në vitin 1923 nga britanikja Virgjnia Woolf, në vitin 2005, u listua nga revista Time, si një nga romanet më të mirë të shkruar në gjuhën angleze që nga viti 1923.

Virginia Woolf i tërheq vëmendjen mjeshtërisht lexuesit  për si njerëzit e mendojnë dhe e trajtojnë njëri - tjetrin, duke sjellë në mënyrë brilante ndjeshmërinë e vetë jetës së saj.

Në qendër të romanit është Klarisa Dalloway që sjell historinë e jetës së saj, ëndrrat e largëta të fëmijërisë dhe vitet që lëkundin martesën e sa të qetë. Jeta sedentare e Klarisa Dalloway, mes popullaritetit, sërës dhe dramës vetjake të saj, është më shumë se kaq, po të vëzhgosh rreth saj: një i ri me emrin Semptius që shkon ngadalë në marrëzi, për shkak të tronditjeve psikike; vajza e saj, Elisabeta, që pret të bëhet grua, Piteri me të shkuarën dhe pasionet  tronditëse, martesa e saj vanitoze, jeta me një përditshmëri monotone mes librave dhe përpjekjes për të mos mbetur nën skllavërinë e kësaj monotonie, vetë ajo, Klarisa, ngecur në rrjetën e gjithë kësaj hullie, të cilën i duhet ta përballojë me cilësitë e një zonje. Një libër i mrekullueshëm, ku çdo grua mund të gjejë veten dhe forcën për të mos u dorëzuar.

“Zoti e ndihmoftë fëmijën” nga Toni Morrison

Toni Morrison është autore e mbi dhjetë romaneve. Ajo është fituese e çmimit të “Shoqërisë Kombëtare të Kritikëve Letrarë” dhe çmimit “Pulitzer”, kurse në vitin 1993 u nderua me çmimin Nobel në fushën e letërsisë. Romani të cilin kemi veçuar është në  fakt I pari i shkrimtares, e cila përmes tij vjen me një mesazh të fortë për gratë, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm në rritjen e fëmijëve, por edhe burrat dhe vetë fëmijët, pra për të gjithë familjen dhe shoqërinë. Autorja me rrëfimin e historisë së saj na dëshmon, se mënyra e rritjes dhe vuajtjet në fëmijëri, janë vendimtare në formimin ose deformimin e personalitetit të një të rrituri. Romani është mjaft provokativ dhe i vendos ngjarjet në ditët tona.

Libri mbështetet në një ngjarje kryesore, e cila rrëfen për një vajzë që lind me lëkurë të zezë në blu, duke kriijuar habi te njerëzit, por krahas kësaj linje, libri trajton edhe disa linja të tjera veprimi ku ndeshim personazhe të tjerë që vujanë traumat e fëmijërsië së tyre. Një libër që të jep përgjigje e të frymëzon për rolin e gruas si nënë në rritjen e fëmijëve të saj.

Foto ilustruese- foto pinterest

“Vitet” Nga Anie Ernaux

Vepra kryesore e nobelistes së vitit 2022 në letërsi, Annie Ernaux, romani “Vitet” është një roman që nuk duhet humbur kurrsesi pa u lexuar. E Nëse nuk e keni bërë akoma, muaji mars, është koha e duhur për ta bërë këtë, për shka edhe të konatacionit që ky muaj mbart.

E gjithë fuqia kritike që kërkojmë nga një roman është këtu, në një nga librat më thelbësorë të kohëve tona. Si ndodh vallë që koha që kemi jetuar bëhet jeta jonë? Kjo është nyja që përpiqet të zgjidhë Annie Ernaux përmes libri “Vitet”, një afresk autobiografik dhe njëkohësisht kronikë kolektive e botës sonë, që nga koha e pasluftës e deri më sot, një nyje e zgjidhur më së miri, përmes shkrirjes së zërit individual, me korin e historisë. Annie Ernaux në këtë roman përshkruan çlirimin, Algjerinë, mëmësinë, de Gaulle-in, 68-ën, emancipimin e gruas, Mitterrand-in; e më pas përparimin e prodhimit të mallrave, përpjekjet drejt konformizmit, hyrjen e internetit, 11 shtatorin, rizbulimin e kënaqësisë.

I gjithë rrëfimi realizohet përmes përshkrimit të fotografive të drekave të ditëve të pushimit, duke e shdnërruar librin në një “autobiografi jopersonale”.

“Gratë e shpirtit tim” nga Isabel Allande

Ky është një roman që nuk kishte si i mungonte marsit. Në romanin “Gratë e shportit tim”, me lehtësi dhe ironi, Isabel Allende rievokon çaste të së shkuarës dhe ndalet në të tashmen për të na treguar arsyet e feminizmit të saj. Autorja niset nga origjina, nga fëmijëria dhe nga adoleshenca e saj, të kaluara në kornizën e një strukture të rreptë patriarkale.  

Instinkti i rebelimit është njëfarë reagimi i natyrshëm ndaj maskilizmit mbisundues, që bën të lindë tek ajo prirja që në rrjedhën e viteve e çoi të rreshtohej gjithnjë me të dobëtit, të mënjanuarit dhe të gjitha gratë që ende luftojnë për emancipimin.

Isabela na tregon etapat e rrugëtimit të saj, duke filluar nga arritja e pavarësisë ekonomike, biografinë e saj sentimentale dhe profesionale. Dhe pastaj mosha e tretë, atë çka do të thotë për të, grua plotësisht e çliruar dhe e bindur që modelet e imponuara çojnë në një formë paragjykimi kundër pleqërisë jo të ndryshme nga qëndrimet seksiste dhe raciste. “Nuk e teproj kur them se jam feministe që në moshën e kopshtit”, - thotë autorja, Isabel Allende.

“Historia e Shërbëtores” – Margaret Atwood

Një roman distopik që flet për një të ardhme ku gratë janë të opresuara dhe të përjashtuara nga jeta publike dhe përdoren thjesht për të sjellë në jetë foshnja që më pas u jepen aristokratëve të pasur. Një histori rezistence dhe shprese se edhe në vendet më të errëta mund të gjendet dritë.

Neritana Kraja