Si një platformë e rëndësishme praktike për ndërtimin e një komuniteti me fate të përbashkëta të njerëzimit, bashkëpunimi me cilësi të lartë brenda kornizës së nismës “Një brez, një rrugë” ofron mundësi të mëdha për vendet partnere në arritjen e zhvillimit të përbashkët dhe përmirësimin e mirëqenies së banorëve, tha të dielën z. Liu Jieyi, zëdhënës për sesionin e dytë të Komitetit të 14-të Kombëtar të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez (KKPPK).
Foto:VCG
Ai i bëri komentet në një konference shtypi të organizuar nga KKPPK-ja, organi më i lartë këshillimor politik i Kinës.
Duke vënë në dukje se viti i kaluar shënoi 10-vjetorin e propozimit të konceptit për ndërtimin e një komuniteti me fate të përbashkëta të njerëzimit dhe të nismës “Një brez, një rrugë”, zëdhënësi tha që praktikat dhjetëvjeçare kanë treguar plotësisht se ndërtimi i një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin përputhet me prirjen e zhvillimit e të përparimit njerëzor dhe u shërben interesave të përbashkët të popujve të të gjitha vendeve.
Duke përmendur Korridorin Ekonomik Kinë-Pakistan, hekurudhën Kinë-Laos dhe hekurudhën me shpejtësi të lartë Xhakartë-Bandung, Liu Jieyi tha se projekte të ndryshme lidhur me jetesën e banorëve i kanë ndihmuar Afrikën, Azinë, Paqësorin Jugor, Amerikën Latine dhe Karaibet të përmirësojnë infrastrukturën mjekësore dhe të nxisin zbutjen e varfërisë rurale.
Gjatë 10 vjetëve të fundit, qeveria kineze ka nënshkruar më shumë se 240 dokumente për bashkëpunimin në kuadër të nismës "Një brez, një rrugë" me mbi 150 vende dhe më shumë se 30 organizata ndërkombëtare, bëri të ditur ai.
Sipas tij, Komiteti Kombëtar i KKPPK-së ka komunikuar me më shumë se 200 institucione në 50 vende dhe ka krijuar lidhje të reja me 41 institute studimi politikash dhe 12 organizata civile të huaja, duke krijuar konsensus për të promovuar ndërtimin e një komuniteti me fate të përbashkëta për njerëzimin.
Presidenti i Indonezisë Joko Widodo në një tren të hekurudhës së shpejtësisë së lartë Xhakarta-Bandung, 13 shtator 2023(Foto:VCG)
Komiteti Kombëtar kreu gjithashtu kërkime të thelluara e parashtroi mendime dhe sugjerime për zhvillimin e gjelbër, të vazhdueshëm dhe me lëshim të ulët karboni, si edhe mbi bashkëpunimin mes Kinës e vendeve të tjera në zhvillim, shtoi z. Liu.
Ai theksoi njëkohësisht se ekonomia kineze u rrit në përgjithësi vitin e kaluar, ndërsa vendi i bëri ballë presionit të jashtëm dhe kapërceu vështirësitë e brendshme.
Objektivat kryesore për zhvillimin ekonomiko-shoqëror u arritën dhe zhvillimi me cilësi të lartë tregoi përparim solid, shtoi Liu.
Me fokus në nxitjen e modernizimit kinez, Komiteti Kombëtar i KKPPK-së diskutoi mbi një sërë çështjesh makroekonomike e çështjesh të rëndësishme ekonomike, duke kryer një punë efektive për nxitjen e zhvillimit ekonomik, tha zëdhënësi.
“Për shembull, Komiteti Kombëtar mbajti një simpozium për të analizuar situatën makroekonomike çdo tremujor për të kryer konsultime të thella mbi çështjet ekonomike, duke përfshirë politikat monetare e të punësimit dhe duke paraqitur sugjerime për të stabilizuar pritshmëritë e tregut dhe për të rritur besimin te zhvillimi”, shtoi zëdhënësi.
Këtë vit, Komiteti Kombëtar do të vazhdojë të ndihmojë në konsolidimin e hovit të ekonomisë, do të kryejë konsultime e diskutime në forma të ndryshme për çështje të rëndësishme ekonomike dhe do të kontribuojë aktivisht në promovimin e zhvillimit me cilësi të lartë, duke krijuar konsensus nga të gjitha sferat e jetës, tha Liu.
Banorët kinezë kremtojnë Festën e Pranverës, 12 shkurt 2024(Foto:VCG)
Komiteti Kombëtar i KKPPK-së, organi më i lartë këshillimor politik i Kinës, e mbajti konferencën për shtypin një ditë përpara sesionit të vet vjetor që do të zhvillohet nga 4 deri më 10 mars.(Zhang Yan/Artan)