BSH: Ritmi i rritjes ekonomike në vend pritet të ngadalësohet lehtë këtë vit
2024-03-04 09:37:12

Inflacioni (Foto Gazeta dita)

Inflacioni (Foto Gazeta dita)

Banka e Shqipërisë parashikon se ritmi i rritjes ekonomike mund të shënojë një ngadalësim të lehtë dhe të përkohshëm gjatë këtij viti dhe t’i rikthehet potencialit gjatë viteve në vijim. Ky ngadalësim sipas analizës do të pasqyrojë dobësinë e aktivitetit ekonomik në Eurozonë, kushtet më të shtrënguara të financimit në vend dhe jashtë, si dhe mungesat në tregun e punës. Në raportin tremujor të politikës monetare thuhet se nga ana tjetër, zgjerimi i aktivitetit ekonomik do të përfitojë nga rritja e të ardhurave të disponueshme, të mbështetura nga rritja e mëtejshme e punësimit, e pagave dhe nga rënia e inflacionit, nga nivelet e larta të besimit të familjeve dhe bizneseve, nga rritja e mëtejshme e sektorit të turizmit, si dhe nga mjedisi financiar i qëndrueshëm me likuiditet të bollshëm, me prime rreziku të përmbajtura dhe me norma interesi ende stimuluese.

Sa i takon inflacionit, balanca e rreziqeve  anon në kahun rritës. Në veçanti, presionet e reja për rritje të çmimeve të naftës dhe të ushqimeve në prani të konflikteve rajonale prezantojnë rreziqe të reja për një inflacion global më të lartë, por edhe për lindjen e efekteve të raundit të dytë në formën e rritjes së pritjeve inflacioniste. Paralelisht me to, po sipas Bankës së Shqipërisë, presionet nga tregu i brendshëm i punës mund të rezultojnë më të forta dhe më të qëndrueshme, duke shtyrë për lart trajektoren e parashikuar të inflacionit.

Erald Themeli, Drejtori i Politikës Monetare  në Bankën Qendrore ndalet tek konkluzionet kryesore të raportit të publikuar, që sjell një panoramë më të plotë të ecurisë ekonomike për vitin 2023.

"Informacioni i ri që kemi marrë në analizë në këtë raport të radhës të politikës monetare ka konfirmuar pritjet tona të mëparshme mbi ecurinë e treguesve kryesorë të ekonomisë, dhe gjithashtu ka konfirmuar dhe trendet pozitive që janë vënë re gjatë vitit 2023. Për të qenë më konkret ekonomia shqiptare ka shënuar një rritje të konsiderueshme duke marrë parasysh rrethanat jo të favorshme në ambientin e huaj, sipas të dhënave të INSTAT, ritmi i rritjes ekonomike për tre tremujorët e parë të viti ishin në nivelin 3.2%, dhe ne presim që dhe 3 mujori i katërt të jetë në linjë me këto trende të vënë re në periudhën e mëparshme. Rritja ekonomike ka pasur një mbështetje të fortë nga aktiviteti turizmi i cili ka pësuar një rritje me 50%, gjatë tre tremujorëve të parë të viti.  Gjithashtu ka gjetur mbështetje edhe nga zgjerimi i konsumit dhe investimit në sektorin privat. Paralelisht me këtë në sektorin e punës kemi patur sinjale pozitive si për sa i takon rritjes së punësimit, ashtu edhe rritjes së pagave në sektorin privat. Ndërkohë që treguesit e tjerë të stabilitetit ekonomik qoftë borxhi i huaj, borxhi publik apo deficiti buxhetor apo i llogarisë koherente kanë shënuar përmirësime të konsiderueshme."- tha Themeli.

Erald Themeli (Banka e Shqiperise )

Erald Themeli (Banka e Shqiperise )

Konkluzione të kënaqshme vijnë në drejtim të inflacionit për vitin  e kaluar.


“Nga këndvështrimi i Bankës së Shqipërisë si një institucion i mandatar për të ruajtur stabilitetin e çmimeve, po ashtu kemi pasur trende pozitive, dhe duhen theksuar në drejtim të rënies së inflacionit, gjatë vitit 2023 kemi pasur thuajse një përgjysmim të inflacionit, nga fundi i vitit 2022 deri në fund të vitit 2023 në linjë me prirjet dhe komunikimet e vazhdueshme që ne kemi pasur dhe në bazës të projeksioneve, sa i takon tregjeve financiare sinjalet janë pozitive po ashtu, pavarësisht se normat e interesit kanë ardhur në rritje qoftë në reagim të vendimeve të politikës monetare të bankës së Shqipërisë, por po ashtu dhe si pasojë e rritjes së normave të interesit në tregjet e huaja, këto tregje kanë tregjet e brendshme financiare, kanë qenë relativisht të qeta dhe ajo që është më e
rëndësishme për tu theksuar është që aktiviteti kreditues ka shënuar një rritje të konsiderueshme gjatë vitit, e vlerësuar tek niveli 10.2 %, rritje e cila ka mbështetur qoftë zgjerimin e konsumit të familjeve shqiptare dhe po ashtu ka plotësuar nevojat e bizneseve për fonde, për zgjerimin e investimeve apo për mbulimin e nevojave të përkohshme me likuiditet që ato kanë."- shprehet Themeli.

Sipas Bankës së Shqipërisë, gjendja e ekonomisë shqiptare është e kënaqshme.

"Gjatë viteve të fundit kemi pasur sfida jo të pakta siç e kemi theksuar në vazhdim si tërmeti i vitit 2019, pandemia e viteve 2020-2021 dhe së fundmi dhe pasojat ekonomike të luftës në Ukrainë. Megjithatë ne kemi pasur një rritje të konsiderueshme, vëllimi i aktivitetit ekonomik në vitin 2023 ishte rreth 15% më i lartë se vëllimi i aktivitetit ekonomik se viti 2019, çka është një progres jo i vogël përsëri duke mbajtur parasysh rrethanat, ne konstatojmë që bilancet financiare të ekonomisë shqiptare, qoftë bilancet të familjeve, bizneseve apo sektorit publik janë të shëndetshme, apo kanë ardhur në përmirësim. Këto janë  shenja inkurajuese për rritjen ekonomike në të ardhmen"

Në progres janë edhe shkëmbimet tregtare.

"Vlen të theksohet diçka që ka qenë një veçanti e vitit 2023, është fakti që për herë të parë në historinë e Shqipërisë të periudhës post tranzicion, ne kemi pasur një suficit korent të shkëmbimeve korente me botën, që është një progres do thoja i qenësishëm në drejtim të përshpejtimit të rritjes ekonomike por edhe të diversifikimit të burimeve të rritjes ekonomike, pra kjo tregon që ekonomia shqiptare po gjen një mbështetje në rritje, nga zgjerimi i eksporteve, eksporteve totale dhe këtu kam parasysh kryesisht turizmin, duke plotësuar dhe burimet e brendshme të rritjes ekonomike që janë konsumi dhe investimet. Gjendja e ekonomisë mbetet e shëndetshme dhe kjo ecuri pozitive është shoqëruar pastaj edhe me një rritje të punësimit të pagave që kanë ndihmuar familjet shqiptare të përballojnë goditjen që ka ardhur nga rritja e çmimeve në vendet në botë."- tha  Themeli
Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 3.25%. Megjithatë, ai theksoi se qëndrueshmëria e presioneve të brendshme inflacioniste dhe rreziqet e kahut të sipërm mbi inflacion kërkojnë monitorim të vazhdueshëm të situatës dhe reagim në kohë nga politika monetare, për të garantuar respektimin e objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve: arritjen dhe ruajtjen e një norme inflacioni rreth nivelit 3%.

"Vendimet tona të politikës monetare udhëhiqen gjithmonë nga nevoja e respektimit të objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve i nënkuptuar si inflacion rreth nivelit 3%, dhe po ashtu informohem edhe nga pritjet që ne kemi për të ardhmen. Përditësimi i parashikimeve tona sugjeron që inflacioni do të vazhdojë të vijë në rënie gjatë vitit 2024 dhe besoj se e dhëna e inflacionit për muajin janar ishte një indikator i vërtetësisë së këtyre pritjeve, dhe po ashtu në të njëjtën kohë këshilli mbikëqyrës në analizat tona, konfirmoi që në përgjithësi kushtet monetare mbeten të përshtatshme për ti mundësuar ekonomisë shqiptare një rënie graduale të inflacionit drejt objektivit pa dëmtuar rritjen ekonomike dhe ekuilibrat e tjerë monetarë dhe financiar të vendit."


Rritja ekonomike (Foto Vizion plus)

Rritja ekonomike (Foto Vizion plus)


Themeli analizon edhe rezultatet e deritanishme të normalizimit të politikës monetare nga Banka e Shqipërisë.

"Mendoj që këto rezultate kanë qenë pozitive. Së pari dua të theksoj që ritmi i normalizimit të qëndrimit të politikës monetare që ne kemi zbatuar ka qenë mjaft i kujdesshëm. Niveli i normave të interesit në Shqipëri është rritur dukshëm më pak se niveli i normave të interesit me partnerët tanë tregtarë, përfshirë dhe eurozonën dhe ky kujdes që kemi bërë ka synuar nga njëra anë padyshim të mundësojë një kthim gradual të inflacionit në objektiv, por nga ana tjetër kemi qenë po ashtu të kujdesshëm që të mos dëmtojmë ose të mos frenojmë më shumë se c duhet aktivitetin ekonomik. Paralelisht me këto ne jemi përpjekur të harmonizojmë qëndrimin e politikës monetare me tregues të tjerë që ndikojnë në nivelin e çmimeve dhe këtu kam parasysh forcimin e ecurisë së kursit të këmbimit dhe forcimin e shpejtë që ka patur gjatë vitit, forcimi i cili na ka ndihmuar të absurbojmë presionet e huaja inflacioniste dhe po ashtu kam parasysh edhe konsolidimin fiskal që ka qenë i pranishëm gjatë vitit 2023, i cili ka ndihmuar edhe në kontrollin ekspansionit të kërkesës agregate."

Sipas Bankës së Shqipërisë, ky kujdes në normalizimin e qëndrimit të politikës monetare, ka ruajtur një ambient financiar stimulues.

"Niveli i normave të interesit ende mbetet në pozita akomoduese për zgjerimin e konsumit dhe të investimeve dhe kjo dëshmohet edhe nga ecuria e kreditimit për sektorin privat, kujtoj që portofoli i kredisë për sektorin privat shqiptar u rrit rreth nivelit 15% gjatë vitit 2023, një rritje e cila është përsëri e shpejtë dhe e ndjeshme dhe bazuar në rezultatet e deritanishme unë mendoj që kemi qenë të suksesshëm, në plotësimin e objektivave tona, pra krijimin e kushteve të përshtatshme monetare për kthimin e inflacionit në objektiv nga njëra anë dhe minimizimin e pasojave që ky normalizim mund të kishte mbi aktivitetin ekonomik në vend"- thotë Themeli

Projeksionet më të fundit të BQE-së kanë riparë për poshtë projeksionet e rritjes ekonomike dhe të inflacionit për periudhën 2024-2025. Norma e inflacionit parashikohet të mbetet mbi nivelin e shënjestruar prej 2.0% gjatë vitit 2024. Pasiguritë rreth këtyre parashikimeve janë të larta dhe lidhen me tensionin gjeopolitik, me koniunkturat e pasigurta të furnizimit me lëndë të para, si dhe me realitetin e një tregu pune më të fortë se pritjet.