Teuta Metra, një pasionante e radios dhe letërsisë
2024-03-04 11:12:49

Teuta Metra (Foto personale)

Teuta Metra (Foto personale)

Teuta Metra është gazetare dhe shkrimtare, e cila prej vitesh jeton me bashkëshortin dhe dy djemtë e saj në Roterdam të Holandës.  Teuta është sot një emër i njohur për lexuesin, një analiste e hollë dhe një patriote e flaktë. Qëkur nisi punën si gazetare në Shqipëri,Teuta  pasionin dhe dëshirën e ka vënë në shërbim të talentit për të shkruar. Teuta ka sjellë katër botime, një libër në shqip dhe tre të tjerë në anglisht. Ndërkohë që ka gati për botim librin e saj të pestë në gjuhën angleze. Aktualisht ajo punon në biblotekën e Roterdamit, ku ndjehet mjaft mirë me punën që bën, duke qenë gjithmonë mes lexuesve dhe njerëzve të letrave.

Në një intervistë për Radio Ejani Teuta Metra tregon eksperiencën e saj në gazetari, pasionin për letërsinë si dhe integrimin në Holandë.

Shkrimtarja Teuta Metra (Foto personale)

Shkrimtarja Teuta Metra (Foto personale)

CMG: Sa të ka munguar e foluara shqip e përditëshme tani që jeton jashtë Shqipërisë?

Teuta Metra: Unë flas shqip këtu me fëmijët e mi. Ata flasin shumë mirë gjuhën shqipe sepse në shtëpi flasim vetëm shqip, por më mungon një intervistë në shqip. Deri tani kam bërë vetëm intervista në anglisht, holandisht dhe në shqip kjo është intervista e parë.

CMG: Ndjehesh e lumtur që fëmijëve u ke mësuar gjuhën shqipe?

Teuta Metra: Unë jam shumë e lumtur që fëmijët e mi flasin shqip. Ata komunikojnë me prindërit e mi dhe me të afërmit e mi në Tiranë. Kjo është gjë shumë e bukur, dhe pse ata flasin shqip me theks të huaj, por prapë ka një bukuri të veçantë.

CMG: Sa nostalgji ke për kohën kur punoje si gazetare në radio në Shqipëri?

Teuta Metra: Radio më mungon shumë  dhe gjithmonë me miqtë e mi gazetarë në Shqipëri e them që radio mbetet një dashuri për mua. Pastaj jeta këtu ndryshoi, dhe nuk mund të isha më pjesë e radios, por gjithësesi ajo mbetet një kohë shumë e bukur që e kujtoj me shumë nostalgji. Përpiqem që kur vij në Shqipëri të vizitoj radion ku kam punuar, ose miqtë e mi gazetarë. Mbaj akoma kontakt me ta, sepse më mungon, është një pjesë e bukur e imja që ka mbetur në Shqipëri.

Teuta Metra me nje nga botimet e saj (Foto personale)

Teuta Metra me nje nga botimet e saj (Foto personale)

CMG: Sa i vështirë ka qenë vendimi për t’u larguar nga Shqipëria dhe integrimi në një vend të huaj?

Teuta Metra: Nuk ka qenë shumë e lehtë, për vetë faktin se në Shqipëri isha një person që punoja në radio dhe gazetë, kisha miqtë dhe familjen time atje. Në kohën që erdha në Roterdam nuk kisha më askënd, përveç bashkëshortit tim prej të cilit unë erdha këtu, pasi unë u njoha me një djalë, u dashurova me të dhe vendosa të emigroj në Holandë. Kur je e dashuruar nuk mendon shumë se çfarë do të ndodhë më pas, ose se çfarë pasaporte ke ti dhe çfarë pasaporte ka personi tjetër, apo sa e vështirë është që të jesh bashkë. Gjithësesi në kohën që unë arrita të vij në Holandë ishte shumë e vështirë, sepse nuk njihja gjuhën dhe nuk kisha asnjë shok apo shoqe. Nuk dija se çfarë të bëja dhe në një moment u ndjeva pak e humbur, por pastaj fillova të integrohem. Gjëja e parë ishte të mësoja holandishten, që më dukej një gjuhë shumë e vështirë. Kështu që dalëngadalë arrita të integrohem, të gjej vendin tim  dhe sot punoj në bibliotekën e Roterdamit. Jam shumë e lumtur sepse vazhdoj të jem mes librave.

CMG: Flasim për angazhimin tuaj në fushën e letërsisë dhe punën tuaj aktuale në bibliotekën e Roterdamit.

Teuta Metra: Punën në biblotekë e bëj me shumë pasion, sepse jam mes librave dhe mes njerëzve që duan librin. Zakonisht kur vijnë lexues në bibliotekë dhe më pyesin për një libër, nganjëherë ju them se nëse flas shumë të më ndalojnë sepse kur filloj të flas për libra nuk di të ndaloj. Ky është një pasion i madh që unë e kam  dhe këtë e quaj punë sepse shkoj me shumë dashuri në bibliotekë. Unë aq sa e doja radion, po aq e dua dhe punën në bibliotekë.

Teuta Metra gjate pune ne bibloteken e Roterdamit (Foto personale)

Teuta Metra gjate pune ne bibloteken e Roterdamit (Foto personale)

CMG: Ke sjellë për lexuesit katër botime të ndryshme, një libër në shqip dhe tre të tjerë në anglisht. Si janë pritur nga lexuesit këto botime?

Teuta Metra: Unë kam sjellë katër libra, ku tre janë në anglisht dhe libri i parë është në shqip. Libri i parë është botuar në vitin 2012, unë në atë kohë isha me një këmbë në Shqipëri dhe një këmbë në Holandë, pra nuk isha  e vendosur akoma. Doja të testoja sesi do pritet ky libër, dhe nga komentet që mora nga miq dhe njerëz që e kanë lexuar këtë libër ishin komente shumë pozitive dhe kjo më shtyu për të shkruar një libër tjerër. Libri tjetër është botuar në vitin 2016, por atëhere doja një audiencë më të madhe, prandaj libri u shkrua në anglisht. Kjo ishte ndoshta një provë për të testuar ujërat, sepse akoma nuk e dija se çfarë po bëja në anglisht. Gjithësesi komentet që mora ishin pozitive dhe ishin komente nga njerëz që unë nuk i njihja, kjo vlente shumë për mua. Kështu vazhdoi rrugëtimi, duke mësuar një proces pune sesi funksionon e gjitha kjo. Në vitin 2019 kam sjellë një libër tjetër po në anglisht, për të cilin jam krenare për punën serioze dyvjeçare. Ndërsa në mars të vitit 2023 botova librin tjetër me titull ‘On the other side” dhe  për këtë libër kam marrë shumë komente pozitive nga lexues të vendeve të ndryshme. Ky libër ka arritur deri në Australi. Egjipt, SHBA, Angli dhe Ishujt Karaibe.

CMG: Si ndjehesh që librat  e tu lexohen nga një publik i gjerë në vende të ndryshme të botës?

Teuta Metra: Kjo gjë më bën që të vazhdoj, sepse është një gjë e mirë për mua, një tregues i mirë që të vazhdoj  këtë rrugë që kam nisur.

CMG: Si e menaxhon kohën, punën e përditëshme në bibliotekë, përkujdesjen për familjen dhe të shkruarit?

Teuta Metra: Unë kam dy djem, njëri është 11 vjeç dhe tjetri 9 vjeç. Gjithësesi përpiqem që të jem e pranishme për ta në kohën që janë në shtëpi. Periudha e mëngjesit është periudha ime, që merrem me krijimtarinë time, derisa të vijë orari i djemve për të shkuar në shkollë. Përpiqem gjithmonë që krijimtarinë time ta bëj në mëngjes, dhe atyre t’ju jap kohën e duhur që kanë nevojë për mua.

Botimet e Teutes (Foto personale)

Botimet e Teutes (Foto personale)

CMG: Si i ke mbajtur lidhjet me Shqipërinë në këto vite që jeton larg saj?

Teuta Metra: Media sociale është gjë e mirë, sepse aty vazhdoj të kem kontaktet me miqtë e mi që janë akoma në Shqipëri. Përpiqem të paktën një herë në vit të vij bashkë me familjen në Shqipëri. Kështu që është një pjesë e rëndësishme e imja.

CMG: Çfarë të mungon më tepër nga vendlindja?

Teuta Metra: Më mungon shumë dielli, një kafe e mëngjesit me një shok ose një shoqe, sepse këtu është më ndryshe. Megjithëse kam filluar të mësohem pak.

CMG: Në cilën stinë të vitit do të të pëlqente të vije në Tiranë?

Teuta Metra: Unë e dua shumë pranverën dhe kjo stinë do më pëlqente.

CMG: Ku i kaloni zakonisht pushimet verore me familjen?

Teuta Metra: Ne vijmë zakonisht në Shqipëri në mars, sepse në verë është shumë vapë dhe këta janë mësuar me klimën holandeze që është disi e freskët. Periudhën e verës e kalojmë nëpër vende të tjera, ndërsa në pranverë vijmë në Shqipëri.

Teuta Metra gjate punes ne biblioteke (Foto personale).jpg

Teuta Metra gjate punes ne biblioteke (Foto personale)

CMG: Cilat kanë qenë ndjesitë e djemve tuaj kur kanë ardhur për herë të parë në Shqipëri?

Teuta Metra: Ata janë rritur gjithmonë me idenë e Shqipërisë dhe kanë adhur bebe në Shqipëri. Nuk e mbaj mend se çfarë kanë shprehur për herë të parë, sepse Shqipëria  ka qenë gjithmonë pjesë e tyre. E duan Shqipërinë, madje djali i madh në shkollë duhet të zgjidhte një vend për të prezantuar dhe kishte zgjedhur Shqipërinë bashkë me një shokun e tij holandez. Kështu që djali më kërkoi që t’i përgatisja pilaf dhe byrek, sepse përveçse do të tregonte historinë e Shqipërisë, do tregonte dhe ushqimet shqiptare.

CMG: Do preferoje më tepër punën në radio, apo atë në bibliotekë?

Teuta Metra: Radion e dua shumë, por në Holandë ajo është e pamundur. Në kohë të ndryshme dhe në vende të ndryshme janë të dyja numri një.

CMG: Ke në plan së shpejti të sjellësh ndonjë libër të ri për lexuesit?

Teuta Metra: Unë e kam gati një libër tjetër, që nuk është botuar akoma. Ky libër titullohet “The women I thought I knew”, pra është prapë në anglisht.

CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.

Teuta Metra: Uroj të kalojnë një ditë dhe javë sa më të bukur, të mbushur me sa më shumë pozitivitet dhe dashuri.

Intervistoi; Gazmend Agaj