Pse Shqipëria uli nën 60% borxhin e saj publik?
2024-03-01 17:03:33

Banka e Shqipërisë (Foto Balkanweb.com)

Ulja e borxhit publik (Foto Revista Monitor)

Në fund të vitit të kaluar, për herë të parë që nga viti 2011, borxhi publik i Shqipërisë zbriti nën nivelet e krizës së pandemisë Covid-19 dhe të vitit 2010.

Qeveria arriti të përballonte “cunamin” e çmimeve tejet të larta të energjisë elektrike në bursat evropiane dhe më gjerë në periudhën qershor-tetor 2022, pa e rritur çmimin fundor të energjisë për qytetarë, i cili u mbajt në nivelin 9.5 lekë për kilovat/orë ose 79 euro/MWh.

Borxhi publik nisi të ulej, pavarësisht nga shpenzimet e jashtëzakonshme të rindërtimit nga shkatërrimet e tërmetit të 26 nëntorit 2019, që arritën në 957 milionë euro, në harkun kohor të katër viteve 2020-2023.

Borxhi ynë publik zbriti në një nivel 59.2 përqind të prodhimit kombëtar më 31 dhjetor 2023. Këtë askush më përpara nuk mund ta kishte menduar, duke parë shkatërrimet nga tërmeti i 2019-es, bllokimin nga pandemia nga Covid-19 në vitet 2020-2021, apo çmimet tejet të larta ndërkombëtare të karburantit, energjisë elektrike dhe ushqimeve në vitet 2022-2023.

Niveli nën 60 përqind i borxhit publik, e vendos Shqipërinë ndër vendet që kanë ulur borxhin publik me ritmin më të shpejtë në rajon. Borxhi i saj u ngrit në nivelin 74 përqind të prodhimit kombëtar(GDP-së) në vitin e pamundur të Pandemisë nga Covid-19, në vitin 2020. Ai qendroi i lartë, mbi 72 përqind, në vitin e kufizimeve nga pandemia, në vitin 2021. Ekonomia shqiptare arriti ta merrte veten në dy vitet e tjera, 2022-2023, e ndihmuar nga një zhvillim i vrullshem në turizëm dhe ne ndertime.

Sipas Fondit Monetar dhe Bankës Botërore, Shqipëria ia doli të jetë një nga ekonomitë më rezistente në rajon. Kjo qëndrueshmëri dhe rezistencë e ekonomisë sonë është zemërdhënëse edhe për perspektivën afatmesme dhe afatgjatë të saj dhe për shëndetin e financave publike në vend.

Viti 2023 ka dëshmuar një ecuri të mirë të ekonomisë, punësimit, të ardhurave dhe investimeve të huaja, duke e bërë agjencinë ndërkombëtare të vlerësimit të borxhit publik dhe performancës së ekonomive në botë, “Standard and Poor’s”, që në fund të vitit të kaluar, të rishikojë perspektivën e Shqipërisë nga e qëndrueshme, në pozitive. Eriola Hoxha pedagoge në  Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës komenton uljen e borxhit publik në vend

CMG: Sipas ministrit të Financave Ervin Mete, për vitin 2023, qeveria arriti ta ulte borxhin tonë publik nën nivelin e 60 përqind të GDP-së, në 59.2%. Si e komentoni këtë shifer?

Eriola Hoxha: Janë tre vitet e fundit, në të cilat janë bërë përpjekje të vazhdueshme të qeverise shqiptare, për të mbajtur nën kontroll nivelin e borxhit publik. Mbajtja nën kontroll do të thotë që ne jemi ndihmuar për politikat fiskale.

Pra, politikat fiskale që ka ndërmarrë qeveria shqiptare në  4-vjeçarin  e fundit, kanë qenë të drejtura në mënyrë të tillë, që të ndikojnë drejtpërsëdrejti në mbajtjen në nivel dhe jo vetëm, por edhe në uljen në një trend të konsiderueshëm të borxhit të brendshëm publik.  Kjo, për faktin se duke u krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor, rezulton që Shqiperia të jetë e para, sipas shifrave zyrtare  të publikuara nga Instat, por edhe Eurostat, për mbajtjen e nivelit të borxhit publik që prej 2011 në këto nivele të kënaqshme dhe me këtë trend rënës .

Por cilët janë faktorët që kanë ndikuar, kush janë përfitimet që do të ketë ekonomia shqiptare nga një borxh i brendshëm publik në këto nivele dhe cilat janë parashikimet në lidhje me borxhin?

Ministri i Financave Ervin Mete (Foto Shqiptarja.com)

Në vitin 2024, i cili i referohet edhe rekomandimeve të fundit të ekspertëve ndërkombëtarë, kryesisht të Bankës Botërore, treguesi i nivelit të borxhit të brendshëm publik  do të jetë një tregues i fortë, një shtyllë e fortë  për performancë  pozitive të ekonomisë në një periudhë afatgjatë, pasi për periudha afatshkurtra tashmë parashikimet janë bërë publike dhe ne u jemi referuar shpesh herë gjatë bisedave tona.

Që në vitin 2025, borxhi publik do të shkojë në vlerën  59.63 përqind të PBB-së,  që tashmë është një fakt që vjen nga lehtësia e politikave fiskale. Por nuk është vetëm ky tregues, lehtësia e politikave fiskale.

Drejtpërdrejti mendohet që ka ndikuar edhe  “tranzicioni”, apo luhatjet e kursit të këmbimit valutor. Për më shumë se dy vite, gati tre, të cilat përkojnë edhe me “lulëzimin” e borxhit publik, ne kemi patur një mbiçmim të monedhës së vendit dhe nënçmim të monedhës ndërkombëtare, si euro, dollari, etj..

Këto kanë ardhur për arsye të faktorit ekonomik, por edhe të kontratave të jashtme, të cilat janë në monedhë të huaj, sidomos në euro.

Ka ndikuar edhe fakti që, ne huamarrjen jashtë tregut shqiptar e  kemi në monedhën euro. Kjo ka ndikuar në  uljen e vlerës së tregut, në nënçmimin e monedhës euro dhe në mbiçmimin e monedhës vendase, lekut. Ja përse jemi në këto nivele kaq të ulëta të borxhit publik. Kjo është për t’u vlerësuar për vendin tonë, por edhe për t’u vlerësuar gjithashtu, duke u krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor.

CMG: Në tre vitet e fundit, Shqipëria ka uljen më të shpejtë të borxhit publik nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Përse, sipas jush, kur u goditëm nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit 2019, pësuam si të gjitha vendet e tjera mbylljen e gjatë nga Pandemia nga Covid-19 në vitet 2020-2021 dhe më vonë inflacionin tejet të lartë të importuar?

Eriola Hoxha: Pikërisht këtu desha të përqëndrohesha, tek norma bazë e inflacionit.

Një tjetër mbështetje që borxhi publik të mos jetë në rritje, por të jetë në rënie, është fakti që shumë ekonomi, edhe ato më të mëdhatë në Europë por edhe në SHBA, për shkak të krizave ndërkombëtare që impaktuan edhe ekonominë shqiptare, për shkak të krizave që ju i përmendët dhe ishin me faktor të brendshëm, roli i bankës qendrore në Republikën e Shqipërisë, Bankës së Shqipërisë, duket se ka çuar drejt një norme inflacioni të qëndrueshme.

Kjo, përsëri, krahasuar edhe me vendet e Ballkanit Perendimor, vendet e Europes Perëndimore, por edhe vendet me ekonominë më të fuqishme, siç janë ato të SHBA-ve apo Kinës.

Mbajtja e një norme inflacioni në nivele të  ulta, në kohë krizash lokale, nacionale, por edhe ndërkombëtare, krahasuar me superfuqitë e mëdha ekonomike, ka ndikuar që edhe mbajtja e borxhit publik të jetë jo vetëm e përballueshme, të jetë e monitorueshme, por të jetë edhe në nivele, të cilat nuk janë ndikuar as nga inflacioni, as nga normat e larta të interesit, por janë ndihmuar edhe nga politikat e mira fiskale, që e thashë në krye të herës.

Përveç politikave fiskale, luhatjeve të kursit të këmbimit,  faktori i fundit, por jo më pak i rëndësishëm, është edhe inflacioni. Të paktën ekonomia shqiptare, me gjithë problemet që ka patur, ka arritur të sigurojë mbajtjen e inflacionit në nivele të qendrueshme.

Kjo ka bërë që ekonomia të mos shkojë drejt recensionit  Ashtu sikuse kanë shkuar shumë ekonomi të fuqishme. Apo edhe sikur e ka parashikuar edhe Banka Qendrore Europiane, apo edhe Rezerva Federale Amerikane, që shumë vende, për shkak të rritjes së fortë të normës së inflacionit, edhe sot që flasim, janë në recension.

Shqipëria, në kushtet që jemi, në nivelin  e përgjithshëm ekonomik që kemi, ka një tregues që na con drejt një performance pozitive  dhe në një periudhë afatgjatë.

Efekti tjetër i performancës pozitive të ekonomisë është që ajo që po diskutojmë sot, borxhi i brendshëm publik, i cili, kahershëm, që prej  2011 ka patur shifra tradicionalisht shumë të larta, sot ka ndryshuar.

Jemi në një nivel të menaxhueshëm, do të thoja, ku po shkojmë drejt një performance akoma dhe më pozitive. Nuk na është dashur që për nevoja huamarrje të brendshme të ekonomisë shqiptare, të dalim në tregun ndërkombëtar.  Yeld-i, apo norma e tjera bazë të interesit, të cilat kanë qenë shpesh të luhatshme, kanë ndikuar si faktorë dytësorë, si faktorë mbështetës për këtë performancë pozitive të borxhit publik.

Ekspertja Erjola Hoxha në intervistë për CMG

CMG: Ndërkohë, ministri i Financave Ervin Mete, në daljen e tij të fundit për mediat, bëri me dije edhe nivelin shumë të lartë të të ardhurave publike, në krahasim me GDP-në, pra me prodhimin kombëtar, përgjatë vitit 2023. Ai tha që e kemi në nivelin 28.2 përqind të prodhimit kombëtar. Është hera e parë që kalohet ky prag. Komenti juaj, ju lutem.

Eriola Hoxha: Së pari, rritja e të ardhurave do të thotë jo që ne nuk kemi nevojë, por  kemi nevojë më pak, që të huazojmë në tregjet ndërkombëtare.

Dhe nga këtu, mund të fillojmë të listojmë të gjithë faktorët e tjerë. Sepse, çfarë bën Buxheti i Shtetit kur nuk ka të ardhura të mjaftueshme për të përballuar shpenzimet për qytetarët?

Në këto raste, diktohet që të shkojmë drejt marrjes së borxhit në tregjet ndërkombëtare dhe rritja e të ardhurave në një nivel të kënaqshëm që ju përmendët, në 28-30 përqind, jo vetëm është faktor kryesor, por parashikohet për vitet 2025, por edhe në 2026-ën, që ato politika që kanë rezultuar të sukseshme, të vijojnë të zbatohen po njësoj.

Kjo, pasi pasi sikurse e deklaroi gjatë konferencës për shtyp edhe vetë  Ministri i Financave z. Mete, është synuar që në 4-vjeçarin e ardhshëm, pjesën më të madhe të shpenzimeve të buxhetit të shtetit ta përballojmë me të ardhurat tona dhe të dilet në tregjet ndërkombëtare në rast rreziku, apo të një skenari ose plani B, kur Shqipëria, përballë krizave të brendshme dhe të jashtme, të mos ketë aftësi paguese, për të përballuar të gjitha shpenzimet apo emergjencat  që mund të dalin  rrugës.

CMG: Fakti që e kemi ulur borxhin tonë publik, ndoshta na jep mundësinë që të marrim hua të reja, pasi kuptohet që ekonomia jonë ka nevojë të zhvillohet dhe mundësitë e brendshme ende janë të pamjaftueshme për nevojat që ka ekonomia jonë për investime. A gjykoni që ky nivel i ulët i borxhit do t’i japë mundësi qeverisë të shikojë të marrë hua të reja?   

Eriola Hoxha: Në rast nevojash, gjykoj që është më shumë e drejtë, sesa në rastin kur duhet një mirëmenaxhim dhe ndarje e drejtë dhe e duhur e të ardhurave.

Jo vetëm ndarje, pasi ndarja fillon që  nga vjelja e të ardhurave, kur dhe si. Në rast se do të vijohet me një politikë fiskale dhe me të ardhura të vjela,  psh., gjatë viteve 2024, 2025 dhe 2026, atëhere është parashikuar që trendi i tyre rritës të plotësohet sipas parashikimeve të bëra.

Unë  sigurisht do të zgjidhja më shumë planet e parashikuara, të cilat janë në letër dhe na çojnë drejt një ekonomie të qendrueshme. Në rastin e situatave të paparashikuara, janë vendime të shpejta ato, që na detyrojnë të dalim në huamarrje ndërkombëtare. 

Huamarrjet ndërkombëtare patjetër që janë të rëndësishme dhe, në një  formë apo tjetër, e kanë mbajtur të gjallë ekonominë shqiptare.

Mirëpo, nga ana tjetër, është edhe një tregues i Buxhetit të Shtetit, që në rast se ky nivel është i lartë, kjo do të thotë që, qoftë tek investimet, qoftë tek vjelja e të ardhurave apo të tjera reforma që ka ndërmarrë qeveria shqiptare, ato nuk janë mirëadministruar.

Që t’i kemi të gjithë treguesit me performancë maksimale, unë gjykoj se gjërat duhet të bëhen të planifikuara, me plane më të mëdha ose të barabarta, pra në nivel afatmesëm dhe afatgjatë.

Nuk gjykoj se do të ishte zgjidhje rendja vetëm pas planeve afatshkurtra të nevojave imediate, të cilat të çojnë drejt një borxhi, që të duket se gjen zgjidhje për momentin, por pastaj nevojiten një sërë politikash njëra pas tjetrës, që të jenë në koherencë me këtë të fundit, për ta mbajtur borxhin të qendrueshëm.

Intervistoi Fatos Çoçoli