Studenti i mjekësisë nga Zimbabve vlerëson eksperiencën e përfituar në Kinë
2024-03-01 09:55:41

Tawanda Mupini, një 26-vjeçar nga Zimbabve, ka jetuar në Kinë që nga viti 2016. Ai ndoqi një diplomë bachelor në mjekësi në Universitetin Fudan dhe tani po kryen praktikën mjekësore në Spitalin Zhongshan.

Ai thotë se gjithmonë ka dashur të bëhej mjek. Kur ishte i vogël, ndjente kënaqësi kur ushqente kafshët e sëmura të fermës për të rikthyer shëndetin, i shtyrë jo nga detyra, por nga një dëshirë e vërtetë për të ndihmuar ata në nevojë.

Ai kujton se i ati i pati thënë se dhurata më e madhe që mund t'i ofrosh dikujt është dashuria, e cila demonstrohet përmes ndjeshmërisë, durimit dhe kujdesit.

“Kur nisa udhëtimin tim mjekësor në Universitetin Fudan në Shangai, në Kinë, këto u bënë parimet që i vendosa vetes. Qëllimi im ishte i qartë, të bëhesha një mjek që jo vetëm shëron trupin, por edhe lehtëson barrat e mendjes”,- thotë Mupini.

Pas përfundimit të studimeve në Fudan në pranverën e vitit 2023, ai nisi praktikën në Spitalin Zhongshan, ku shërbeu në pavijone të ndryshme, ku mori njohuri unike në artin e mjekësisë në secilin prej tyre.

foto: ChinaDaily

foto: ChinaDaily

Megjithatë, vetëm gjatë kohës në pavijonin e ortopedisë takoi mentorin e tij, qasja e të cilit ndaj kujdesit ndaj pacientit la gjurmë të pashlyeshme tek ai.

“Herën e parë që takova mjekun tim mbikëqyrës, ai më çoi në zyrën e tij ambulatore ku e vëzhgova teksa fliste me pacientët. Ai i dëgjoi me vëmendje, duke tundur kokën me mirëkuptim dhe duke siguruar një heshtje respektuese për pacientët që të shpreheshin. Teksa u larguan nga zyra e tij, mirënjohja dhe buzëqeshjet e shprehura nga pacientët më bënë të kuptoja menjëherë se ai është lloji i mjekut që unë aspiroj të bëhem një ditë”,- thotë mjeku i ri.

Ai kujton se megjithëse mentori i tij priste shumë pacientë çdo ditë, ai tregonte një përkushtim të palëkundur për të kuptuar dhe adresuar nevojat e atyre nën kujdesin e tij. Ai e bëri të kuptonte se një nga punët më të mëdha si mjekë është që t'i bëjnë pacientët të ndihen të dëgjuar dhe të respektuar dhe të dinë se mirëqenia e tyre është prioriteti më i madh i mjekut.

“Çdo ditë e praktikës sime sjell momente të papritura, secila me potencialin për të formësuar thellësisht jetën time. Një moment i tillë ndodhi gjatë vizitave rutinë në mëngjes në spital me mentorin tim. Ne takuam një pacient të moshuar nga provinca Anhui, që vuante nga një frakturë komplekse e këmbës. Dukej qartë se ai kishte dhembje të konsiderueshme, ndonëse u përpoq ta fshihte për hir të vajzës së tij, e cila ishte e pranishme. Përgjigjja e mentorit tim ishte klinike dhe e dhembshur. Ndonëse i duhej të siguronte menaxhimin efektiv të dhembjes së pacientit sa më shpejt të ishte e mundur, ai përsëri e ekzaminoi këmbën me butësi, duke marrë kohën e nevojshme dhe duke mos nxituar. Ai gjithashtu kujdesej mjaftueshëm për t'i dhënë siguri dhe ngushëllim vajzës së pacientit, duke kuptuar se të shihte të atin në dhembje të padurueshme ishte shqetësuese për të. Kjo përvojë më ka lënë një përshtypje të thellë dhe ka përforcuar besimin tim në rëndësinë e trajtimit të pacientëve jo vetëm me ekspertizë mjekësore, por edhe me dashamirësi dhe dhembshuri”,- tregon mjeku i ri.

Ai kujtoj se fillimisht e vizitoi Kinën me një vizion specifik të llojit të mjekut që aspironte të bëhej. Gjatë stazhit, ai shpresonte të ishte në gjendje të ndiqte dhe vëzhgonte mjekë të aftë dhe të sjellshëm, si mentori i tij, dhe kjo për të ishte një privilegj.

“Ai më lejoi të dëshmoja si punën e tyre të jashtëzakonshme, ashtu edhe ndjeshmërinë e tyre të vërtetë ndaj pacientëve dhe familjeve të tyre”,- thotë Mupini.

Pas përfundimit të stazhit në ortopedi, ai i aplikoi njohuritë dhe aftësitë e fituara në pavijone të ndryshme. Megjithë rrjedhshmërinë e kufizuar në gjuhën kineze, ai mori iniciativën për t'u përfshirë në biseda me pacientët ndërsa kujdesej për plagët e tyre, ose monitoronte nivelin e sheqerit dhe presionin e gjakut.

“Ky gjest i thjeshtë u solli atyre gëzim dhe shprehje të përzemërta mirënjohjeje, duke më lënë thellësisht të kënaqur. Unë gjithashtu kam bërë përpjekje për t'u lidhur me familjet e tyre, duke ofruar mbështetje sa më shumë që mundesha”,- tregon Mupini.

Ai kujton me përzemërsi një takim në pavijonin e kardiologjisë. Një paciente 95-vjeçare ndau me të historinë e jetës së saj, ndërsa ai i bënte EKG-në. Lidhja mes tyre u shtua edhe më shumë nga bisedat e njëpasnjëshme, aq sa ai e vizitonte atë rregullisht edhe gjatë turneve të natës.

“Pavarësisht se kishte katër fëmijë, ajo ishte krenare për energjinë e saj në moshën 95-vjeçare, duke ndarë gëzimin e të qenit gjallë si kurrë më parë. Madje, ajo më mësoi pak nga dialekti i Shangait, të cilën e mësova me kënaqësi. Kur doli nga spitali, ajo më përshëndeti përzemërsisht dhe më shprehu mirënjohjen e saj, gjë që më bëri me të vërtetë të lumtur dhe më la mbresa”,- kujton mjeku i ri.

Ai thotë se i vlerëson mundësitë që i ka ofruar Kina për të vëzhguar praktikën mjekësore shembullore dhe për të mësuar nga mjekë të dhembshur dhe të aftë. Udhëzimet e tyre i kanë përforcuar atij vlerat e rrënjosura nga babai im, ndjeshmërinë, durimin dhe kujdesin, dhe i dha formë rrugëtimit të tij si një mjek i ardhshëm.