Foto nga CFP
Kampionati Botëror i Atletikës 2027 do të risjellë atletët më të mirë në Pekin, 12 vjet pasi kryeqyteti kinez zhvilloi në mënyrë mbresëlënëse këtë veprimtari prestigjioze. Vendimi i rëndësishëm u mor gjatë takimit të 234-t të Këshillit Botëror të Atletikës të mërkurën mbrëma, pas tërheqjes së ofertës së Italisë për të zhvilluar turneun në Romë.
"Urime Pekinit për kandidaturën e tij të suksesshme për të organizuar Kampionatin Botëror të Atletikës më 2027, 12 vjet pasi atletët tanë ndezën Stadiumin Kombëtar në edicionin e 15-të të veprimtarisë sonë globale," tha në një deklaratë kreu i Federatës Botërore të Atletikës Sebastian Coe.
"Me një popullsi prej më shumë se 1.4 miliard banorësh, Kina është një ndër tregjet më të mëdha sportive në botë. Ajo kryesoi konsumin e transmetimeve të Ligës së Diamantit 'Wanda' më 2023 me një publik prej 368.9 milionë vetash. Kjo përbën një mundësi masive për të rritur bazën tonë sportive dhe të sportdashësve në një nga tregjet më të mëdha në botë," u shpreh ai.
Më tej kreu i organit drejtues botëror të atletikës theksoi: "Me njoftimin e Kinës si vendi ynë i ardhshëm mikpritës, katër kampionatet tona të fundit të atletikës botërore u janë ngarkuar tani katër ekonomive më të mëdha të botës: ShBA (Oregon), BE (Budapest), Japoni (Tokio) dhe Kinë (Pekin)."