Kryeministri kinez: Kina dhe ShBA-ja kanë përplotësim ekonomik dhe ndërthurje interesash
2024-02-29 15:11:43


Kryeministri kinez Li Qiang tha  të mërkurën që ekonomitë e Kinës e të ShBA-së kanë plotësueshmëri të lartë dhe interesat e dy palëve janë të integruara në mënyrë të thellë.


Të dyja palët kanë përfituar prej zhvillimit të njëra-tjetrës dhe shtimi i bashkëpunimit ekonomik e tregtar është në të mirë të të dy vendeve, vuri në dukje Li Qiang gjatë një takimi në Pekin me delegacionin e Dhomës së Tregtisë të ShBA-së, të drejtuar nga kryetarja dhe kryeekzekutivja e kësaj dhome Suzanne Clark.


Kreu i qeverisë kineze u shpreh që të dy vendet duhet të jenë partnere dhe jo rivale, duke nënvizuar që as “shkëputja” dhe as “oborret e vogla me mure të larta” nuk janë në interesat thelbësorë të asnjërës nga të dy palët dhe do të sjellin vetëm humbje të mëdha për ndërmarrjet e të dy vendeve, si edhe për ekonominë dhe zhvillimin e botës.


Sivjet është 45-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kinës dhe ShBA-së. Li tha që 45 vjetët e kaluar kanë vërtetuar vazhdimisht që Kina dhe ShBA-ja kanë pasur përfitime nga bashkëpunimi dhe humbje nga konfrontimi. Bashkëpunimi është zgjedhja e vetme e drejtë, vuri në dukje numri një i qeverisë kineze.


Ai vijoi më tej që, në bazë të respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit me përfitimime të përbashkëta, Kina është e gatshme që të bashkëpunojë me ShBA-në për zbatimin e konsensusit të rëndësishëm ndërmjet  të dy kryetarëve të shtetit për të nxitur zhvillimin e mbarë dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve dypalëshe.


Li  u shpreh gjithashtu që Kina po ndjek rrugën e modernizimit të stilit kinez nëpërmjet zhvillimit me cilësi të lartë dhe do të vazhdojë të çlirojë kërkesën kolosale në prodhimin e përparuar, urbanizimin e stilit të ri, përmirësimin e strukturës së konsumit dhe transformimin e gjelbër e me karbon të ulët.


Ai theksoi që kompanitë amerikane janë të mirëpritura të vazhdojnë investimet në Kinë dhe të thellojnë praninë e tyre në tregun kinez, për të ndarë bashkë mundësitë e zhvillimit.


Li tha që Kina do t'i hapë më shumë dyert e saj ndaj botës së jashtme, do të vazhdojë të ofrojë një mjedis biznesi të orientuar nga tregu, të bazuar në ligj e të ndërkombëtarizuar dhe do të ofrojë më shumë mbështetje e lehtësi për kompanitë amerikane dhe firmat nga vendet e tjera të botës që të bëjnë investime dhe biznes në Kinë.


Ai shprehu gjithashtu shpresën që Dhoma e Tregtisë e ShBA-së dhe ndërmarrjet anëtare të saj të vazhdojnë të luajnë rolin e urës për shtimin e komunikimit dhe mirëkuptimit ndërmjet të dy vendeve.

Nga ana e saj, Clark tha që marrëdhëniet ShBA-Kinë kanë rëndësi të jashtëzakonshme. Sipas saj, shkëputja ndërmjet të dy vendeve nuk është një opsion i mirë, teksa hapja e mëtejshme e Kinës është e mirëpritur.


“Dhoma e Tregtisë e ShBA-së është e gatshme të shërbejë si një urë, të zhvillojë komunikim e shkëmbime të sinqerta dhe konstruktive me palën kineze, të bëjë përpjekje të thellojë lidhjet ekonomike e tregtare dhe bashkëpunimin me përfitime të ndërsjella ndërmjet ShBA-së e Kinës dhe të nxitë zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve ShBA-Kinë,” u shpreh Clark. (Jiang Lei)