Artistët në operan Goca e Kaçanikut (Foto nga facebook)
"Goca e Kaçanikut", Opera e parë e Kosovës me kompozitor Rauf Dhomin u vu në skenë në Prishtinë nga 23-25 shkurt . Opera erdhi me regji të Nikolin Gurakuqit, “Mjeshtër i Madh” i Shqipërisë. Premiera e operës “Goca e Kaçanikut”, u vu në skenë në Tiranë në vitin 1979, por në premierën e saj në Prishtinë kjo vepër ka bashkuar artistët e Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë Nën dirigjimin e Edon Ramadanit, si edhe interpretimin e solistëve nga të trija vendet dhe orkestra dhe kori i Operës së Kosovës, publiku ndoqi tingujt e krijuar mbi motivet e novelës së Milto Sotir Gurrës me të njëjtin emër, e shkruar 53 vjet më parë.
Kjo opera ka një kast të shkëlqyer këngëtarësh lirikë, orkestrantësh e balerinësh shqiptarë. “Goca e Kaçanikut” është produksion i Operës së Kosovës, në bashkëpunim me Baletin Kombëtar të Kosovës. Në rolet kryesore interpretuan sopranoja Adelina Paloja, tenori Ismet Vejseli, të cilët sollën në jetë Pafikën dhe Trimorin, ndërsa bas-baritoni Hektor Leka dhe Besiana Mehmedi kanë portretizuar plakun dhe plakën.
Për vënien në skenë të operas “Goca e Kaçanikut” flet për Radio Ejani asistente regjisore Elikona Hysaj Shala.
Regjisori NIkolin Gurakuqi dhe Elikona Hysaj Shala (Foto personale)
CMG: Elikona, cilat janë impresionet e tua për këtë opera historike dhe bashkëpunimi me regjizorin “Mjeshtrin e Madh” Nikolin Gurakuqi?
Elikona Hysaj Shala: Të jesh pjesë e një projekti kaq të madh, me një përgjegjësi kaq të madhe që e kërkon skena, si dhe të jesh në krah me regjisorin e madh Nikolin Gurakuqi, me të vërtetë që është një ndjesi e jashtëzakonshme, po ashtu edhe përgjegjësi e madhe. Kjo shfaqje ktheu vëmendjen e madhe të publikut, duke u vënë në skenë pas 53 vitesh.
Me shumë të drejtë kjo mund të cilësohet si shfaqje historike dhe kjo gjë më bën të ndjehem edhe më e privilegjuar që kisha fatin të isha pjesë e këtij projekti kaq madhor. Një përvojë e jashtëzakonshme, sepse profesor Nikolinin e kam patur edhe profesorin tim në Universitetin e Arteve në Tiranë, gjatë studimeve të mia në degën e kantos. Pas atyre studimeve, mora edhe regjinë e teatrit për master, një kombinim i jashtëzakonshëm në aspektin regjizorial të një shfaqjeje që sido që të jetë, ka një periudë kohore kur është realizuar, kur është shkruar, deri në ditët e sotme, kur ka ndryshuar gjithçka në historinë tonë. E pas gjithë këtyre ndryshimeve, duhet të ishte patjetër një regjisor i kalibrit të tillë si profesor Nikolin Gurakuqi, i cili e njeh shumë mirë gjithë historinë e të gjitha zonave, dhe e ka shumë të lehtë që ta vendosë atë histori në një format operistik të ditëve të sotme. Ndjehem me fat që kam patur mundësinë të marr leksione të panumërta afër profesorit. E them me një dëshirë shumë të madhe se do të jem përsëri e gatshme që të bëhem pjesë edhe e shfaqjeve të tjera kur të realizojë Opera e Kosovës.
Momente provash për operan Goca e Kaçanikut (Foto nga personale)
Nga vetë ajo audiencë e madhe përgjatë 3 netëve, duke marrë parasysh edhe provat gjenerale, që ishte plot me spektatorë, e shohim se audienca ka qenë shumë e uritur për shfaqje operistike, gjë që i ka munguar shumë Kosovës. Ëndrrat e mia dhe të shumë kolegëve të mi tashmë po bëhen realitet me vënien në skenë të operave. Edhe pse është shumë e vështirë, për shkak të mungesës së infrastukturës, gjë që ndikon negativisht, për të rritur cilësinë e Operas në Kosovë, dëshira jonë e madhe dhe ambiciet tona, nuk kanë për t’u ndalur, pasi do realizojmë më të mirën për audiencën tonë, ku përherë po e shohim se është besnike dhe kërkon me ngulm të shohë shfaqje të tilla.
Ky rikthim është konsideruar historik dhe emocionues. Vjen në skenë pas 53 vitesh një opera tërësisht shqiptare. Hektor Leka ka një lidhje dhe kujtim të bukur familjar me këtë opera, pasi nëna e tij, Rozmari Jorganxhi ka qenë dirigjente e korit në vitin 1979, kur kjo opera është vënë në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë.
Bas Baritoni Hektor Leka dhe artistët në operan Goca e Kaçanikut (Foto nga facebook)
Artisti Hektor Leka është shprehur për mediat pas operas; “Për mua është një emocion mjaft i veçantë pasi vij për herë të parë në Kosovë për këtë produksion kaq të rëndësishëm shqipfolës, ku marrin pjesë artistë nga të gjitha trevat shqiptare. Kjo eksperiencë ka qenë povizitive dhe shpresoj që të përsëritet sa më shpejt. Erdha i përgatitur nga ana muzikore, bëra gjithçka ishte e mundur, sipas gjithë indikacioneve që më dha regjisori Nikolin Gurakuqi dhe dirigjenti Edon Ramadani. Për mua ishte e rëndësishme pasi, kur ka qenë premiera e parë e kësaj opere në Tiranë në vitin 1979, mamaja ime ishte Mjeshtre e Korit, dhe këtë herë këtu në Kosovë unë jam protagonist i kësaj opere, që për mua është dyfish sadisfaksion”
Kur vepra “Goca e Kaçanikut” është vënë në skenë në Tiranë në vitin 1979 , regjisori Gurakuqi në atë kohë sapo kishte mbaruar shkollën, kur i ofruan të merrte pjesë si figurant në opera.
Artistët e operas Goca e Kaçanikut (Foto personale)
Ndërsa sot kur opera mori sërish jetë në vitin 2024 një kontribut të rëndësishëm në këtë opera ka dhënë edhe dirigjenti Maestro Edon Ramadani, i cili ka bërë një punë të madhe jo vetëm me orkestrën, por edhe me korin, solistët, si dhe editimin e partiturës dhe parteve së bashku me Arbnor Gashi, duke e bërë gati për një ribotim të ri. Dirigjente e korit ishte Lirjona Sylejmani, me interpretim të orkestrës dhe korit të Operas së Kosovës, me ndihmën e instrumentistëve nga Filharmonia e Kosovës dhe nga Shqipëria. Skenografia u realizua nga Mentor Berisha bashkë me asistenten Jerina Hysaj, kostumografe Vesa Kraja, me pjesëmarrjen e Baletit Kombëtar të Kosovës, me koreografinë e Sead Vuniqit. Solistët që interpretuan në këtë opera janë; Adelina Paloja, Ismet Vejseli, Hektor Leka, Besiana Qani Mehmedi, Teuta Kurti, Harris Bajraktari, Hekuran Bllaca, Rizah Jahaj, Denik Prizreni, Etrit Nura. Mbi 100 artistë në skenë përçuan fuqishëm triumfet, duke u duartrokitur mbi 20 minuta, nga spektatorët që e ndoqën nga afër këtë ngjarje të rrallë. Opera “Goca e Kaçanikut” do të rikthehet me shfaqje të tjera në pjesën e dytë të vitit 2024.
Intervistoi: Sava Lena