Filmi mbi rrugën e grave drejt pavarësisë ka forcë tërheqëse globale
2024-02-29 22:08:53

Aktorja Jia Ling shfaq ndryshimin e saj në një aktivitet të posaçëm në Pekin për "YOLO",  që ishte takimi i saj i parë me publikun pas mungesës për një vit, më 12 shkurt 2024. / Foto nga "Table Film"

Jia Ling, e rraskapitur, hëngri pesë çokollata, kur u ul të vetme pranë krevatit, pas përfundimit të xhirimit të filmit të saj të fundit "YOLO" atë ditë. "Duke kujtuar atë çast, u ndjeva për mrekulli, si një ushtar tepër i lodhur që merr trofe," tha ajo.

Deri në atë kohë, ajo kishte rënë në peshë në një shifër të pabesueshme prej 50 kilogramësh dhe pamja e saj kishte ndryshuar. U zhduk komediania e dikurshme buçko dhe simpatike Jia Ling, që u zëvendësua nga një luftëtare gjakftohtë, muskulore dhe provokuese.

Shikuesit u habitën nga pamja e saj në Vitin e Ri Kinez, që këtë vit ra më 10 shkurt, kur u shfaq premiera e filmit "YOLO". Diskutimet për stërvitjen e saj shumë intensive për uljen e peshës dhe për guximin dhe vendosmërinë e saj janë bërë tema të nxehta në mbarë Kinën dhe kanë nxitur rritjen e të ardhurave nga biletat e kinemave.

"YOLO", shkurtimi i shprehjes "You only live once" (Jeton vetëm një herë), është tema që Jia Ling synon të shprehë në filmin e saj të fundit, ku rrëfehet historia e një gruaje shumë të shëndoshë dhe të dëshpëruar, e cila izolohet nga shoqëria. Megjithatë, pas një takimi me një trajner boksi dhe marrjes me këtë sport, asaj iu ringjall pasioni dhe ajo gjeti rrugën e jetës së vet. Filmi u xhirua në pesë faza. Në fillim Jia Ling duhej të shtonte 20 kilogramë për rolin e saj e deri në fazën e fundit, ajo ra ndjeshëm në peshë dhe u bë muskulore. Kjo metodë imiton praktikat e disa yjeve të "Hollivudit", si Christian Bale etj., por përpjekjet e Jia-së janë mahnitëse dhe në një nivel më ekstrem.

Foto: Dy postera të filmit "YOLO" tregojnë pamjen e Jia Ling-ut, një mbi peshë në të majtë dhe një muskulore djathtas. / Foto nga "Big Bowl Entertainment"

Por thelbi i këtij filmi e kapërcen transformimin fizik. "Filmi nuk është për uljen e peshës, as për boksin. Ky është një film që rrëfen historinë si një njeri gjen vetveten dhe mëson si ta dashurojë veten," tha Jia.

Më 12 shkurt, Jia zhvilloi një takim me shikuesit në një aktivitet të posaçëm në Pekin, gjatë pushimeve të Festës së Pranverës. Ajo u emocionua kur u ngjit në skenë dhe pohoi se ishte pak nervoze kur pa adhuruesit e vet, që e kanë mbështetur gjithmonë.

Jia bëri të ditur duke qeshur se stërvitja e saj e rreptë për të rënë në peshë nuk synon t'i shërbejë publikut si një udhëzues, sepse ajo u detyrua të kalitej gjashtë deri tetë orë çdo ditë gjatë asaj periudhe. Aktorja theksoi se dobësimi është një pjesë shumë e vogël e tërë filmit dhe se ajo synon t'ua dhurojë filmin shikuesve, jo vetes, ashtu siç hamendësuan disa njerëz.

"Filmi nuk është mbi ndryshimin e pamjes së Jia Ling-ut. Ai ka të bëjë me transformimin e një gruaje nga një personalitet i dobët, zemërmirë dhe i pëlqyeshëm në një person që zbulon veten, kënaqet me veten dhe kontrollon jetën e vet," tha aktorja.

foto nga CFP

Posteri i filmit "YOLO" / foto nga CFP

E njëjta gjë ndodhi jo vetëm me personazhin, por edhe me aktoren vetë.

"YOLO" pritet të kopjojë suksesin fenomenal të veprës debutuese të Jia Ling-ut si regjisore, "Përshëndetje, mami", që fitoi të ardhura mahnitëse prej 5.41 miliardë juanë (760 milionë dollarë amerikanë) nga biletat e kinemave, pas shfaqjes së tij gjatë pushimeve të Festës së Pranverës të vitit 2023, duke u radhitur në vendin e tretë ndër filmat kinezë për të ardhurat nga biletat e kinemave.

Ndikimi i Jia-së ka tërhequr dhe vëmendje ndërkombëtare. Kompania "Sony Pictures Entertainment" shpalli më 10 shkurt, po në ditën e debutimit të "YOLO"-s, se ka marrë të drejtat e shpërndarjes ndërkombëtare të këtij filmi.

Hou Xiaonan, producenti i "YOLO"-s, tha se rrëfimi bindës ka fuqinë e kapërcimit të kufijve.

Thelbi i "YOLO"-s mban një mesazh universal, ai nxit dashurinë ndaj vetes dhe vërtetësinë, çka krijon bazën që filmi të kapërcejë hendekun kulturor dhe të tërheqë shikuesit globalë, shtoi Hou.

Gjithashtu, "Sony" shpalli kohët e fundit se është në proces e sipër të blerjes së të drejtave të rixhirimit të filmit "Përshëndetje, mami" dhe Jia Ling do të shërbejë si producente ekzekutive. Versioni origjinal kinez i "Përshëndetje, mami" ishte filmi me të ardhurat më të larta nga biletat e kinemave në botë i një regjisoreje femër, derisa u kalua nga filmi "Barbie" vitin e kaluar. (Wang Lei/ Artan)