Rikthimi i emigrantëve në Shqipëri për të investuar
2024-02-29 11:11:48

Dërgesat e emigrantëve shqiptarë (Foto Scan tv)

Dërgesat e emigrantëve shqiptarë (Foto Scan tv)

Të dhënat e Barometrit të Ballkanit të publikuara nga “Këshilli për Bashkëpunim Rajonal” në anketën e opinionit të bisnesit, tregojnë se në vitin 2023 është rritur numri i sipërmarrësve në Shqipëri, që kanë jetuar dhe punuar jashtë vendit. Sipas të dhënave të anketës, në vitin 2023, rreth 26% prej tyre janë shprehur se kanë punuar dhe jetuar jashtë vendit, nga 21% që ishte kjo shifër në vitin 2022.

Në një intervistë për mediat ekspertja e ekonomisë Romina Radonshiqi tha se shifrat flasin për tendencë pozitive, që tregon rikthimin e emigrantëve për të investuar në Shqipëri. Një nxitje në këtë drejtim sipas saj kanë dhënë edhe ndihmat me fonde nga shteti shqiptar. Tashmë edhe shumë bashki kanë bërë thirrje për kthimin e emigrantëve, duke i joshur me lehtësira.

“Në fakt është një lajm i mirë, pasi ka vite që ka rritje, që po praktikohet. Emigrantët kanë kuptuar që të investosh në Shqipëri është një gjë e mirë, sidomos në disa sektorë, që shikohen si sektorë strategjikë, sidomos në bujqësi dhe turizëm. Shohim dhe shtetin që ka dhënë shumë ndihma të fondeve të IPARD që për momentin janë pezulluar, por që kanë luajtur një rol tepër të rëndësishëm, por dhe me grante  të dhëna nga Ministria e Bujqësisë. Gjithashtu shumë bashki kanë stimuluar si rasti i Bashkisë Kukës që i ka bërë thirrje emigrantëve se nëse kthehen në Shqipëri për të investuar do të kenë lehtësira fiskale, dhe kjo është një mënyrë shumë e mirë për të investuar paratë e tyre. Të investosh do të thotë të marrë risk përsipër dhe çështja është sa risk mund të marrin këta emigrantë kur kthehen dhe të investojnë kapitalet e tyre”

Në intervistën për Tv Scan, ekspertja e vlerëson nismën e emigrantëve për të ardhur në atdhe dhe për të investuar në sektorë të rëndësishëm. Madje hapin vende pune jo vetëm për të afërmit, por edhe më gjerë.

Romina Radonshiqi (Foto Albspirit)

Romina Radonshiqi (Foto Albspirit)

“ Në fakt risku nuk është aq i madh për shkak se dhe kthimi nga investimi i tyre në këto fusha, në këto sektorë, si në sektorin e bujqësisë dhe të turizmit kthimi është më i shpejtë dhe deri diku i sigurt, sepse ka treg. Nëse flasim për turizmin shohim se shumë emigrantë kanë blerë dhe pasuri të patundshme dhe i kanë futur këto apartamente në booking ARNB  dhe shohim që kemi një tendencë në rritje. Shpesh herë emigrantët për këto fitime që marrin nuk kanë nevoja as të sjellin remitanca tek familjarët e tyre, mund të marrin një pjesë të fitimeve, por të punësojnë familjarët e tyre që edhe ata të ndihen të dobishëm  dhe të kenë një jetë më të mirë. Emigrantët kanë tendencë për të punësuar pjesëtarë dhe nga familja, me qëllim që dhe të ardhurat të rrinë deri diku brenda familjes. Flasim për familjet e vogla. Kemi dhe emigrantë që kanë investuar dhe në hoteleri dhe ky është një element shumë pozitiv pasi ne na mungon turizmi elitar apo një turizëm, i cili të jetë sipas standardeve evropiane. Në momentin që një emigrant vjen dhe investon, ai sjell dijen, një eksperiencë të vendeve të BE-së dhe patjetër di si të trajtohen turistët apo klientët pasi turisti është një klient. Kjo bëhet me qëllim që turistët të jenë të kënaqur me shërbimin që marrin në Shqipëri.”- tha Radonshiqi.

Për ekspertët kryesorja që po i shtyn emigrantët të kthehen në Shqipëri, janë lehtësitë fiskale. Vendi ynë është gjithnjë e më shumë në zhvillim, kjo duket edhe në kërkesat në rritje të turistëve.

“Lehtësitë për të investuar në Shqipëri është e para, pasi po shohim që po zhvillohet shumë turizmi, pra të blesh disa apartamente ku në një farë mënyrë dhe çmimi është rritur. Të blesh disa apartamente në jug, apo në disa atraksione turistike të ndërtosh bujtina sot është një element shumë i mirë për të fituar para shpejt. Shohim që Shqipëria sidomos në 2023 dhe prandaj kemi një rritje rreth  5% në 2023, është një vend që është vizituar shumë nga turistët e huaj dhe falë marketingut që ka bërë sektori privat por dhe qeveria shqiptare për atraksionet  turistike, duke u kthyer në një destinacion”

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Tendenca pozitive në kërkesat e larta në turizëm, si dhe në rikthimin e emigrantëve në Shqipëri, pritet të zgjasë edhe në vijim.

“Se sa do vijojë kjo dhe sa do të ruajë Shqipëria këtë pozicion konkurrues që ka mbetet për t’u parë në 2024, megjithatë nga tendenca po shohim që jo vetëm emigrantët, por dhe investitorët shqiptarë brenda Shqipërisë po e shohin si një element shumë pozitiv investimin në këtë sektor. Madje ka shumë të rinj të cilët janë të papunë, por me një plan biznesi kanë vendosur të marrin disa apartamente me qira, aty ku ka atraksione turistike dhe ta konsiderojnë si një biznes të ri, me qëllim që të fitojnë para dhe të zhvillojnë biznesin e tyre dhe fushën e turizmit.”, tha ekspertja