Adelina Perleka me veshje tradicionale(Facebook)
Artizania nga Mirdita Adelina Perleka ka 30 vite që merret me punimet me dorë. Punimet artizanale Adelina i ka të trashëguara nga familja, por riciklimin ja kanë ushqyer që në vegjëli gjyshja dhe tezja, që asnjë pëllëmbë copë nuk duhet hedhur. Puna me dorë i është kthyer Adelinës në pasion, jo vetëm për të krijuar veshje duke ricikluar, por dhe për tu dhënë një mesazh të qartë të gjitha grave dhe vajzave, që mund të vishen me kosto fare të ulët. Gjithashtu Adelina ka 10 vite që merr pjesë në panaire të artizanatit nga veriu në jug të vendit. Ajo është vlerësuar dhe me certifikata për ruajtjen e traditës së artizanatit shqiptar në punimet e dorës, dhe përcjelljen e këtyre vlerave me mjeshtëri të lartë artistike. Në një intervistë për Radio Ejani Adelina Perleka tregon për rrugëtimin e saj si artizane, punimet që realizon me dorë dhe pjesëmarrjen në panire.
CMG: Si lindi pasioni për punimet me dorë dhe artizanatin në përgjithësi?
Adelina Perleka: Pasioni për punimet me dorë ka nisur qëkur isha fëmijë sepse në familjen time të gjithë bënin punime me dorë, duke filluar nga gjyshja dhe mamaja. Mami im ka punuar perdet me grep, pra ishte një pasion në familjen time. Ndërkohë që ambicja ime si fëmijë e vogël filloi duke parë ata që punonin, ku më lindi dëshira të bëja dhe unë. Në moshën pesë vjeçare nusja e xhaxhait më dha një copë, dhe unë kam punuar një zog për herë të parë me kryq në moshën 5-6 vjeçare. Pastaj në moshën 9 vjeçare kam punuar trikon e parë për vëllain tim që lindi atë vit, dhe kështu fillova duke e rregulluar dorën më mirë në vazhdim. Ka 30 vite që realizoj punime me dorë për Shqipërinë dhe tregun ndërkombëtar.
CMG: Këtë zanat e ke trashëguar nga familjarët tuaj, që e vazhdon dhe sot?
Adelina Perleka: Tezja ime i ka pasur duart e arta në këto punime, por dhe të tjerët përgjithësisht punonin çdo punë. Gjyshja dhe tezja ime ishin të fiksuara te pjesa e riciklimit, që mos të dëmtohej asnjë copë dhe ta hidhnim. Aty më ka lindur dhe ideja për të ricikluar. Unë para dy viteve kam marrë pjesë në një sfilatë me materiale riciklimi dhe artizanati, duke përdorur punime grepi me dorë, ku kam nxjerrë katër fustane dhe një bluzë.
CMG: Cilat janë punimet me dorë nga më të veçantat që ju realizoni?
Adelina Perleka: Faktikisht unë kam punuar sipas kërkesave të tregut europian, ku kam marrë dhe disa certifikata për qendisje, sepse punonim për disa hotele shumë luksoze. Unë punoj të gjitha punimet, grepin, shtizën dhe qëndisjen.
CMG: Penjtë që përdor janë shumëngjyrëshe dhe cilësore për punimet me dorë?
Adelina Perleka: Gjithmonë peri dhe copa duhet të jenë cilësore, për të nxjerrë një punë që vlen.
Adelina Perleka duke promovuar punimet e saj te dores (Facebook)
Punime me grep te Adelines (facebook)
CMG: Si arrite të futesh në tregun ndërkombëtar për t’i promovuar punimet tuaja me dorë?
Adelina Perleka: Unë dua të falenderoj shumë murgeshat italiane, sepse kur erdhën në Mirditë hapën disa kurse për fëmijë. Unë pashë që atë që po mësonin për fëmijët unë i dija shumë mirë, por thjesht qëndrova aty për të parë dhe bëra sikur po mësoja dhe unë. Aty lindi kontakti i parë me murgeshat, ku më vonë shitëm disa materiale. Kur unë u martova në fshat, kisha fëmijët e vegjël dhe nuk punoja dot. Kështu që murgeshat më përfshinë në një projekt që ishte për gratë me nevoja të veçanta, dhe më dhanë punën për ta bërë në shtëpi. Kështu që arrita të kisha një kontratë pune me murgeshat, që punoja nga shtëpia
CMG: Punimet me dorë që ti bën a të krijojnë dhe të ardhura financiare për familjen tuaj?
Adelina Perleka: Kur punoja për tregun europian deri diku ishte mirë, por në tregun shqiptar preferoj ta bëj dhuratë sepse nuk është e mundur të blihet një punë që është artizanale. Të punosh me gjilpërë është tepër e vështirë të paguhesh.
CMG: Sa kohë shpenzon për të realizuar një punim me dorë?
Adelina Perleka: Kërkon kohë, durim dhe përkushtim sepse ka punë dhe do shumë dashuri. Gjithashtu është dhe baza materiale shumë e rëndësishme, sepse nuk mund të nxjerrësh në treg për të shitur diçka që nuk ka një cilësi të mirë, si copa ashtu dhe peri.
CMG: Flasim për pjesëmarrjen tuaj në panairet kombëtare dhe ndërkombëtare të artizanatit.
Adelina Perleka: Gjithmonë them se ndoshta nuk jemi paguar si duhet apo nuk jemi vlerësuar si duhet, por jam e bekuar që jam artizane, sepse artizanati më ka dhënë mundësinë të njihem me shumë miq dhe artistë nga e gjithë Shqipëria.
CMG: Mendon se brezi i ri e pëlqen artizanatin dhe duan të bëjnë punime dore sikur ti?
Adelina Perleka: Brezi i ri mund edhe ta dojë, por në momentin që shikojnë që nuk ka të ardhura ata stepen. Mendoj se duhet të bëhet një politikë nga ministria e kulturës apo bashkitë, që të hapin qendra për kurse dhe ata që e marrin këtë profesion duhet të paguhen në këto kurse. Pra duhet një politikë nga shteti për të ndihmuar artizanatin dhe të rinjtë që duan ta përqafojnë këtë gjë.
CMG: Ke menduar të hapësh kurse për t’u mësuar vajzave të reja punimet me dorë?
Adelina Perleka: Unë disa herë e kam ngritur zërin te bashkia në Rrëshen dhe institucionet kulturore, por deri tani asnjë nuk më ka dëgjuar. Gjithashtu ju kam thënë se jam e gatshme të jap kurse vullnetarisht një orë dy herë në javë, por akoma nuk kam marrë një përgjigje pozitive.
CMG: Mendon se nëse do ishe në një vend të huaj do kishe më shumë mundësi për t’i tregtuar këto punime artizanale?
Adelina Perleka: Mendoj se po. Unë në vitin 1998 kam jetuar nëntë muaj në Greqi, ku kam realizuar disa punime me qëndisje dhe jam paguar jashtëzakonisht mirë.
Adelina Perleka gjate nje panairi (Facebook)
CMG: Si i promovon punimet e dorës për njerëzit që nuk të njohin?
Adelina Perleka: Para pandemisë nuk kisha nevojë për promovim, sepse punoja me murgeshat dhe punën e kisha të sigurtë. Pas pandemisë fillova promovimin përmes panaireve dhe trajnimeve të ndryshme. Për momentin kam krijuar kontakte me disa shoqata që erdhën për të bërë kurse trajnimi në Rrëshen. Unë kam marrë pjesë në shumë panaire, në Sarandë jam vlerësuar me çmimin e tretë për ruajtjen me mjeshtëri të madhe artistike të punës së dorës.
CMG: Pse të huajt i vlerësojnë më shumë punët artizanale?
Adelina Perleka: Mendoj se është pjesë e kulturës, që ata e vlerësojnë punën e dorës. Për mua diçka që është e punuar me dorë vlen sa një thesar.
CMG: Ke krijuar kontakte me artizanë të tjerë nga qytetet e Shqipërisë?
Adelina Perleka: Unë kam kontakte me artizanë të tjerë nga Shqipëria, Kosova dhe e gjithë diaspora. Jam takuar me artizanë të tjerë në Sarandë, sepse atje është panairi më i madh i artizanatit, ku vijnë artizanë nga gjithë trevat shqiptare.
CMG: Si ndjehësh kur shikon shumë njerëz që kanë punimet tuaja në shtëpitë e tyre?
Adelina Perleka: Preferoj shumë herë që njerëzve të mi dhe mikeshave mos t’jua shes, por ua jap dhuratë, që kur ta shohin ta kujtojnë se është dhurata nga unë dhe jo e blerë. Përgjithësisht punimet e mia që janë me qindra dhe mijëra kanë ikur në Europë.
CMG: Cili do të jetë panairi i radhës që do të marrësh pjesë me punimet tuaja të dorës?
Adelina Perleka: Do të marr pjesë në panairin e gushtit që zhvillohet në Sarandë, por dhe panaire të tjera të artizanatit. Kam miq e mikesha nga e gjithë Shqipëria, dhe gjithmonë shkoj në aktivitetet që më ftojnë.
CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.
Adelina Perleka: Përshëndes të gjithë dëgjuesit ju falenderoj për ftesën në Radio Ejani. Ju uroj gjithë të mirat të gjithëve.
Intervistoi: Gazmend Agaj