Dita Nderkombetare e Gjuhes Amtare - foto ATSH
Aktivitete me rastin e Dites se Gjuhes - foto ATSH
21 shkurti shënoi Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, e shpallur si e tillë nga UNESCO, në nëntor 1999. Kjo ditë shërben që çdo fëmijë, i ri apo i rritur të kujtohet për gjuhën e tij amtare si një pasuri.
Pikërisht në këtë ditë Ministria e Arsimit shpalli Konkursin Kombëtar të Gjuhës Shqipe, për të gjitha shkollat 9-vjeçare nga veriu në jug, për klasat e nënta.
Ky konkurs, sipas Ministres, Manastirliu, synon të nxisë ndjenjën e krenarisë dhe përkatësisë tek fëmijët që në moshë të vogël, duke i motivuar për të zbuluar thellësitë e gjuhës dhe letërsisë shqipe. Me pjesëmarrjen e mbi 8 mijë nxënësve nga të gjitha shkollat 9-vjeçare, konkursi do të zhvillohet në nivele lokale dhe kombëtare, ku 16 ekipet më të mira do të përballen në gjysmëfinalet, të cilat do të transmetohen drejtpërdrejt në ekranin e Radio Televizionit Publik Shqiptar. Finalja e madhe do të shpallet në një festë të dijes, si një vëmendje ndaj gjuhës shqipe si pasuria më e madhe që kemi trashëguar brez pas brezi dhe po ua trashëgojmë edhe fëmijëve shqiptare në diasporë.
Presidenti Bajram Begaj, në respekt të kësaj dite ka publikuar një video në rrjetet sociale, me fëmijë të cilët janë rritur në emigracion dhe recitojnë vjershën “Gjuha Shqype” të poetit Ndre Mjeda.
‘Është mbresëlënës dhe unikal çdo element që reflekton dashurinë për atdheun. Shqiptarët kudo në botë e ruajnë dhe e trashëgojnë gjuhën si pjesë thelbësore të identitetit tonë kombëtar. Sot, në Ditën Botërore të Gjuhës Amtare, përgëzoj të gjithë ata prindër dhe mësues që përcjellin te fëmijët tanë “Gjuhën Shqype”,- shkruan Begaj.
Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare është një ditë ndërkombëtare ceremoniale që festohet më 21 shkurt të çdo viti. Qëllimi i caktimit të saj është ndërgjegjësimi për shumëllojshmërinë gjuhësore dhe kulturore si një vlerë universale.
Sipas të dhënave të OKB, çdo dy javë një gjuhë zhduket, duke marrë me vete një trashëgimi të tërë kulturore dhe intelektuale. Të paktën 45% e rreth 7000 gjuhëve që fliten në botë janë të rrezikuara. Vetëm disa qindra gjuhëve u është dhënë vërtet një vend në sistemet arsimore dhe në domenin publik, dhe më pak se 100 përdoren në botën digjitale.
Shoqëritë shumëgjuhëshe dhe shumë kulturore ekzistojnë nëpërmjet gjuhëve të tyre, të cilat transmetojnë dhe ruajnë njohuritë dhe kulturat tradicionale në mënyrë të qëndrueshme. Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare festohet për të promovuar diversitetin gjuhësor dhe kulturor dhe shumëgjuhësinë. OKB u bën thirrje shteteve të saj anëtare “të promovojnë ruajtjen dhe mbrojtjen e të gjitha gjuhëve të përdorura nga popujt e botës”.
Foto ilustruee me vargjet e Naim Frasherit kushtuar gjuhes shqipe - foto Telegrafi
Libra te gjuhes shqipe- foto ATSH
Sot po rritet vetëdija se gjuhët luajnë një rol jetik në zhvillimin, në dialogun ndërkulturor, por edhe në forcimin e bashkëpunimit dhe arritjen e arsimit cilësor për të gjithë, në ndërtimin e shoqërive gjithëpërfshirëse të dijes dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Sa i takon gjuhës sonë, një ndër sfidat e këtij shekulli të ri është mbrojtja e saj, nga ndikimet e fjalëve të huaja që vijnë si rezultat i globalizmit dhe emigracionit. Gjuhëtarët shqiptarë herë pas here e kanë ngritur shqteësimin e tyre në lidhje me problematikat që parashtron gjuha shqipe sot nga përdoruesit e saj. Sipas tyre, si pasojë e mungesës së kujdesit shtetëror për gjuhën, në botimet, në gazetat e revistat, në televizionet dhe në dokumentacionin zyrtar vërehen shkelje të pafalshme të normave të gjuhës letrare. Më e dukshme kjo dukuri e shëmtuar është në fushën e fjalorit, ku vërehet një vërshim i fjalëve të huaja të panevojshme, të cilat po e venitin gjuhën, duke u zënë vendin dhjetëra fjalëve të bukura shqipe që përdoren në kontekste të ndryshme sintaksore. Po kështu, në fushën e drejtshkrimit vihet re mospërdorimi i shkronjave ë dhe ç, duke u kthyer në një tregues të injorancës kompjuterike, po edhe mungesë e respektit për alfabetin tonë, për shkronjat e të cilit është derdhur gjak. Në televizione po sundojnë modele shqiptimi të huaja, duke humbur tiparin kryesor të theksimit të fjalëve në gjuhën shqipe. Sipas gjuhëtarëve, ky model i huaj theksimi ka prishur edhe melodinë dhe metrikën e frazës, që nuk tingëllon më si shqip, po si një surrogat shqip-anglisht-italisht.
Dita ndërkombëtare e gjuhës amtare, duhet vlerësuar si një ditë sensibilizuese, si një kambanë alarmi për secilin prej nesh, prindër, mësues, shkrimtarë, botues dhe institucione shtetërore, të cilat e kanë edhe obligim kushtetues. Në shumë vende të botës gjuha amtare mbrohet me ligj. Fjalët e Filip Shirokës kumbojnë edhe sot, në veshët e shqiptarëve me gjithë forcën që kanë, se “kurrë nuk kemi të drejtë të quhemi komb i qytetëruar, sado që të mësojmë gjuhë të huaja, sepse kombi nuk qytetërohet vetëm me mësimin e gjuhëve të huaja, por me mësimin e gjuhës së vet”.
Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare që shënohet më 21 shkurt është shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 1999, në përkujtim të protestave të studentëve të Universitetit Dhaka, me origjinë nga Bengali, të cilët u konfrontuan me policinë pakistaneze, për të mbrojtur gjuhën bengaleze si gjuhën e tyre zyrtare.
Neritana Kraja