Pak ditë më parë, kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping iu përgjigj një letre të nxënësve të një shkolle të mesme amerikane, duke u dërguar kartolinë për Festën e Pranverës, ku shpreh urime për nxënësit dhe mësuesit e shkollës, si dhe mirëpritjen për të rinjtë amerikanë që të shkojnë në Kinë për shkëmbime dhe studim.
Të hënën, nxënësit dhe mësuesit e Shkollës së Mesme të Maskatinit në Ajova të ShBA-së, nëpërmjet CMG-së, shprehën falënderime për kryetarin Xi Jinping, duke thënë që ata janë të gatshëm të japin më shumë kontribut për shkëmbimet mes të rinjve të të dy vendeve.
Nga 24 deri më 30 janar 2024, 20 nxënës të Shkollës së Mesme të Maskatinit vizituan Pekinin, Hebei-n dhe Shangain. Një mike nga shteti amerikan i Ajovës, Sarah Lande, që ka nxitur këtë vizitë miqësore, tha se, në vitin 1985, Xi Jinping-u, i cili atëherë punonte në Zhengding të Hebei-t, bëri një vizitë në Ajova. Qysh prej asaj kohe, Maskatini ka vendosur miqësi të thellë me Kinën. 40 vjet më pas, kjo miqësi është përcjellë te brezi i ri. Ajo shpreson që të rinjtë e të dy vendeve të bëhen "diplomatë civilë" dhe të nxisin njohjen e ndërsjellë ndërmjet të dy popujve.
“Kryetari Xi thotë gjithmonë që të rinjtë janë e ardhmja dhe unë gjithashtu besoj kështu. Nxënësit që patën mundësi ta vizitojnë Kinën këtë herë, do të bëhen 'diplomatë civilë' të ardhshëm. Shpresoj që të rinjtë të punojnë shumë për të vazhduar miqësinë ndërmjet ShBA-së e Kinës, duke sjellë ide të reja. Meqë marrëdhëniet kino-amerikane filluan me miqësi, le ta vazhdojmë këtë miqësi," tha znj. Lande.
Drejtoresha e Shkollës së Mesme të Maskatinit që drejtoi këtë vizitë, Jennifer Fridley, u shpreh që kryesimi i grupit të nxënësve që vizituan Kinën është përvoja më e shquar e karrierës së saj në arsim. Miqësia dhe entuziazmi i popullit kinez dhe thellësia dhe pasuria e kulturës kineze i kanë lënë përshtypje shumë të thellë. Ajo shpreson që të rinjtë kinezë ta vizitojnë Maskatinin dhe të japin kontributin e tyre për nxitjen e shkëmbimeve rinore Kinë-ShBA.
“Më parë, më pyetën ç'mendoja për ftesën për vizitë nga kryetari Xi. Mendoj që kryetari Xi e kupton që bota u takon nxënësve dhe e ardhmja u takon të rinjve, prandaj e ka krijuar këtë marrëdhënie bashkëpunimi. Siç e kam thënë, është si një qark miqësie. (Më 1985) unë isha 15 vjeçe dhe tani drejtoj nxënësit 15-vjeçarë për vizitë në Kinë. Jam mirënjohëse që pata një mundësi të tillë dhe jam shumë e kënaqur," tha drejtoresha Fridley.
Kjo vizitë u ka ofruar një rast të mirë nxënësve amerikanë të njihen me një Kinë miqësore, të hapur dhe të lulëzuar. Nxënësja Vanessa Garcia u shpreh që, megjithëse ajo ka studiuar për tre vjet gjuhën kineze dhe është njohur me disa elemente të kulturës kineze, një shikim nga afër është një përvojë krejtësisht e ndryshme. Ajo beson që, në të ardhmen, më shumë të rinj do të bëjnë vizita të ndërsjella dhe do ta njohin më mirë njëri-tjetrin.
“Kultura kineze dhe detajet e jetës së përditshme të njerëzve janë shumë unike dhe interesante. Ajo që kuptoj thellësisht është që mësimi i kulturës kineze është një gjë, kurse përjetimi i kulturës kineze nga afër është një gjë krejtësisht tjetër, shumë e mrekullueshme. Shkuam në një shkollë dhe shikuam artet luftarake kineze, Operën e Pekinit etj. Kjo është absolutisht një nga përvojat e mia më të mrekullueshme," vuri në dukje Garcia.
Ndërsa nxënësja tjetër Sienna Stonking u shpreh që vizita në Kinë në fund të janarit e ka bërë atë ta dashurojë Kinën e kulturën kineze dhe ajo mendon tani të studiojë në Kinë:
“Vizita ime (në janar) në Kinë ishte shumë e bukur dhe më dha gjithashtu një ide që, nëse kam rast në të ardhmen, do të shkoj në Kinë për të studiuar në universitet. E kam diskutuar seriozisht këtë çështje me mësuesit kur u ktheva dhe me të vërtetë dua ta bëj, sepse tani kam rënë në dashuri me Kinën."
Siç mësohet, në prill kontingjenti i 2-të i nxënësve të Shkollës së Mesme të Maskatinit do të bëjnë vizitë në Kinë dhe nxënësit po presin të japin më shumë kontribut për nxitjen e shkëmbimeve ndërmjet të rinjve kinezë e amerikanë dhe t'ua rrëfejnë përvojat e tyre në Kinë më shumë miqve në ShBA. (Jiang Lei)