Ekspertët analizojnë shkaqet e uljes së kredive me probleme
2024-02-28 11:48:41

kredi te keqija (Foto Albanian Construction Portal)

kredi te keqija (Foto Albanian Construction Portal)

Kreditë me probleme kanë prekur nivelin më të ulët në më shumë se 10 vite. Sipas Statistikave të  Bankës së Shqipërisë  në muajin dhjetor 2023 niveli  i kredive të këqija ka arritur në 4.7% nga 5% që kishte qenë në fund të vitit 2022. Sipas krahasimeve,  ky rezulton të jetë niveli më i ulët që prej vitit 2014 kur niveli i huave me probleme ishte në nivelin e 24 %.

Në një intervitë për mediat ekspertja e ekonomisë, Morena Boja jep shkaqet që kanë ndikuar në këtë tregues.

“Ne i kemi diskutuar që një ndër arsyet pse u rrit norma e interesit është inflacioni, që nuk lidhet me kreditë e këqija, pasi mendoj që janë faktor të tjerë që ndikojnë në uljen e  përqindjes së kredive të këqija në Shqipëri. Një ndër arsyet është forcimi i lekut, por mendoj që ka dhe faktorë të tjerë, bankat e nivelit të dytë, një pjesë e mirë e tyre kanë shtrënguar kushtet për dhënien e kredive. Kriteret apo procedurat, duke i vlerësuar të detajuara si klientët që marrin kredi hipotekore për shtëpi apo për biznes në fokus të tyre është likuiditeti i klientit dhe jo kolaterali që ato lënë.”- tha Boja.

Edhe qytetarët duket se janë më koshientë për detyrimet që kanë.

“Ndërgjegjësimi i klientëve që kanë për të shlyer dhe që duhet të kenë likuiditete që duhet ta shlyejnë sipas kritereve dhe afateve, përbën një prej faktorëve dhe është ndikim shumë i madh në uljen e përqindjes së kredive të këqija, që  vjen dhe për shkak të qarkullimit të parave të padeklaruara jashtë sistemi financiar”, u shpreh ajo.

Në intervistën për ABC news,  ekspertja Boja tha se përqindja  më e lartë e kredive janë kreditë hipotekore, për blerje shtëpish apo apartamentesh, apo investime në pasuri të paluajtshme, por gjithashtu një perqindje  shumë e lartë është dhe kredia e dhënë bizneseve.

Morena Boja (Foto Ora news)

Morena Boja (Foto Ora news)

Sipas analistëve, ka edhe faktorë të tjerë që ndikojnë në rënien e kredive të këqija në nivelet më të ulëta të 10 viteve.

“Një ndër elementet mendoj që qëndron dhe ndikon në uljen e kredive të këqija është qarkullimi i parave të padeklaruara jashtë sistemit financiar, që nëpërmjet sistemit të kredive, futen pastaj dhe bëhen pjesë e parave të sistemit financiar. Në të gjitha raportet e Moneyval, që është një organ monitorimi i Këshillit të Evropës ose ndryshe i njohur si komiteti i ekspertëve për vlerësimin e masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, gjatë të gjitha periudhave në të cilat ka analizuar Shqipërinë e ka lënë në listën gri, duke e konsideruar si një vend me një perqindje të lartë qarkullimit të parave të padeklaruara.”

Janë ndërmarrë ndërkohë nisma për të ulur nivelin e cash-it në ekonomi, por rezultatet pritet të shihen më shumë në vijim.

“U ndërmorën disa nisma, por deri tani të pafinalizuara për depozitimin nëpër bankat të shifrave të caktuara të parave, duke paguar komisione dhe mendoj që meqë nuk u arrit në këtë formë, patjetër që gjendet alternativa të tjera nëpërmjet të cilave këto para të qarkullojnë brenda sistemit financiar. Është e vërtetë që Banka e Shqipërisë ka rritur procedurat e monitorimit, ajo “i detyron” nëpërmjet politikave që ka tek bankat e nivelit të dytë që ato të kreditojnë biznese sipas bilanceve të deklaruara në institucionet përkatëse dhe kjo ndikon në monitorimin e parave që qarkullojnë pastaj jashtë asaj që deklarohet. Ka dhe institucione të tjera financiare, jo banka, të cilat nuk marrin në konsideratë bilancin e dorëzuar në tatime apo institucione të tjera në të cilat duhen dorëzuar, por marrin në konsideratë të dhëna të tjera, duke bërë financime dhe duke qarkulluar para thjesht për justifikim të lëvizjeve të caktuara. Këto nuk kategorizohen si kredi të këqija sepse ekziston likujditeti dhe pavarësisht se janë jashtë sistemit financiar janë likujditete që paguhen rregullisht sipas standardeve dhe procedurave dhe në këtë lloj sistemi nuk bën ndryshim norma e interesit e vendosur nga institucioni financiar. “

Ekspertët thonë se ndryshimi i normës bazë të interesit ka ndikuar në aftësitë paguese për disa kategori, por kjo nuk ka patur impakt tek niveli i kredive të këqija.

Kredi te keqija (Foto The daily guardian)

Kredi te keqija (Foto The daily guardian)

“Ndryshimi i normës së interesit në disa kategori individësh patjetër që ka efekte pasi llogaritet që në muaj të paguajë më shumë se me vitet e mëparshme kur normat e interesit ishin më të ulëta, por këto janë ato kategori që nuk kanë impakt në numrin total apo në  përqindjen e rënies së kredive me problem. Kreditë e këqija, të cilat janë kredi me interes edhe për institucionet financiare, janë kreditë e bizneseve në sektorë të ndryshëm të ekonomisë që gjenerojnë të ardhura shumë herë më të larta, se një kredi që merr një individ për të shkuar me pushime apo për një aktivitet tjetër që nuk e realizon dot me buxhetet mujore që ka dhe edhe përqindja  e këtyre kredive në totalin e kredive me probleme është e pallogaritshme apo nuk ka efekt. Mendoj që bankat duhet të adresojnë dhe klientët në deklarimin e të ardhurave që kanë dhe të marrin në konsideratë bilancet që deklarohen në tatime.”

Për të mos rrezikuar rritjen e  kredive me probleme, ekspertët sugjerojnë që bankat duhet gjithmonë të bëjnë kujdes në analizën e aprovimeve të kredive. Në total kredia e re  gjatë muajit dhjetor 2023 arriti në 45 miliardë lekë, ku ndikuan kreditë për bizneset  si dhe për blerje banesash.