Në përkrahje të fushatës së ndërgjegjësimit për mbrojtjen e viktimave të dhunës, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, ka ndjekur një shfaqje teatrale në Lezhë, ku të rinjtë nga tre gjimnazet e qytetit kanë paraqitur histori reale lidhur me mbrojtjen e viktimave të dhunës. Ministri Manja, duke ndarë foto nga shfaqja, theksoi rëndësinë e denoncimit të dhunës në çdo rast. Lezha është etapa e parë e kësaj fushate sensibilizuese për viktimat e krimit, e cila do të vazhdojë me aktivitete të tjera në qytete të tjera të Shqipërisë, duke u mbështetur nga UNICEF dhe qendra komunitare “Sot për të Ardhmen”.
Ministri i drejtësisë shqiptare Ulsi Manja me të rinjtë ( foto ATSH)
“Në radhë të parë është që të gjitha institucionet të punojmë bashkërisht në mënyrë institucionale për të trajtuar rastet; dhe e dyta, është që po bashkërisht i gjithë komuniteti, shoqëri civile etj., të bëhen bashkë për t’i mbrojtur viktimat e krimit”, theksoi ministri Manja.
Për Radio Ejani kanë folur regjisorët e shfaqjes Kjara Gjergji dhe Xhilberto Gega. Ndërsa me emocion ka folur edhe aktori kryesor Gjergj Bushaj.
CMG: Kjara, ju si regjisore çfarë impakti ju ka lënë ky teatër ?
Kjara Gjergji: Patjetër që jam shumë e lumtur për monitorimin e talenteve të qytetit të Lezhës, aq më tepër kur bëhet fjalë për dhunën në familje. Është hera e tretë e realizimit të kësaj eksperience. Fillimisht ka nisur në qytetin e Pukës, Shkodrës dhe tani në qytetin e Lezhës. Me të gjithë të rinjtë është një emocion të punosh.
CMG: Si ishin të rinjtë në Lezhë, a ishin bashkëpunues?
Kjara Gjergji: Shumë bashkëpunues dhe për këtë ndihem shumë mirë sepse jepnin edhe ide se si mund të bëhej diçka më mire, apo më saktë. Ishte një teatër, i cili prodhoi shumë emocione dhe mbi të gjitha saktësi tek të rinjtë . Ata vërtetuan që kanë talent.
CMG: A kishit shumë emocione gjatë xhirimeve?
Kjara dhe Xhilberto në skenë (foto personale) (2)
Kjara Gjergji: Po patjetër sepse ishte një skenë, e cila duhet të ofronte shumë emocione të forta. Të jesh në skenë për të folur me dhe për dhunën nuk është e thjeshtë sepse diku mund të jetë përjetuar dhe bëhet edhe më sfiduese.
CMG: A mund të jetë arti një terapi për familjet që kanë përjetuar dhunë?
Kjara Gjergji: Po është një formë shumë e mire, sepse të jep mundësinë që t’i përjetosh gjërat drejtpërdrejtë, por përmes mesazheve që prodhojnë evente të tilla.
CMG: Si është përvoja juaj e punës me të rinjtë ?
Kjara Gjergji: Unë karrierën time e kam nisur në vendlindje në Fushë-Arrëz, dhe kam vijuar të realizoj evente artistike. Kam punuar edhe për disa vite në Pukë, aty ku u angazhova për të shtyrë përpara rininë e qytetit. Të rinjtë gjithmonë të japin ndjesi pozitive.
Kjara dhe Xhilberto në skenë ( foto personale)
CMG: Xhilberto për ju si regjisor çfarë mesazhe dha ky teatër?
Xhilberto Gega: Ky ishte një teatër jetësor, i cili erdhi me mesazhe të forta. Të rinjtë ishin të gatshëm të luanin dhe të mësonin me shumë se si ndoshta të bëhen aktorë në të ardhmen, por edhe mësuan nene, ligje dhe rregulla për dhunën në familje.
Të luash në teatër dhe të mësosh është një eksperiencë unike. Unë vetë kam mësuar po ashtu. Morali ishte të mësoje dhe mendoj se kjo gjë u arrit. Dëshira për ta vijuar këtë event është e madhe, por ne tashmë e kemi marrë një dritë jeshile që mund ta dërgojmë atë edhe në qytete të tjera.
CMG: Gjergj, ju ishit një nga aktorët kryesorë, si jeni ndjerë?
Te rinjtë në teatrin kundër dhunës në familje ( foto personale) (2)
Gjergj Bushaj: Ishte një sfidë e vërtetë sepse më duhej që në disa minuta njëherësh të ndryshoja shumë role. Por, më ka dhënë shumë mesazhe të bukura. Në një shoqëri të zhvilluar si e jona duhet të mësojmë që gradualisht probleme të tilla nuk duhet të ekzistojnë. Dhuna nuk duhet të ekzistojë mes njerëzve. Më janë dashur shumë orë në prova dhe të futesha në rol. Kjo gjë ka qenë përtej dëshirës sime, por shtysa e profesorëve për të marrë rolin e "Besmirit", rolin kryesor më bëri të marr pjesë. Sot ndihem falënderues sepse mora dhe dhashë një emocion të madh.