Foto nga VCG
Me përfundimin e Festës së Fenerëve, Kina po kalon në një fazë të re të zhvillimit ekonomik, duke u fokusuar te përparimet inxhinierike me cilësi të lartë. Në Kinë ka rifilluar puna këtë të hënë, duke lëshuar sinjalin për arritjen e lulëzimit afatgjatë nëpërmjet zgjidhjeve të vazhdueshme e inovative në inxhinieri.
Festa e Fenerëve (që ishte më 24 shkurt këtë vit), e njohur gjithashtu si festa "Juanxiao", shënon fundin e Festës së Pranverës (që ra më 10 shkurt sivjet), në ditën e 15-të të muajit të parë hënor.
Sipas "CCTV.com", numri i punëtorëve në mbi 2 mijë parqe industriale kyçe të Kinës do të rritet 5.8 % gjatë udhëtimeve të Festës së Pranverës (nga 26 janar deri më 5 mars) krahasuar me të njëjtën periudhë të vjetshme.
Sektorë si industria ushqimore dhe prodhimi i mobilieve do të dëshmojnë rritjen më të madhe në punësim, prej 6.6 %, kurse industritë e prodhimit të pajisjeve, si automjetet dhe makineritë elektrike, presin një rritje mbi 6 %.
Përveç kësaj, disa organe të pushtetit vendor kanë njoftuar që rinisja e punës pas pushimeve po vazhdon në mënyrë të mbarë. Sipas Departamentit të Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit të provincës Hunan, deri më 21 shkurt, më shumë se 17 mijë e 900 ndërmarrje në këtë provincë kishin rinisur punën, me një nivel rifillimi prej 87.8 %. Rritja është 5 pikë përqindjeje krahasuar me ditën e mëparshme, duke përfshirë ndërmarrjet e prodhimit, si ato ushqimore, të industrisë së lehtë, tekstilit, makinerive të ndërtimit, automjeteve etj.
Foto nga VCG
Përkushtimi për zhvillimin me cilësi të lartë po shfaqet në projekte të ndryshme të vendit, që synojnë ta çojnë Kinën drejt një të ardhmeje më të mirë, më të qëndrueshme dhe më të përparuar teknologjikisht. Kina i kushton rëndësi rolit thelbësor të inxhinierisë në arritjen e objektivave të saj të zhvillimit me cilësi të lartë.
Projekte të mëdha inxhinierike, si hekurudha me shpejtësi të lartë Nanning-Shenzhen, hekurudha e parë me investim të pavarur e Guangxi-së në Kinën Jugperëndimore me shpejtësi 350 km në orë, tregojnë vullnetin e Kinës për përmirësimin e rrjeteve të saj të transportit dhe forcimin e ndërlidhshmërisë rajonale.
Kjo hekurudhë me shpejtësi të lartë, me gjatësi 665 kilometra, lidh dy qytete të mëdha në Kinën Jugore, Shenzhen dhe Nanning. Projekti kryesor i ndërtimit të seksionit Nanning-Yulin të kësaj hekurudhe me shpejtësi të lartë, që lidh Nanning-un dhe Yulin-in në provincën Guangxi, është futur në fazën e ndërtimit të shpejtë, sepse planifikohet të vihet në funksionim brenda këtij viti.
Profesori Xie Kaizhong nga Shkolla e Inxhinierisë Civile dhe Arkitekturës e Universitetit të Guangxi-së, tha për CGTN-in se, gjatë ndërtimit të urës hekurudhore Nanning-Yulin, ekipi hasi probleme gjeologjike, si temperaturat e larta e lagështia, si edhe tajfunët dhe stuhitë, të cilat kanë sjellë më shumë sfida për ndërtimin.
"Ekipi ynë ka nxitur 'katër të rejat' (materialet e reja, teknikat e reja, teknologjitë e reja dhe makineritë e reja) gjatë gjithë projektit dhe kemi krijuar një makinë për ndërtimin e seksioneve të gjata të urës Liujing-Yujiang që ka përmirësuar mjaft efektivitetin e punës," shtoi Xie.
Në Kinën Verilindore, centrali fotovoltaik offshore në fushën naftëmbajtëse Daqing tregon përpjekjet e Kinës për të integruar burimet e energjisë së pastër me infrastrukturën ekzistuese, duke kontribuuar për një të ardhme më të gjelbër.
Foto nga VCG
Falë katër përparimeve teknologjike për rritjen e efektivitetit, më shumë se 2400 burime nafte në fushën naftëmbajtëse Daqing e kanë ngritur prodhimin vjetor të naftës bruto nga 300 mijë në 1.2 milion tonë.
Përveç kësaj, provinca Qinghai e Kinës Veriperëndimore po përqendrohet në ndërtimin e një sistemi industrial modern, duke nxitur me forcë inovacionin e zinxhirin e fortë dhe duke kultivuar e zgjeruar vazhdimisht industritë e reja. Fokusi i saj në inteligjencën artificiale (AI) dhe bioteknologjinë thekson vendosmërinë e Kinës për përdorimin e teknologjive të reja dhe formësimin e së ardhmes në sektorë të ndryshëm.
Gjatë Festës së Pranverës që sapo përfundoi, u përruruan në qytetin Xining parku i ri industrial me investime prej 55.98 miliardë juanësh (rreth 7.77 miliardë dollarë), qendra të gjelbra të kompjuterizmit inteligjent dhe 14 projekte të tjera kryesore, duke i dhënë një impuls të ri të fortë zhvillimit me cilësi të lartë. (Jiang Lei)