Karnavalet ndezin Shkodrën, tradita e gjallëruar e qytetit mbledh turistë nga gjithë vendi
2024-02-26 11:58:28

Shkodra n'Karnaval - foto Shkodra Blog

Karvani ne Parade - Foto Shkodra Blog

Te rinj gjate festimeve ne Shkoder - foto Shkodra Blog

Shkodra per Karnavale - foto ATSH

Qyteti i Shkodrës përjetoi ditët e bukura festive të Karnavaleve që nisën të premten me festimet e fëmijëve, vazhduan të shtunën me festimet e të rinjve dhe përfunduan të dielën me Paradën e Karvanit, një spektakël më vete. Karvani i Karnavaleve, siç e do tradita, përshkoi rrugët e Shkodrës, ndërkohë që u bë edhe djegia e dordolecit që simbolizon djegien e fenomeneve negative duke pritur ardhjen e stinës së pranverës. Qindra qytetarë festuan në rrugët e qytetit me maska veneciane dhe kostume shumëngjyrëshe. Por të shumtë ishin edhe vizitorët nga qytete të tjera që kishin ardhur në Shkodër për t’iu bashkuar këtyre festimeve.

Kështu, qytetarët e Shkodrës, të mëdhenj dhe të vegjël, iu bashkuan nismës së Bashkisë së Shkodrës për ta shndërruar qytetin në një “ballo me maska”. Kudo në Shkodër gjatë këtyre ditëve ndihej atmosfera e festës. Zbukurimet e qytetit kishin nisur me fasadën e bashkisë e cila ishte dekorua me simbolin e festës: një maskë gjigante shumëngjyrëshe dhe me sloganin e këtij viti: “Rrugët e Shkodrës n’Karnaval”. Po kështu u dekoruan teatri “Migjeni” dhe rrugët e sheshet kryesore.

Për herë të parë Karnavalet në Shkodër kanë edhe marrshin e tyre, një krijim origjinal i kompozitorit shkodran Zef Çoba, i cili me këtë marrsh ka realizuar një punë të shkëlqyer që kjo festë në Shkodër të ketë vulën e vet të origjinalitetit. Në ritmet e këtij marrshi gjen të bashkuar notat festive të një marrshi festiv me motivet popullore të qytetit duke i dhënë kësaj feste identitet.

Festa nisi te teatri “Migjeni”, ku të vegjlit treguan atmosferën dhe gëzimin e tyre, duke dhënë edhe mesazhe me veshjet e tyre, si dhe në hollin e bashkisë që mirëpriti fëmijët, ndërkohë që ndërtesa e saj dhuroi një spektakël të vërtetë dritash e ndriçimi.  Festa vijoi të shtunën me paradën e të rinjve dhe me performanca artistike nga shkollat, ndërsa pasdite pati aktivitete në punëtori, si krijim i maskave, Facepainting, Kllounata. Atmosfera u përsos me shfaqjen e dritave në fasada ndërsa deri pas mesnate grupe shëtitëse artistësh me veshje e maska veneciane vizituan baret e restorantet e qytetit.

Një grup shumë i madh u përfshinë në atmosferën e Karnavaleve: nxënës e mësues, artistë, instrumentistë e akrobatë, artizanë e  bejtexhinj, punonjës të hotelerisë e kulinarisë, fotografë e dizenjues…të gjithë me pasionin për t’i dhuruar Shkodrës një fundjavë plot ngjyra, humor, shpoti e shpresë. Me festimet e tyre ata garuan me krijimtarinë dhe imagjinatën e tyre, ndërsa një juri profesioniste  vlerësoi me çmime më të mirët, për  muzikën, bejtet e, sigurisht,  maskat.

Karnavalet dikur - vizite ne studion Marubi - foto ATSH

Aktiviteti kryesor i së dielës ishte parada e Karvanit, ku të gjithë mbajtësit e një maske shëtitën rrugëve të qytetit, duke përcjellë përmes veshjeve dhe simbolikave të zgjedhura, mesazhe të denja për qytetin dhe qytetarët e tij. Në fund u bë edhe djegia e dordolecit, duke lënë një kujtim të bukur te të gjithë e sidomos te fëmijët, tek i cili ky festim mbetet si një kujtim i bukur. 

Karnavalet ose “Karnivali” siç i thonë në Shkodër,  ka karakter thumbues, por shoqërohet edhe me nota pozitive. Marrja në administrim e Karnavalieve në administrim të bashkisë, i ka dhënë një ndryshim të jashtëzakonshëm festës. Por ardhja e buxhetit me vonesë ka bërë që të spostohet data e festimit të Karnavaleve. E gjithë bota e kremton në një datë të caktuar dhe tashmë janë mbyllur kudo festimet.

Megjithëse me festime të vonuara, kjo është një traditë që Shkodrës nuk duhet t’i mungojë pasi festimi i tyre ka nisur saktësisht vitit 1860, duke krijuar një traditë solide.

Por duhet të dimë, se Karnavalet në Shkodër  janë quajtur “surretën”, ose më saktë ashtu quheshin ato që visheshin për karnavale. Në vitin 1860 erdhën në Shkodër dy këpucarë: njëri hungarez, Shtjefën Ingris, tjetri Dalmatin, Jovan Drakutinoviqi. Të dy mjeshtrat u tregonin të njohurve rreth kremtimeve të Karnavaleve që zhvilloheshin jashtë, sidomos në Venedik (Venecia) e duke nxitur një traditë të tillë edhe në Shkodër. Tradita tregon se “surretnit” shëtisnin, u binin dyerve të shtëpive, këndonin, kërcenin duke kërkuar si shpërblim petullat karakteristike, por edhe fruta të thata.  Në grupin e “surretënve” përfshiheshin disa grupime, që zotëronin aftësi për “aheng e dyzen”me daulle e surle, krijohej një kortezh me instrumentistë të ndryshëm, valle dhe ekspozim i veshjeve të ndryshme dhe me maska.

Kjo traditë vazhdoi deri në vitin 1946, kur u ndalua së festuari për t’u rikthyer sërish si traditë pas viteve ’90. Pas viteve  ’90 Karnavalet nisën të organizoheshin si iniciativë e shoqatave të ndryshme artistike në bashkëpunim me teatrin Migjeni dhe bashkinë e qytetit. Është hera e parë këtë vit që bashkia merr në dorë seriozisht organizimin e Karnavaleve në Shkodër, në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit , mbështetur nga Bashkimi Evropian, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Neritana Kraja