George Vreko ne fushe (Foto personale)
George Vreko është një i ri shqiptar që ka lindur dhe jeton në Angli. Ai që i vogël ka qenë i pasionuar pas sportit të regbisë dhe vazhdon të luajë me ekipet angleze. George flet shumë mirë gjuhën shqipe dhe vjen në Shqipëri çdo vit për pushime. Ai ka mbaruar kolegjin për elektriçist dhe punon në këtë profesion. George ka luajtur dhe me kombëtaren shqiptare të regbisë dhe shpreson që të jetë sërish pjesë e ekipit kombëtar në ndeshjet e tjera. Në një intervistë për Radio Ejani ai tregon për jetën në Angli, pasionin për regbinë dhe eksperiencën 17 vjeçare në këtë sport.
CMG: Ke lindur në Angli dhe jeton prej 24 vitesh atje. Si e ke mësuar gjuhën shqipe?
George Vreko: Mua prindërit më mësuan gjuhën shqipe më përpara sesa anglishten, sepse gjuhën angleze do ta mësoja më vonë në shkollë. Kur isha i vogël prindërit më flisnin vetëm shqip dhe tani e di shumë mirë gjuhën shqipe.
CMG: Sa vite ka familja juaj që është shpërngulur në Angli?
George Vreko: Prindërit e mi kanë ardhur në Angli në vitin 1997 dhe unë kam lindur në vitin 2000. Jam 24 vjeç tani dhe kam qëndruar më shumë në Angli sesa në Shqipëri.
CMG: Cila është fusha që keni studiuar?
George Vreko: Unë kam mbaruar kolegjin profesional si elektriçist dhe vazhdoj të punoj si elektriçist. Shpresoj që të bëj një kurs tjetër te kompania që punoj tani, për elektriko-dizainj, si arkitekt, por në fushën elektrike.
CMG: Profesioni i elektriçistit të ka pëlqyer vetë, apo ishin prindërit që të shtynë të zgjidhje këtë drejtim?
George Vreko: Unë kisha dëshirë vetë të studioja për këtë fushë. Prindërit vetëm më kanë ndihmuar për të gjetur kolegjin e duhur dhe punën.
CMG: Kur ke nisur të merresh me sportin e regbisë?
George Vreko: Unë isha 7 vjeç kur jam marrë me regbinë dhe kam luajtur që në atë kohë. Kam gati 17 vjet që merrem me sportin e regbisë. Regbia është një sport shumë i bukur dhe kam shumë miq që luajnë regbi. Kjo për mua është diçka e veçantë.
CMG: Cilat kanë qenë rezultatet e arritura deri tani me këtë sport?
George Vreko: Një nga ndeshjet që dua të përmend është ajo me kombëtaren e Shqipërisë kundër Kosovës në muajin janar. Ka qenë vërtetë një gjë shumë e bukur të luaja regbi me Shqipërinë Besoj se në muajin mars do luajmë sërish me kombëtaren e Shqipërisë në një ndeshje kundër ekipit të Malit të Zi.
CMG: Kjo për ty ka qenë ndeshja më e bukur në regbi apo që je ndjerë më mirë si sportist?
George Vreko: Të dyja bashkë, por ishte ndjeshja më e bukur se po luaja me kombëtaren e Shqipërisë. Gjithashtu dhe si sportist, sepse të luash për kombëtaren të jep më shumë emocione.
George Vreko ne moshen 7 vjeçare (Foto personale)
CMG: Përse të tërhoqi ky lloj sporti në një moshë fare të vogël?
George Vreko: Kur isha shtatë vjeç merresha me futboll dhe regbi në të njëjtën kohë, por regbia më pëlqeu më shumë. Gjithashtu kisha shumë shokë që luanin regbi dhe ndoqa atë sport.
CMG: Je dëmtuar ndonjëherë gjatë ndeshjeve?
George Vreko: Vitin e kaluar kam munguar gjatë gjithë vitit në ndeshje, sepse dëmtova gjurin dhe bëra një operacion për ligamentet në gju. Ky është sezoni i parë që kam ardhur prapë për të luajtur, sepse isha i dëmtuar gjithë sezonin e vjetshëm.
CMG: Përveç sportit ke pasione të tjera?
George Vreko: Unë dua të ngrihem si elektriçist, kam shumë qejf të bëj dizajnin dhe dëshiroj të jem sa më lart në kompaninë që punoj momentalisht. Gjithashtu kam dëshirë të vazhdoj si trajner i regbisë, për të mësuar fëmijët e vegjël të lozin regbi.
CMG: Të pëlqen të udhëtosh dhe cilat vende ke vizituar?
George Vreko: Unë kam vizituar shumë vende, në Shqipëri shkoj një ose dy herë në vit. Gjithashtu kam qenë në Turqi, Spanjë, Greqi dhe SHBA. Ndërkohë që për ndeshjet e regbisë kam shkuar në Irlandë dhe në prill do të shkojmë me ekipin në një vend tjetër afër Anglisë.
CMG: Nga cila zonë e Shqipërisë është familja juaj dhe çfarë të pëlqen nga Shqipëria?
George Vreko: Prindërit e mi janë me origjinë nga fshati Mbrakull, që ndodhet midis Beratit dhe Skraparit, atje janë lindur dhe rritur. Gjyshi dhë nëna kanë shkuar në Tiranë dhe gjithë famija është atje. Unë kam qejf t’i takoj ata, të kaloj kohën me ta. Kam qejf plazhin e Gjirit të Lalzit, ku shkojmë shpesh me familjen.
CMG: Të pëlqejnë gatimet tradicionale shqiptare?
George Vreko: Mami gatuan vetëm ushqime shqiptare në shtëpi, byrek, fasule dhe supëra të ndryshme.
CMG: Preferon tÇi kalosh pushimet verore në bregdetin shqiptar?
George Vreko: Më pëlqen shumë bregdeti shqiptar sepse deti është shumë i pastër. Shqipëria është vërtetë një vend turistik shumë i mirë për shqiptarët dhe të huajt.
George Vreko me ekipin e regbise (Foto personale)
George Vreko ne fushe me ekipin e Regbise se Shqiperise (Foto personale)
CMG: Ja ke sugjeruar shokëve tuaj në Angli që ta vizitojnë Shqipërinë?
George Vreko: Patjetër që po. Ata erdhën në Shqipëri për të parë ndeshjen time në Kukës, kur luajta për kombëtaren. Përshtypjet e tyre për Shqipërinë ishin mbresëlënëse dhe dëshirojnë që të vijnë sërish të shikojnë Tiranën dhe të bëjnë plazh në bregdetin shqiptar.
CMG: Cilat janë synimet tuaja në lidhje me regbinë në vazhdim?
George Vreko: Këto dy javët e fundit kishim dy ndeshje, ku në ligë luajtëm për vendin e parë dhe vendin e dytë. Para dy javësh luajtëm një ndeshje, ku fituam 26 me 10. Kjo ndeshje na dha shumë zemër sepse ishte për vendin e parë.
CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.
George Vreko: Faleminderit të gjithë dëgjuesve. Shpresoj që të ngrihet si sport regbia në Shqipëri për të gjithë, sepse është sport shumë i bukur.
CMG: Faleminderit për intervistën dhe suksese!
George Vreko: Faleminderit shumë, dhe jam krenar që më dhatë këtë mundësi të flas për jetën time në Angli dhe regbinë.
Intervistoi: Gazmend Agaj