3 milion euro grante për Start up-et, nxitja e të rinjve në biznes
2024-02-26 11:30:03

Qeveria ka bërë të ditur se janë  rezervuar 3 milionë euro për një program që ka nisur në 16 shkurt, i cili synon të mbështesë start up-et, përmes financimit të drejtpërdrejtë. Drejtues të qeverisë thonë se programi synon të ndihmojë rreth 80 start  up – e, duke ofruar grante deri në 14,000 euro, për ata që  janë të nivelit fillestar. Nisma shtrin mbështetjen jo vetëm për startup-et e themeluara deri më sot, por edhe për ata me ide inovative në fazat e tyre të hershme. Ndërmarrjet fillestare që funksionojnë për më shumë se një vit mund të marrin grante deri në 4.5 milionë lekë, ndërsa start up-et më të themeluara kanë të drejtë për mbështetje nga qeveria deri në 9 milionë lekë. Sipas vendimit të qeverisë, subjektet kërkuese, start up, mund të aplikojnë si individ, person fizik ose juridik, vendas ose i huaj, duke përfshirë dhe nomadët digjitalë. Këto subjekte mbështeten me grant nga buxheti i shtetit nëse kanë përfunduar regjistrimin dhe kanë përzgjedhur saktë fazën e zhvillimit të tyre.

Financime (Revista Monitor)

Financime (Revista Monitor)

Në një intervistë për mediat Faola Hodaj, eksperte e inovaconit, e vlerëson këtë mbështetje financiare që i jepet start up- eve.

“Vjen për herë të dytë nga ministria, pasi është vazhdimësi e disa hapave, është krijuar një ligj, një strukturë rregullatore, sesi mund të shpërndahen këto grante. Tashmë pas një thirrje të parë, ku u mbështetën disa start up -e, është një thirrje e dytë. Kjo thirrje ka disa ndryshime, mesa kuptova dhe nga shpjegimi i ministres që edhe fasha e financimit tjetër, pra do financoheshin më pak për fazë, dhe gjithashtu fokusi është në tre fazat e veçanta për start up-et. Ajo që unë kam të paqartë dhe publiku është pjesa e këshillimit, ndaj mendoj që automatikisht, vlejnë rregullat e fazës së pare, por kjo është automatikisht tashmë për momentin e paqartë. Pra ofrohet këshillimi i start up-eve gjatë procesit të inkubimit të tyre, sepse ata kur aplikojnë për t’u regjistruar kanë një proces inkubimi dhe mendoj se nisma është shumë e mirë, është një nismë që ndihmon individët të provojnë, të pilotojnë. Patjetër që e mbështes.”

Ofrimi i këtyre granteve nxit të rinjtë për t’u futur në botën e biznesit.

“Targeti 80 start up-e është një target relativisht i mirë dhe nxitës për të rinjtë për start up-et që do aplikojnë. Ka patur normalisht interes në të gjithë botën, pasi është diçka globale ku financimi i administratës publike gjithmonë është interes për një start up. Janë disa para, të cilat mund të luash nëse mund ta quajmë kështu, por nuk janë para që të fusin në borxhe. Nëse merr para tek një mik ti duhet t’i kthesh ato para, nëse merr kredi për të hapur një biznes duhet t’i kthesh, nëse ke lidhje me një investitor je në relata aksionari, do humbasësh paratë e tua.”

Në çdo rast, sipas ekspertëve aplikimi në këto projekte nuk sjell asnjë humbje.

“Në këtë moment është gjithmonë një lehtësi dhe është mirë ta provosh me lekët e shtetit. Interes ka patur gjithmonë nga ata që e provojnë nga zero. Interes më të ulët nga sa mund të kemi këshilluar start up-et, janë nga start up-et që janë në faza zhvilluese. Një gjë e keqe e financimit publik është procedura administrative, pra kriteret, dokumentacioni për një start up. Procedura mund të bëjë të hezitojnë ata që janë në hapat më të avancuara.”

Thirrja nuk është e kufizuar për mbeshtetjen e atyre që janë në hapa të avancuar në raport me ata që futen rishtazi.

‘Me sa lexova nuk është e kufizuar, por thjesht për faktin që nëse ata duhet të krijojnë një prototip, e kanë më të thjeshtë për sa kohë e kanë krijuar idenë dhe mund të kërkojnë jashtë para, por nuk është e kufizuar nga thirrja. Thirrja lejon për një nga fazat që është faza e dytë, kur ti duhet të kishe krijuar një prototip dhe duhet ta testojë, pra duhet ta zhvillojë atë. Faza e tretë është për ata që duan ta çojnë në nivel ndërkombëtar. Nga ana e shkrimit të thirrjes është e përpiluar shumë mirë për të gjitha fazat e start up- eve.”- u shpreh Hodaj.

Sa i takon procedurave që ndiqen në çdo fazë, ekspertja thotë për Tv Scan se nuk kanë vështirësi nëse ndiqet këshillimi i duhur.

“Nëse këshillimi është pjesë që e përmenda që në fillim, është një aset shumë i madh, një lehtësi shumë e madhe që në fakt qeveria e ofroi në fazën e parë, është këshillimi. Ajo që do sugjeroja unë është një ide totalisht e imja, por mendoj që ndihmon sidomos për start-upet që duan të provojnë a vlejnë. Mendoj se është shumë lehtësuese për diçka që fillon nga zero. Për një të ri që ka një ide është super e kopsitur. Ti provon diçka me lekët e shtetit.”

Në të ardhmen ekspertët e fushës sugjerojnë edhe një ndërthurje me investitorë të huaj për të patur edhe fuqizime më të mëdha.

Start up (Foto Zee business)

Start up (Foto Zee business)

“Diçka që mund të lehtësonte në fuqizim të ekosistemit mendoj që do ishte ndërhyrja edhe me investitorët diçka që nuk e prek thirrja. Start up-et mbeten në raport vetëm me administratën, me financimin e tyre. Start up-et këtu nuk provojnë lëkurën e tyre me një investitor që ka në portofolin e tij disa biznese. Këtu është mungesa, ajo që mund të shtohet në idenë time janë shumë para, këto mund të vendoseshin si një fond garancie dhe mund të nxitësh investitorët që të investonin në start up-e që kishin besim në prototipe të krijuara. Fondi është 3 milionë euro, ndoshta 2 nga 3 është diçka matematikore që mund të vendosej si një fond garancie,  pra që investitorët të nxiteshin që unë të investoj tek një njeri me ide, se nëse këto para i dështon do mbulohen nga shteti.”- tha Hodaj.

Përfshirja në skemën e mbeshtetjes edhe të investitorëve me anë të fondeve të garancisë, sipas ekspertes Hodaj jep siguri dhe nxit që  të testohen sa më shumë ide biznesi.