Novruz Vengo: Kabaja është ndjenjë shpirti
2024-02-24 14:41:34

Novruz Vengo ose “Nokia i Beratit” siç njihet nga të gjithë artistët dhe miqtë e tij, ka një karrierë të gjatë si klarinetist. Ai është i njohur si instrumentist i talentuar në muzikën popullore me klarinetë dhe ka shoqëruar këngëtarët më të njohur popullorë  në çdo cep të botës. Novruz Vengo është cilësuar si një ndër instrumentistët më të mirë në vend, në diasporë e më gjerë dhe gjithë jetën e tij ia ka falur instrumentit të klarinetës. Në një intervistë për Radio Ejani ai tregon për fillimet e karrierës, koncertet në diasporë dhe planet në vazhdim.

Novruz Vengo (Foto personale)

Novruz Vengo (Foto personale)

CMG: Pse ju thërrasin “Nokia i Beratit”  kolegët dhe miqtë?

Novruz Vengo: Kur kemi qenë në maratonën e këngës popullore nëpër qytete të ndryshme të vendit, shoqëroja me klarinetë këngëtaren Irini Qirjako. Irini më thotë se nuk e thoshte dot emrin tim Novruz Vengo sepse i dukej gjatë dhe më thërriste “Nokia i Beratit”. Që në atë kohë më ngeli ky emër  dhe të gjithë këngëtarët me të cilët kam bashkëpunur më thërrasin me këtë emër, Nokia i Beratit.

CMG; Cilët kanë qenë këngëtarët popullorë, me të cilët keni bashkëpunuar nëpër koncerte?

Novruz Vengo: Unë kam bashkëpunuar pothuajse me të gjithë këngëtarët e jugut, duke filluar me Petrit Lulon, Ylli Baka, Mariola Kaçani, Maja, Poni, Rovena Ibrahimi, Dule Malindi, Avni Lushka dhe shumë të tjerë. Dua t’i përshëndes të gjithë këngëtarët që kam punuar nëpër gëzime familjare apo koncerte.

Novruz Vengo duke luajtur me klarinete (Foto personale)

Novruz Vengo duke luajtur me klarinete (Foto personale)

CMG: Si i kujtoni fillimet tuaja si instrumentist?

Novruz Vengo: Unë kam filluar karrierën si instrumentist që në vitin 1976, kur kam qenë shumë i vogël. Në kohën e kooperativave ia dhanë vëllait klarinetën, por ai nuk kishte vesh muzike. Unë ia  merrja vëllait fshehurazi klarinetën dhe i bija. Pastaj e mori vesh dhe përgjegjësi i shtëpisë së kulturës Rrapo Dushku  dhe i jam mirënjohës sepse më ka mësuar hapat e para në muzikë. Më vonë vazhdova të merrja pjesë në aktivitetet e shkollës dhe kur mbarova klasën e tetë më dërguan përgjegjës të vatrës së kulturës në një fshat. Prej vitit 1982 dhe deri në 1990 kemi tetë filmime në Televizionin Shqiptar. Në vitin 1990 e lashë klarinetën dhe kam filluar prapë në vitin 2004.

CMG: Pse kjo shkëputje e gjatë me instrumentin?

Novruz Vengo gjate nje koncerti (Foto personale)

Novruz Vengo gjate nje koncerti (Foto personale)

Novruz Vengo: Unë u shkëputa sepse kam dhe një zanat tjetër, merrem me elektronikën, dhe njeriu për përfitim punon. Ka qenë grupi “Bilbilat e Vrionit”që më riktheu te muzika.

CMG: Keni marrë pjesë  në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës?

Novruz Vengo: Kam marrë pjesë në Festivalin Kombëtar Folklorik, por organizonim çdo vit festivale në Berat, Korçë, Gjirokastër dhe disa rrethe të tjera të vendit. Para viteve 90-të kooperativa jonë ka pasur një grup muzikor shumë të mire dhe kemi patur ftesa për xhirime në radio dhe TVSH.

Novruz Vengo me artiste te tjere gjate nje turneu artistik (Foto personale)

Novruz Vengo me artiste te tjere gjate nje turneu artistik (Foto personale)

CMG: Cilat kanë qenë materialet muzikore që keni publikuar si instrumentist dhe si janë pritur nga publiku?

Novruz Vengo: Kam publikuar mjaft materiale muzikore në kanalin YouTube, pjesë instrumentale, këngë me Petrit Lulon, Ylli Bakën, Mariola Kaçani dhe shumë këngëtarë të tjerë. Gjithashtu kam realizuar dhe një instrumentale me klarinetisitn e madh Hekuran Xhambalin, që gjej rastin ta përshëndes.

CMG: Si erdhi bashkëpunimi me klarinetistin e njohur Hekuran Xhambali?

Novruz Vengo: Unë Hekuranin e kam mik të vjetër  dhe vendosëm që të bënim një bashkëpunim. Kjo instrumentale është pritur mjaft mirë nga publiku.

CMG: Preferoni më tepër të luani kaba, apo instrumentale të gëzueshme?

Novruz Vengo me kengetaret Irini Qirjako dhe Petrit Lulo (Foto personale)

Novruz Vengo me kengetaret Irini Qirjako dhe Petrit Lulo (Foto personale)

Novruz Vengo: Kabaja është ndjenjë shipirti dhe unë kam shumë dëshirë ta luaj, por tani në plan të parë janë këngëtarët, që unë i shoqëroj në çdo koncert me instrumentin tim. Megjithatë kam shkuar nëpër gëzime familjare, ku kabaja kërkohet. Unë tre herë kam shkuar në Australi dhe bashkëatdhetarët tanë atje kabanë e kanë pikë të dobët, por dhe shqiptarët që jetojnë në SHBA dhe Europë, ku kam qenë prezent në mjaft evente.

CMG: Si jeni pritur nga publiku i diasporës gjatë koncerteve ?

Novruz Vengo: Publiku i diasporës na ka pritur shumë mirë, sidomos në Australi na kanë pritur jashtëzakonisht mirë, por dhe në SHBA e Kanada. Kudo që kam shkuar diaspora na ka pritur me të vërtetë shumë mirë.

CMG: Kostumin popullor tradicional e keni veshur në koncerte jashtë vendit?

Novruz Vengo me kengetaret pas nje koncerti (Foto personale)

Novruz Vengo me kengetaret pas nje koncerti (Foto personale)

Novruz Vengo: Në koncerte nuk e kam veshur kostumin popullor, por e kam veshur para viteve 90-të. Gjithashtu e kam veshur dhe gjatë realizimit të videoklipeve të këngëtarëve popullore.

CMG: Mendoni se ka instrumentistë të rinj sot, që e duan muzikën popullore tradicionale?

Novruz Vengo: Ka shumë instrumentistë të rinj, të cilët janë shumë të aftë dhe shumë teknikë, por janë shumë larg muzikës tradicionale popullore. Ata më shumë studiojnë pjesë orkestrale të vendeve të tjera  dhe harrojnë që ne kemi tabanin tonë me një muzikë shumë të bukur. Unë vetë kam ndjekur gjithmonë Hekuran Xhambalin, Laver Bariun, Lulushin e Korçës, që në atë kohë ishin me emër në muzikën popullore. Mendoj se instrumentistët e rinj sot kanë mundësi të marrin plot informacion, mund të dëgjojnë muzikë në YouTube dhe t’i luajnë. Shumë pak janë ata nga brezi i ri që e ndjekin muzikën popullore.

CMG: Përveç trevës së jugut keni luajtur me klarinetë dhe muzikë të trevave të tjera të vendit?

Novruz Vengo: Patjetër që kam luajtur dhe trevat e tjera, sepse në vendet ku kam qenë Australi, Kanada dhe SHBA njerëzit janë nga të gjitha trevat e vendit. Nuk mund të them se jam profesionist për të gjitha trevat, por kam luajtur muzikë sipas kërkesave të publikut.

Novruz Vengo me koleget (Foto personale)

Novruz Vengo me koleget (Foto personale)

CMG: Në cilat koncerte  do të merrni pjesë  në vazhdim?

Novruz Vengo: Kam gati 10 vjet që shkoj në SHBA për koncerte dhe vazhdoj të shkoj sepse jam ndjerë mirë.

CMG: Një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.

Novruz Vengo: Përshëndes të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, duke i falenderuar shumë për besimin dhe emocionet që na kanë përcjellë gjatë koncerteve.

Intervistoi: Gazmend Agaj