(Foto nga instagrami i TKOB)
(Foto nga instagrami i TKOB)
Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit në fund të muajit shkurt do të jetë skena e e tri operave në një natë, të quajtur "Il trittico", ku përfshihen "Il Tabarro", "Suor Angelica" dhe "Gianni Schichi", vepra nga kompzitori i famshëm italian Giacomo Puccini. Operat do të interpretohen nga artiste lirikë shqiptarë dhe italianë ndër të cilët Carlos Almaguer, Armando Likaj, Erlind Zeraliu, Bledar Domi, Vikena Kamenica, Ivana Hoxha, Eva Golemi, Nina Muho, Donata D’annuzio Lombardi, si dhe me pjesëmarrjen e artistit shqiptar me famë botërore Gëzim Myshketa.
“Il Tabarro” është shfaqja e parë që çel Triptikun e Puccinit me 3 opera në një natë të vetme. Një ndërthurrje artistësh të kombësive të ndryshme, me pjesëmarrjen e veçantë të Donata D’Annunzio Lombardi, që do të dhurojë 4 mbrëmje të paharrueshme në TKOB, me muzikën e Puccinit. Në këtë vepër interpretojnë artistët, Carlos Almaguer, Armando Likaj, Erlind Zeraliu, Bledar Domi, Vikena Kamenica, Ivana Hoxha, Dorina Selimaj, Gerald Murrja, etj
“Suor Angelica”, një opera që të mban frymën peshë e trondit themelet e arsyes. Opera është një nga kryeveprat e Puccinit, që pritet të sjellë emocione të forta në skenë. Teatri Kombëtar i Operes dhe Baletit ka njoftuar se artistët që do të mbajnë peshën e një opere të mirënjohur botërore, siç është "Suor Angelica" do të sjellin në skenë emocione të forta. Në veprën “Suor Angelica” interpertojnë artistët, Eva Golemi, Ramona Tullumani,Vikena Kamenica, Ivana Hoxha, Amelda Papa, Ina Gaqi, Renisa Laçka, Suada Gjergji, etj.
Pjesa e tretë e “Il trittico” është opera “Gianni Schicchi”, që ndërthur komedinë me dramën. Teatri ka prezantuar edhe kastin e artistëve në veprën “Gianni Schicchi”, rolin e të cilit do ta interpretojë baritoni i madh shqiptar, që ka shkëlqyer në skenat më prestigjoze evropiane, Gëzim Myshketa dhe baritoni i TKOB-së, Solen Alla. Në rolin e Lauretës do të interpretojnë Renisa Laçka dhe Nina Muho, Zita nga Ivana Hoxha, si dhe në role të tjera artistët e njohur Artur Vera, Denis Skura, Gerald Murrja, etj. Baritoni Gëzim Myshketa kthehet në Shqipëri enkas për këtë shfaqje, së cilës do i japë një tjetër shkëlqim.
Drejtoresha e TKOB Abigeila Voshtina (Foto nga TKOB)
Disa nga artistet qw do te interpretojne ne Il Trittico (Foto nga instagrami i TKOB)
Drejtoresha e TKOB-së Abigeila Voshtina në lidhje me 100 vjetorin e kompozitorit italian Xhakomo Puçini, është shprehur për mediat rreth shfaqjeve që do të vihen në skenë përgjatë këtij viti:
“Kemi ftuar emra të jashtëzakonshëm si Gëzim Myshketa, vjen Danata D’annunzio Lombardi,një nga soprano që ka marrë premium Puccini në Itali dhe në fund fare do të vijë Saimir Pirgu për mbyllje me operan “Tosca” do jetë debuti i tij. Në gusht të gjithë solistët e TKOB do shkojmë në një koncert gala në Torro De Lago dhe do të mbyllet ky vit që do të festohet në të gjithë botën me një nga mrekullitë që Puccini ka shkruar që është, “Messa Di Gloria” “
“Il Trittico” do të vijë në TKOB, nën dirigjinim e maestros Nicolo Jacopo Supa. Me regji nga Ada Gurra dhe skenografi e kostumografi të ardhur nga Italia me ndihmën e Fondazione Festival Pucciniano, fondacion që çon përpara veprën e Puccinit në botë. Në këtë shfaqje një rol të rëndësishëm ka edhe Kori i TKOB-së drejtuar nga Dritan Lumshi, por edhe Kori i Zërave të Bardhë, drejtuar nga Sonila Baboçi. Koncertmaestër për operat do të jenë; Etrita ibrahimi dhe Ingrid Pulizo për “Il Tabarro”, Thanas Paskali për “Suor Angelica”, si dhe Herta Cane për operan “Gianni Schicchi”.
Tri skenografi, të ardhura enkas nga Italia për këtë shfaqje, që janë skicat 3D të skenografive, të cilat do të ndërrohen brenda një nate, do ta bëjnë "Il Trittico" jo thjesht një shfaqje, por një përjetim. E gjitha kjo vjen me mbështetjen e Fondazzione Festival Pucciniano dhe Institutit Italian të Kulturës, në 100-vjetorin e vdekjes së Puccini-t. "Il Trittico", vepra që nuk duhet ta humbisni, do të vijë në TKOB-së në datat 29 shkurt dhe 1, 2, 3 mars, në orën 19:00.
Xhakomo Puçini lindi më 22 dhjetor 1858 dhe vdiq më 29 nëntor 1924. Ai mbetet një nga kompozitorët më të mëdhenj operistikë të fundshekullit të 19-të dhe të fillimshekullit të 20-të. Operat e tij më të njohura janë “ La bohème”, “Toska”, dhe “Madamme Butterfly”, të cilat janë ndër më të shfaqurat në repertorin standard. Puçini shkroi 14 opera, dhe shumë këngë, të cilat janë shumë të njohura nga publiku mbarëbotëror, veçanërisht aria “Nessun dorma”, nga “Turandot”.
Sava Lena