Pse rriten investimet e huaja në Shqipëri?
2024-02-23 15:02:38

Investimet e huaja në Shqipëri (Foto ALTAX)

Ecuria e investimeve të huaja në Shqipëri (Foto A2CNN)

Investimet e huaja direkte në 9-mujorin e parë të vitit 2023 arritën një shifër rekord prej 1.09 miliardë eurosh, niveli më i lartë historik i regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë të vitit, bën të ditur Banka e Shqipërisë, banka qendrore në vend

Për këtë nëntëmujor janar-shtator 2023, vlera e investimeve të huaja direkte u paraqitet në rritje me 10.6 përqind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shtimi i investimeve të huaja direkte po mbështetet fort nga forcimi i monedhës kombëtare, lekut, në kursin e këmbimit valutor në tregun e brendshëm.

Duke qenë që më shumë se gjysma e investimeve të huaja përbëhet nga fitimet e ri-investuara, që përgjithësisht sigurohen në monedhë vendase, vlera e tyre është shtuar, nga mbiçmimi i lekut kundrejt euros në tregun e brendshëm. Vetëm për vitin 2023, ky mbiçmim llogaritet në 13.2 përqind.

Gjatë vitit 2023, sektori i pasurive të paluajtshme kryesoi shtimin e investimet e huaja direkte për të dytin vit radhazi. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për tremujorin e tretë të këtij viti korrik-shtator 2023, investimet e të huajve në pasuri të paluajtshme në Shqipëri arritën vlerën e 95 milionë eurove, ose 24 përqind më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Investimet e huaja në pasuri të paluajtshme për 9-mujorin janar-shtator 2023, arritën vlerën e 222 milionë eurove. Investimet në këtë sektor përbënë më shumë se 20 përqind të investimeve të huaja për vitin 2023.

Blerjet e shtetasve të huaj në vitet e fundit kanë qenë një faktor me peshë në tregun e pronave në Shqipëri dhe kanë luajtur një rol të konsiderueshëm në rritjen e çmimit të pronave, sidomos në periudhën pas pandemisë nga Covid-19. Investimet e huaja direkte kanë vazhduar të rriten pandërprerë në dy vitet e fundit 2022-2023.

Pas pasurive të paluajtshme, sektori i dytë për nga vlera e investimeve të huaja është ai i industrisë nxjerrëse. Për 9-mujorin janar-shtator 2023, investimet në sektorin e industrisë nxjerrëse arritën në 200 milionë euro. Flukset në këtë sektor konsistojnë kryesisht në fitime të riinvestuara të kompanive ekzistuese në aktivitetin e nxjerrjes së naftës bruto.

Megjithëse pasuritë e paluajtshme dhe industria nxjerrëse vazhdojnë të kryesojnë listën e investimeve të huaja direkte, kontributin kryesor në shtimin e tyre gjatë vitit 2023 e dha sektori financiar. Sipas Bankës së Shqipërisë, vlera e investimeve të huaja në degën e aktiviteteve financiare dhe të sigurimit për 9-mujorin janar-shtator 2023 arriti në 166 milionë euro, në rritje me 80 përqind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sektori energjetik renditet i katërti, për nga vlera e investimeve të huaja direkte, me 121 milionë euro për 9-mujorin 2023. Në vitet e fundit, ka një shtim të ndjeshëm të interesit të kompanive të huaja, për ndërtimin e parqeve fotovoltaike dhe eolike. Eksperti i ekonomisë Florian Salaj në intervistë për CMG analizon rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri

CMG: Sipas Bankës së Shqipërisë, investimet e huaja direkte në Shqipëri janë rritur me mbi 10 përqind për periudhën janar-shtator 2023, duke shkuar në 1 miliardë e 88 milionëeuro. Sipas bankës sonë qendrore, ky është niveli më i lartë i regjistruar, që nga nisja e mbajtjes së të dhënave në vitin 2014. Si e komentoni këtë shifër?

Florian Salaj: Kur investimet rriten, patjetër që në pamje të parë, do të flasim mire, për shkak se është rritur stoku i investimeve. Pra, mbi investime të mëparshme, janë bërë investime të tjera shtesë.

Pastaj, po të duam të bëjmë një analizë më të detajuar, duhet të shikojmë dhe të bëjmë krahasimet në kohë, me treguesit njeri me tjetrin. Aty shikojmë që investimet nga viti i kaluar janë rritur, por me një shifër më të vogël nga shtimi në vitin 2022.

Është si puna e asaj që ta shohim gotën gjysëm plot apo gjysëm bosh. Pra, shumë mirë që kemi rritje, por duhet të përpiqemi që kjo rritje të jetë gjithnjë e më shumë konsistente në kohë.

Pra, duhet të bëjmë një analizë të thellë, për të analizuar pse në vitin 2023 ka një rritje më të ulët se sa viti 2022, kur faktorët e tjerë makroekonomikë janë pozitivë në dukje.

Eksperti F. Salaj në intervistë për CMG

CMG: Nga të gjithë partnerët kryesorë të Shqipërisë ka një rritje të investimeve të huaja. Për nëntë muajt e parë të vitit te kaluar janar-shtator 2023, në krye të klasifikimit qëndronte Holanda, për shkak të kompanisë së njohur botërore “Shell”, të kërkimit dhe të shfrytëzimit të naftës, si dhe projektit të saj të zbulimit të naftës në Shpirag të Beratit. Më pas, vjen Italia me 151 milionë euro, ndjekur në vendin e tretë nga Turqia. Komenti juaj për këtë klasifikim, ju lutem.

Florian Salaj: Përsa i përket Hollandës, SHELL-i është një investim gjigant, kështu që do të ndikojë në një ekonomi kaq të vogël si e jona.

Shpresojmë që premisat të jenë ashtu siç duken, që duhet të ketë naftë në sasi industriale, por edhe kthimi i këtyre investimeve që po shkojnë atje,  të jetë sa më i shpejtë për ekonominë tonë.

Italia, nga ana tjetër, është një vend tjetër dhe investimet e saj prej 151 milionë euro për periudhën që ju përmendët, nuk janë në nivelin e duhur.

Kjo, pasi ekonomia jonë është shumë afër Italisë dhe duhet të përthithë më shumë investime. Pra janë nën potencial, por duhet parë që, edhe po të lidhemi me të dhënat e investimeve, investimet e huaja direkte prioritare janë ato në pronë, pastaj ato në industrinë nxjerrese dhe Italia mund të hyjë vetëm tek pronat, se në industrinë nxjerrëse unë nuk di të ketë biznese italiane.

Në sektorin financiar, prapë Italia me bankën Intensa San Paolo mund të ketë ndikim, por gjykoj së rritja më e madhe në këtë sektor ka qenë nëpërmjet Austrisë.

Pra, i përket që Italia të zerë vendin e parë, që janë 220 milionë euro  gjithsej dhe në vendin e katërt vjen industria energjitike, që është rreth 100 milionë euro, për nëntë muajt e parë të vitit të kaluar.

Pra,  janë shtesë, por për nivelin dhe masën e ndikimit që po merr ekonomia jonë, janë të pamjaftueshme. Duhet t’i shtrojmë pyetjen vetes: ok që vijnë, por pse nuk vijnë më shumë?

 

CMG: Pse janë rritur shumë investimet e të huajve në pasuri të paluajtshme në Shqipëri, sipas jush? Për periudhën janar-shtator 2023, ishin plot 222 milionë euro.

 

Florian Salaj: Për arsye se në dy vitet e fundit është zhvilluar ndjeshëm turizmi tek ne. Ka më shumë se dy vite, procesi ka nisur më herët, por në dy vitet e fundit ka shpërthyer.

Në momentin që vendi ynë, Shqipëria fillon dhe dëgjohet në mediat ndërkombëtare, duke qenë kaq pranë Europës Perëndimore, natyrshëm që do të rritet kërkesa për prona në Shqipëri.

 

Duke bërë një llogaritje të thjeshtë, kemi 60 milionë italianë përballë. Kemi një vend që ndodhet midis Greqisë, Malit të Zi dhe Kroacisë, me një bregdet të mrekullueshëm. Gjithnjë, edhe në nivelin e sotëm të lartë të turizmit që po përjetojmë, është shumë pak, për atë që mund të ofrojmë, me potencialin që ne kemi.

Sa mirë që ka filluar ky trend, që janë bërë investimet fillestare. Është ndërhyrë paraprakisht në qendrat urbane dhe mendoj që është një nga sukseset e padiskutueshme.

Të tjerat mund të jenë të diskutueshme. Seicili i interpreton sipas interesit dhe kahut politik, por për qendrat urbane, ka qenë ai investimi i duhur, i cili ka lejuar këtë zhvillim të turizmit.

Kjo qasje duhet të na ndihmojë, që ai rregullatori që është sipër, shteti, i fokusuar në një drejtim përkatës,  duhet të ndihmojë edhe privatët, që të orientojnë edhe ata investimet e tyre. Pra është infrastruktura e duhur që duhet formuar.

CMG: Pse bankat e huaja që kanë filiale në Shqipëri, këto vite nuk e kanë nxjerre fitimin jashtë vendit, por e kanë ri-investuar këtu?

 

Florian Salaj: Duhet theksuar që tregu financiar në Shqipëri është i qëndrueshëm dhe solid. Kjo, për shkak se bankat kanë qenë jashtëzakonisht strikte në dhënien e kredisë, nisur kjo edhe nga viti 1997 dhe kriza që kemi kaluar atëhere.

Pra, besueshmëria ose jo, bankat janë oportuniste, në kuptimin që fitimet e tyre, duke realizuar perceptimin e tyre, raportin risk-përfitim, atëhere ato i mbajnë fitimet dhe i përdorin në Shqipëri. Kjo bëhet duke respektuar strikt legjislacionin dhe ka edhe disa ndryshime rregullatore, që i detyrojnë bankat e huaja të rrisin kapitalet e tyre.

Kjo është një nga arsyet. Tjetra është që, me interesa më të larta që ofron Thesari ynë i Shtetit, bankat kanë fitim të mirë, duke investuar në tituj thesari.  Mendoj këto janë dy elementet kryesore të ri-investimit të fitimit të tyre në vend.

Investimet e huaja në prona (Foto BoldNews.al)

CMG: Në muajt e fundit kemi dëgjuar për shumë tendera që qeveria ka organizuar, për të dhënë leje për shfrytëzimin e energjisë diellore me panelet solare, ose të asaj të erës, me parqet eolike. Në këto ankande kanë shprehur interes për investim shumë kompani të huaja me emër. Opinioni juaj në lidhje me këtë qasje.     

Florian Salaj: Unë mund të flas me perceptimin tim personal, sepse nuk mund të flas me sigurinë e të ardhmes.

Në këtë periudhë që jemi, shihet kudo në botë dhe jo vetëm këtu tek ne, që ka një shtysë të fortë, për të shkuar drejt energjive të rinovueshme.

Dhe sigurisht që duke shkuar drejt energjive të rinovueshme, rreth nesh dhe kudo në botë, po krijohet një kuadër, i cili i incentivon ato globalisht.

Nga ky kuadër, po të kthehemi në vendin tonë, ne mund të përfitojmë, pasi, nëse në sektorët e tjere na duhet të investojmë në infrastrukturë, në sektorin e energjisë ne kemi një infrastrukturë të trashëguar dhe mund ta shfrytëzojmë.  Pra, ne tashmë e kemi 100 përqind energjinë që prodhojmë të rinovueshme dhe kjo mund të shtohet me diversifikimin e saj.

Në një të ardhme, kjo mund të jetë plus i madh,  duke u lidhur me taksën e karbonit dhe të tjera politika të ruajtjes së mjedisit kudo në Europë.

Ne mund të marrin çertifikata të gjelbërta dhe ato mund të jenë potencial dhe element eksporti nga ana jonë.  Pa diskutim që kjo qasje është e nevojshme dhe e dobishme.

CMG: Cilat janë sfidat kryesore me të cilat po përballen investimet e huaja dhe gjithë ekonomia jonë, në rritjen e tyre gjatë këtij viti? Çfarë duhet të bëjë qeveria, për të nxitur shtimin e kapitalit të huaj tek ne?

Florian Salaj: Folëm për rritjen ekonomike të vendit dhe për investimet e huaja. Lidhur me rritjen ekonomike, duhet të shikojmë se cilët kanë qenë faktorët që kanë ndikuar më shumë në këtë rritje. Dhe, mbi të gjitha ka qenë turizmi.  Turizmi do të vazhdojë, sepse jemi në stadin rritës edhe për shumë vite.  Madje, edhe sikur të qëndrojmë në vend, do të shfrytëzojmë inercinë.

Problemi është se sa i qëndrueshëm do të jetë turizmi. Ai zakonisht nuk është i qëndrueshëm. Ka një cikël rritës ose stabililizohet, por ka edhe një cikël rënieje. Ne duhet të shfytëzojmë gjatë kësaj kohe diversifikimin e investimeve, ose të sforcove tona edhe në sektorë të tjerë.

Bazuar kjo, edhe në popullsinë që kemi, në pozicionin gjeostrategjik që kemi, si ekonomikisht edhe politikisht. Duke shfrytëzuar pozicionin.

Këtu kam ndërmend portet. Shqipërisë  i thonë edhe Porta e Ballkanit, por këto vite nuk është përdorur si e tillë. Transporti tek ne, të ardhurat doganore që janë të konsiderueshme, nuk kanë bërë rritjen e duhur. Pra, nuk kanë qenë të qëndrueshme. Nuk kanë qenë të tilla, për një  investim në një port të pastër mallrash. Kemi pozicion shumë të favorshëm dhe portet sot nuk i kemi dhe nuk do t’i kemi edhe për një periudhë disavjeçare, derisa të ndërtohet porti i Porto Romanos.  Kjo është shumë thelbësore, për optimizimin e burimeve që ne kemi.

Intervistoi Fatos Çoçoli