Foto nga Xinhua
Azia Juglindore është bërë një nga destinacionet më të njohura për udhëtarët kinezë gjatë festës së fundit të Vitit të Ri Kinez, duke ofruar prova të mëtejshme se turizmi i jashtëm i vendit po rimëkëmbet fuqishëm. Tajlanda, Singapori, Malajzia, Indonezia dhe Vietnami ishin ndër 10 destinacionet më të njohura për udhëtime jashtë vendit gjatë festës së Vitit të Ri Kinez, sipas të dhënave nga platforma kineze e udhëtimeve në internet, Trip.com.
Sipas Administratës Kombëtare të Emigracionit, më shumë se 13.5 milionë udhëtime hyrëse dhe dalëse u regjistruan gjatë sezonit të festave.
“Ndërsa Kina zbaton një politikë pa viza për një rreth më të madh miqsh, udhëtimet hyrëse dhe dalëse janë në rritje, me më shumë turistë kinezë që shkojnë jashtë vendit dhe më shumë udhëtarë të huaj që vizitojnë Kinën”,- tha të hënën zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning.
"Festa e Pranverës u bë koha kulmore e turizmit global",- tha Mao në një konferencë të përditshme shtypi.
Tajlanda mirëpriti afro 880,000 vizitorë të huaj midis 5 dhe 11 shkurtit, sipas Ministrisë tajlandeze të Turizmit dhe Sporteve. Po ashtu, pati një rritje të konsiderueshme të mbërritjeve nga Azia Lindore dhe Azia Juglindore, veçanërisht nga Malajzia, Singapori dhe Koreja e Jugut.
Nga këto rajone, Kina u rendit në krye për numrin e turistëve gjatë Festës së Pranverës me afro 200,000 vizitorë, një rritje prej 38 për qind krahasuar me javën paraardhëse. Politika e përjashtimit nga vizat për vizitorët nga Kina, India dhe Kazakistani, dhe frekuenca e shtuar e fluturimeve po mbështesin shumë industrinë e turizmit tajlandez, tha në një konferencë të fundit për shtyp ministri tajlandez i Turizmit dhe Sporteve.
Kina dhe Tajlanda nënshkruan një marrëveshje për përjashtimin e ndërsjellë të vizave për mbajtësit e pasaportave të zakonshme dhe pasaportave për çështjet publike muajin e kaluar. Politika do të hyjë në fuqi më 1 mars dhe pritet të nxisë shkëmbimet njerëzore mes dy vendeve.
Pinit Jarusombat, president i Këshillit të Marrëdhënieve Kulturore Tajlandeze-Kineze, tha se politika pa viza do të stimulojë turizmin dhe do të forcojë më tej lidhjet dypalëshe midis Kinës dhe Tajlandës.
"Tajlanda është një nga destinacionet më të njohura midis kinezëve pasi të dy kombet kanë lidhje të ngushta kulturore. Gjithashtu, Tajlanda është një qendër për investime dhe arsim në rajonin e ASEAN",- tha ai, duke iu referuar bllokut të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore.
Sipas mediave lokale, turistët kinezë shpenzojnë mesatarisht të paktën 20,000 juanë (2,780 dollarë) për person gjatë udhëtimeve në Tajlandë. Këto të ardhura kanë kontribuar për bizneset në nivele të ndryshme.
Tajlanda po pret një bum të vizitorëve gjatë Songkran - festivali i ujit që bie në prill dhe shënon fillimin e Vitit të Ri tradicional Thai.
Pas zbatimit të një politike pa viza për udhëtarët kinezë dhjetorin e kaluar, Malajzia regjistroi një total prej më shumë se 100,000 turistësh kinezë gjatë Festës së Pranverës, një rritje prej 50 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, raportoi “Sin Chew Daily”.
Operatorët turistikë vendas vlerësuan se këta turistë shpenzuan midis 1 miliard (208.59 milionë dollarë) dhe 1.5 miliardë ringgit në vend.
Megjithëse nuk është një festë zyrtare në Kamboxhia, Viti i Ri Kinez festohet gjerësisht dhe më shumë se 1 milion turistë vendas dhe të huaj vizituan Kamboxhian gjatë Festës së Pranverës, sipas Ministrisë së Turizmit.
Top Sopheak, sekretar i shtetit dhe zëdhënës i Ministrisë së Turizmit të Kamboxhias, tha se ai besonte se numri i vizitorëve kinezë gjatë festivalit ishte në rritje pasi kishte shumë rezervime të fluturimeve dhe guidave turistike nga pushuesit kinezë.
Cheng Mingming, profesor i marketingut digjital në Universitetin Curtin në Australi, tha se kostot më të ulëta të udhëtimit krahasuar me destinacionet për distanca të gjata dhe marrëveshjet pa viza e kanë bërë Azinë Juglindore më tërheqëse gjatë pushimeve.
"Mediat sociale, në veçanti, po luajnë një rol shumë vendimtar për brezat e rinj",- tha Cheng, duke shtuar se shumë turistë kinezë në Azinë Juglindore janë udhëtarë individualë dhe shpesh përdorin platformat e mediave sociale për të mbledhur informacione.
Duke vënë në dukje se Azia Juglindore ka qenë një destinacion popullor për udhëtarët kinezë shumë kohë përpara pandemisë Covid 19, Cheng tha se ai pret që Azia Juglindore të mbetet ndër destinacionet më të njohura për turistët kinezë, së bashku me Maldivet, Japoninë dhe Korenë e Jugut.