Robotët bëjnë punë bujqësore në periferi të Shangait
2024-02-23 10:02:19

Bujqësia rurale ka qenë prej kohësh e lidhur ngushtë me bagëtinë, parmendën dhe punën fizike. Por sot ka edhe robotë bujqësorë dhe lloj-lloj pajisjesh të tjera inteligjente, duke shënuar një ndryshim të rëndësishëm në praktikat bujqësore.

foto nga VCG

foto nga VCG

Në fermën “Diantian” në Shangain rural, ky transformim është i dukshëm. Aty, robotët e operuar nga inxhinierët kanë zëvendësuar parmendat  bujqësore konvencionale.

Midis inxhinierëve është Li Wei, i cili e drejton robotin e tij bujqësor me saktësi, duke shtrënguar një kontrollues. Ai është vetëm një nga mbi 70 inxhinierët që punojnë në kooperativën rurale “Diantian”, ku orizi është prodhimi kryesor.

Gjatë shtatë viteve të fundit, ata janë angazhuar në procese të kërkimit dhe zhvillimit, që kanë rezultuar në krijimin e mbi 60 llojeve të robotëve bujqësorë, të aftë për të kryer detyra që variojnë nga mbjellja e kulturave bujqësore deri në korrjen e tyre. Robotët përdorin këmbë zvarritëse, që mund të lëvizin me mjeshtëri lloje të ndryshme të terrenit, ndërsa sistemi i tyre operativ i inteligjencës artificiale shërben si tru për të planifikuar lëvizjet e tyre.

Fermerët thjesht duhet të futen në sistem përmes programit “WeChat”  në celularët e tyre dhe të aktivizojnë robotët.

foto nga VCG

foto nga VCG

"Unë u rrita në fshat dhe e di që puna në fermë mund të jetë jashtëzakonisht rraskapitëse",- tha Wang Jinyue, kreu i kooperativës bujqësore “Diantian”.

Ndryshe nga e kaluara, një varg i gjatë robotësh bujqësorë po qarkullojnë në fushë për të ndihmuar me punët bujqësore.

Ata funksionojnë me efikasitet, saktësi dhe pa u lodhur, tha Wang, duke vënë në dukje se teknologjitë si 5G, njohja e imazhit dhe të dhënat e mëdha u mundësojnë robotëve të llogarisin me shpejtësi distancën nga të korrat dhe të arrijnë korrje të shpejtë brenda sekondave. Robotët jo vetëm që mund të bëjnë dallimin e saktë midis barërave dhe të korrave, por gjithashtu drejtojnë tehet e specializuara për të hequr barërat e këqija me saktësi, tha ai, duke shtuar se çdo robot mund të funksionojë për tetë orë me një karikim prej një ore.

Robotët bujqësore në fermën “Diantian” janë të pajisur me Sistemin Satelitor të Navigimit BeiDou të Kinës, i njohur gjithashtu si BDS. Sistemi BDS përdoret në më shumë se 100,000 grupe të sistemeve të drejtimit të automatizuar të makinerive bujqësore në Kinë.

Modernizimi i bujqësisë është duke u zhvilluar në të gjithë vendin. Në Hanzhong, provincën Shaanxi, pajisjet inteligjente e kanë bërë kultivimin e perimeve më efikase dhe me kosto më të mirë. Aty një fermë e automatizuar perimesh ka arritur prodhim pa pilot në të gjithë procesin e kultivimit të perimeve me gjethe jeshile. Një sipërfaqe për mbjellje perimesh, që përfshin rreth 13 hektarë, kërkon vetëm pesë fermerë.

foto nga VCG

foto nga VCG

Kina publikoi dokumentin e saj nr. 1 qendror për vitin 2024 në fillim të këtij muaji, duke përshkruar prioritetet për promovimin gjithëpërfshirës të vitalizimit rural këtë vit. Në dokument bëhet thirrje për konsolidimin e mbështetjes së shkencës dhe teknologjisë bujqësore dhe intensifikimin e kërkimit mbi teknologjitë thelbësore të burimeve të mikroplazmës. Sipas Ministrisë së Bujqësisë dhe Çështjeve Rurale, shkalla e kontributit të progresit shkencor dhe teknologjik bujqësor tejkaloi 62 për qind në vitin 2022, me shkallën e përgjithshme të mekanizimit të kultivimit dhe korrjes së kulturave bujqësore që arriti në 73 për qind.