Kryediplomati kinez: Kina qendron e vendosur si forcë stabilizuese në botën e trazuar
2024-02-22 15:19:12

foto nga CFP

Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi  mbajti fjalim në Konferencën e Sigurisë të Munihut / foto nga CFP

Kina do të jetë në mënyrë të vendosur një forcë stabilizuese në botën e trazuar dhe do të nxitë bashkëpunimin midis vendeve të mëdha mbi bazën e respektit dhe besimit të ndërsjellë, do t'u përgjigjet çështjeve të pikave të nxehta me anë të dialogut  e konsultimeve, do të forcojë qeverisjen globale nëpërmjet solidaritetit e bashkëpunimit dhe do të nxitë rritjen globale përmes hapjes e përfitimeve të përbashkëta.

Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi i tha këto në një konferencë shtypi të mërkurën, pas pjesëmarrjes në Konferencën e Sigurisë të Munihut dhe përfundimit të vizitave në Spanjë dhe Francë.

Mbi Konferencën e Sigurisë të Munihut

Kina ka lëshuar një sinjal të fortë në Konferencën e Sigurisë së Munihut se është e vendosur të bëhet një forcë stabilizuese në botën e trazuar, tha Wang Yi, pavarësisht nga tema "Humbje për të gjithë" e konferencës që thekson sfidat përpara botës.

Kina ka për qëllim të nxisë bashkëpunimin mes fuqive të mëdha me respekt e besim të ndërsjellë, të përballojë çështjet e vështira ndërmjet dialogut e bisedimeve, të përmirësojë qeverisjen globale në bazë të solidaritetit e bashkërendimit dhe të përshpejtojë rritjen globale me anë të përfitimeve të përbashkëta.

Ministri i Jashtëm i Kinës tha se kishte një takim të sinqertë, thelbësor dhe konstruktiv me homologun e vet amerikan Antony Blinken në kuadër të konferencës. Pekini thekson se ShBA-ja duhet ta shohë zhvillimin e Kinës në një mënyrë racionale dhe të zbatojë konsensusin e arritur nga të dy krerët e shtetit në takimin e tyre në San-Francisko.

Është kërkesë e pashmangshme e historisë që Kina dhe ShBA-ja të ruajnë respektin e ndërsjellë, bashkëjetesën paqësore dhe bashkëpunimin me përfitime të përbashkëta, tha kreu i diplomacisë kineze.

Mbi konfliktet rajonale

Wang Yi theksoi rëndësinë e zgjidhjeve politike për krizën e Ukrainës dhe konfliktin Palestinë-Izrael, ndërsa përsëriti edhe qëndrimin e Kinës se të gjitha palët duhet të këmbëngulin në përpjekjet e tyre për nxitjen e bisedimeve të paqes dhe kërkimin e zgjidhjeve të drejta e të arsyeshme për parandalimin e pasojave të përhapjes dhe të përkeqësimit.

Kina do të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv në rivendosjen e paqes në Ukrainë dhe ndërkohë do të mbështesë formimin e një kornize të ekuilibruar, efektivr dhe të qëndrueshme të sigurisë evropiane, tha Wang.

Konflikti palestinezo-izraelit ka shkaktuar tashmë vdekjen e mbi 30 mijë civilëve dhe zhvendosjen e 1.9 milionë të tjerëve gjatë 100 ditëve të fundit, theksoi Wang, duke i bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të bëjë përpjekje të përbashkëta për armëpushim.

Qëndrimi i Kinës ka qenë i qartë që nga fillimi, d.m.th. arritja e armëpushimit të menjëhershëm, sigurimi i ndihmës humanitare, lirimi i gjithë të burgosurve dhe rikthimi i "zgjidhjes me dy shtete", me qëllim që të arrihet paqja afatgjatë në rajon.

Për bashkëpunimin me Evropën

Duke folur për të ardhmen, Wang Yi vuri në dukje që bashkëpunimi dhe partneriteti duhet të jenë toni kryesor i marrëdhënieve Kinë-Evropë.

"Ka gjithnjë e më shumë zëra racionalë lidhur me Kinën në Evropë," tha kryediplomati kinez. Ai vuri në dukje se Evropa ka mbajtur një qëndrim pozitiv në drejtim të përmirësimit të lidhjeve të saj me Kinën, veçanërisht në fusha të tilla si tregtia, energjetika, zhvillimi i gjelbër, digjitalizimi, arsimi dhe shkëmbimet njerëzore.

Kina i mirëprit vendet evropiane të ndajnë mundësitë e tregut kinez dhe të marrin pjesë në përparimin e mëtejshëm të hapjes së saj, tha Wang, duke premtuar zgjerimin e hapjes së tregut kinez për hyrjen e më shumë kompanive evropiane.

Wang foli gjithashtu për marrëdhëniet dypalëshe me Francën dhe Spanjën pas dy vizitave të tij, duke thënë që Kina synon forcimin e bashkëpunimit dhe të shkëmbimeve me të dyja vendet në të ardhmen. (Wang Lei/ Artan)