Në Mynih të Gjermanisë u zhvillua këto ditë Konferenca e Sigurisë e përvitshme. Ishte 60 vjetori i kësaj konference, që do të thotë se ishte edhe e 60-ta konferencë e Mynihut. Në këtë konferencë kësaj radhe nuk kishte shumë prej kryeministrave dhe kryetarëve të shteteve. Por shefat e diplomacisë, përveç atij të Rusisë dhe pak vendeve të tjera, ishin të pranishëm. Aty e mori fjalën gjithashtu shefi i diplomacisë së Republikës Popullore të Kinës, Wang Yi, si dhe homologë të tjerë të tij, si Blinken etj.
Nëse ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi nuk do t’i jepte një imazh pozitiv, konferenca mund të konsiderohej për herë të parë si e dështuar. Aq sa shefi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Joseph Borrell, tha se Fuqitë e Mëdha nuk duan paqen, ato janë për luftën. Por Kina, nga ana e saj, me qëndrimet e veta kësaj radhe, si edhe më parë, vazhdon të japë një rreze shprese se bota nuk do të përfshihet në një konflikt të përgjithshëm të armatosur.
ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi u takua me shefin për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Joseph BorrellFoto:MPJ)
Megjithatë, disa qarqe në Perëndim vazhdojnë të flasin për problematikat hipotetike të Kinës. Disa thonë se “Kina keqtrajton ujgurët dhe pakicat e tjera”! E ndërkohë nuk shohin që është përkeqësuar në ekstrem respektimi i lirive dhe të drejtave të njeriut në vetë SHBA-të e në shtete të ndryshme të Europës. Ka politikanë e diplomatë të cilët, ndonëse janë të gatshëm të “kritikojnë” Kinën, përkrahin politika dhe filozofitë e stabilokracisë në zemër të Europës, duke toleruar në ekstrem autokracitë e kontinentit. Madje autokratët kanë filluar t’i nderojnë dhe himnizojnë si “udhëheqës të shquar e burra shteti”! Dhe e gjitha kjo ndodh në kakofoni të orkestruar. Ndërkaq, po të njëjtit e kanë gojën plot për të qëmtuar qimen në kazanin e madh të supës kineze.
Por kryediplomati kinez dha mesazhe të qarta e të paekuivok në Mynih. U shpreh se është për marrëdhënie të mira më SHBA-të dhe Bashkimin Europian dhe paralajmëroi se përkeqësimi i këtyre marrëdhënieve shkon në dëm të stabilitetit dhe paqes globale. U angazhua për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë dhe në Gaza me dialog dhe përmes një plani për paqen. Premtoi një rol të ri edhe më të vendosur e të avancuar të Republikës Popullore të Kinës në respektim të ligjit ndërkombëtar dhe rendit të sotëm botëror. Kërkoi më shumë bashkëpunim dhe gatishmëri për të respektuar paqen e kështu me radhë.
ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi u takua me homologun e tij amerikan Antony Blinken(Foto:MPJ)
Natyrisht që në çështjen e Tajvanit Kina do t’i përmbahej politikës permanente e konsekuente të nocionit të një Kine, pra të bashkimit të ishullit me Republikën Popullore të Kinës. Dhe këtë Wang Yi e ritheksoi jo vetëm në konferencën e Mynihut, por edhe në intervistat e tij në media të ndryshme të vendeve perëndimore. Ndërsa disa qarqe armiqësore me Kinën e interpretuan këtë synim të Pekinit si “shpallje lufte në llojin e luftës në Ukrainë kundër ishullit të Tajvanit”! Në perceptimin tim konsekuenca kineze për çështjen e Tajvanit është politikë e vazhdimësisë nga një udhëheqës te tjetri në Kinë. Nuk ka e as ka ndodhur ndonjë ndryshim. Përkundrazi, nëse sot kemi në disa raste tensionim të situatës, kjo vjen për shkak të ndërhyrjeve që bëjnë SHBA-të dhe disa vende europiane, më saktë politikanë të caktuar të këtyre vendeve, në Tajvan. Veprimet e Kinës janë pasoja, jo shkaku. Kina dëshiron një bashkim paqësor, i cili nuk tensionon marrëdhëniet rajonale ose globale. Kjo do të thotë se udhëheqësit kinezë kanë marrë kohën e nevojshme për realizimin e këtij procesi.
Roli kinez në ruajtjen e rendit të sotëm botëror varet shumë nga partnerët e Pekinit. Sidomos nga SHBA-të dhe Bashkimi Europian e vendet e tij. Por edhe nga Britania e Madhe. Nëse këto vende do të punojnë me sinqeritet me autoritetet shtetërore të Kinës, atëherë shtensionimi i situatave konfliktuale në botë do të jetë më i shpejtë dhe më i sigurt. Kjo do të evitonte përshkallëzimin e konflikteve në një luftë botërore dhe do të parandalonte përdorimin e armëve bërthamore. Kina është e vendosur dhe ka theksuar qartë se është kundër përdorimin të këtyre armëve. Paralajmërimi i saj ka ndodhur para së gjithash ndaj aleates së vet, Rusisë. Ky qëndrim ka domethënie të jashtëzakonshme. Sepse përdorimi i armëve bërthamore do të shkaktonte një tragjedi njerëzore apokalipsi.
Kryediplomati kinez Wang Yi në konferencën e sigurisë të Mynihut(Foto:MPJ)
Ky qëndrim i Pekinit në kohët e sotme të trazuara është vërtet inkurajues dhe shpresëdhënës për kombet me rol jo përcaktues në gjeopolitikën botërore ose kontinentale. Nëse të gjitha Fuqitë e Mëdha do të merrnin pozicione të tilla ndaj paqes dhe stabilitetit global, atëherë do të krijohej mundësia e zgjidhjes së konflikteve aktuale, veçmas në Ukrainë dhe në Gaza. Ndalimi i luftës dhe negocimi I paqes është rruga e vetme e daljes nga kriza. Kina po bën pikërisht këtë gjë.