Teatri shëtitës “Çajupi” shfaq në Durrës  dhe Tiranë tragjedinë “Elektra”
2024-02-22 11:27:13

Shfaqjen “Elektra” të Sofokliut, e ka rikthyer në skenë regjisori Kiço Londo me  teatrin shëtitës “Çajupi”. Shfaqja transmeton në publik mesazhe të forta që mbërrijnë mjaft aktuale nga kohët antike në ditët e sotme. Kjo tragjedi e shkruar gjatë shekullit të pestë para Krishtit, erdhi tek publiku përmes aktualitetit, duke synuar një katarsis, mbi të gjitha shpirtëror.  Pas suksesit në Durrës, shfaqja u vu në skenë edhe në Tiranë në Teatrin Kombëtar Eksperimental nga 19-21 shkurt dhe u mirëprit nga publiku.

Foto nga facebook

Foto nga facebook

Aktorja Laura Nezha, në rolin e Elektrës  shkëlqeu në skenë, por nuk mbetën pas larg saj as aktorët e tjerë të shfaqjes, ndërsa kori kaloi nga situata në situatë me një fleksibilitet të madh aktrimi. Një përshtatje e guximshme kombinimi i aktorëve të vjetër dhe të rinj, konsideruar si një shfaqje me standard shumë të lartë, me lojën fantastike të 12 aktorëve protagonistë. Një gjetje dhe harmoni mjeshtërore e gjithë elementëve estetikë të shfaqjes. Aktorët dhe të gjithë kontribuuesit e padukshëm  janë të lidhur si një trup i vetëm dhe japin shpirtin e tyre. Regjisori Londo ka dashur të ketë një grup aktorësh në shfaqje që nuk kontrollohen. Aktorët më të "pakontrolluar" te "Elektra" janë vajzat e korit. Ato kanë bërë një përpjekje të madhe për të gjetur ritmin dhe lojën në performancë.

Foto nga Shfaqja  Elektra

Foto nga Shfaqja  Elektra

Puna e regjisorit me korin nuk ka të bëjë as me të kënduarit, as me të kërcyerit, por përpjekja për të gërmuar në të vërtetën e një shfaqje. Kori përfshin  Medi Gurra - me gjuhën e  saj të ndjeshme, të ngrohtë dhe thellësisht njerëzore. Greta Baci - poetike, e butë dhe e dhimshme. Asiana Koka - dinamike, e mençur, e etur për të kaluar pengesat. Melisa Manuka - me sy të dëshirueshëm për rrugëzgjidhje, lojë aktive dhe mbreslënëse. Suela Prendi - me ndjeshmëri dhe përkushtim të lartë gjatë gjithë shfaqjes. Kori i Elektrës i veshur me një vello tragjike është zhytur me dinjitet në zemër të shfaqjes, duke përmbushur tejkalimin e dhunës përmes solidaritetit, dashurisë dhe humanizmit.

Regjisori Kiço Londo është shprehur për mediat:

“Kemi sjellë një shfaqje bashkëkohore, pa shtrembërime, pa prerje pa deformime. I kemi mëshuar anës primitive, dekori është një therrtore, dritëhijet në shfaqje janë evidente, prania e babait të vdekur është gjithmonë aty, Perënditë janë aty, njerëzit e qiellit janë aty, njerëzit e nëntokës janë aty, publiku vjen në errësirën që shkaktojmë ne në teatër. Merr dritën e kësaj errësire, për të ndriçuar errësirën e vet”

Foto nga Shfaqja Elektra (Foto nga facebook)

Foto nga Shfaqja Elektra (Foto nga facebook)

Lidhur me realizimin e shfaqjes ai shton:

 “Besoj se kemi bërë një gjë që është e jona, është Elekra jonë, me energjinë tonë, me dashurinë e vizionin tonë për një Elektër bashkëkohore. Elektra nuk është një heroinë stereotipe, është një peronazh me dritë-hije, e gjithë shfaqja është një personazh me dritë-hije. Të vrasësh nënën është një gjë shumë e vështirë, nuk ka një heroinë. Ka një personazh që për pak sekonda humbet zërin, humbet dritën, shikimin dhe vdes e gjallë. ”

Gjatë lojës dramatike në skenë, në fund ka një fije drite, që është mesazhi që përcjell vepra. Regjisori Londo shton: “T’i shpëtojnë errësirës, t’i shpëtojmë urrejtjes dhe le të biem sa më shumë në krahët e buzëqeshjes.”

Foto nga Shfaqja Elektra (Foto nga facebook

Foto nga Shfaqja Elektra (Foto nga facebook

Shfaqja “Elektra” përcolli në publik emocione të thella. Një arritje e mrekullueshme e aktorëve. Një energji e papërshkrueshme.

E shkëlqyer, me kalime të shpejta, të guximshme  dhe të thella vjen aktorja Laura Nezha. Interpretim shkollë i Alert Çeloaliaj. Fantastike dhe e bukur errësira e Gladiola Harizajt në një botë të errët. E këndshme, tingëlluese dhe e goditur, prezenca e Denisa Demajt në rolin e motrës. I dashur dhe me ndikim,  Ëngjëll Hoxha që   ndihmoi shikuesin të zhytej në atmosferën dramatike. Edhe pse në një rol “dytësor” Gert Ferra hyri dhe doli i mrekullueshëm, duke i vënë një pikë të bukur shfaqjes. Me elegancë dhe shkathtësi ndihmoi rrjedhën e komplotit Kevin Rrapaj. Shumë interesante, por edhe mahnitës ishin kostumet e shfaqjes. Thertore  e veçantë, bindëse dhe  me shumë plastik, dekori primitiv. Një shfaqje e arrirë, si dhe besnike ndaj tekstit.

“Elektra”, shfaqja sipas tekstit të Sofokliut, tregon historinë e Elektrës, fëmijë i etur dhe paduruar, e cila kërkon hakmarrje për vrasjen e babait të saj. Shfaqja është një tërbim emocional dhe fizik. Përmes temave të drejtësisë, familjes dhe hakmarrjes, shfaqja eksploron pasojat e zemërimit të pakontrolluar dhe fuqinë e faljes.

Foto nga Shfaqja Elektra

Foto nga Shfaqja Elektra

Përtej teatrit, përtej letërsisë, përtej hakmarrjes “Elektra” e Teatrit Shëtitës “Çajupi”, synon të flasë për një shoqëri ku gjërat janë përmbysur keq dhe në mënyrë të rrezikshme. Plaga e Elektrës, që interpretohet nga aktorja Laura Nezha, lidhet në shfaqje me ekzistencën për të ndjekur një  destinacion. Shfaqja kulmohet nga pjesëmarrja surprizuese e aktorit aristokrat shqiptar, profesionalisht i virtytshëm, Alert Çeloaliaj në rolin e mësuesit dhe nga pjesëmarrja e aktores koloraturë Gladiola Harizaj në rolin e nënës, që përdor dukshëm makthin dhe zemërimin e personazhit në avantazhin e saj aktorial. Edhe në frazat më të larta të Gladiolës ka një delikatesë të errët, që e bën të vështirë heqjen e maskës.  

Shfaqja fillon me një shpërthim kulmor intensiv, me efekt rrënqethës që Nezha e ruan deri në fund të shfaqjes, deri sa bashkë me fikjen e zërit i shuhet edhe shikimi. Moderniteti vjen jo nga teknologjia e lartë, por nga primitiviteti ekstrem dhe ambicioz. Teksti është përkthyer në shqip me mjeshtëri nga Lorena Pleqi dhe është redaktuar nga Stavri Trako. Shfaqja “Elektra” e cila është një produksion i Teatrit Shëtitës “Çajupi”, pas suksesit në Teatrin e Durrësit, “Aleksandër Moisiu”, si dhe në Tiranë në Teatrin Kombëtar Eksperimental, pret të udhëtojë në qytete të tjera të vendit, e më pas do të shëtisë edhe drejt Greqisë, në Selanik dhe Athinë.

Përgatiti: Sava Lena