Izet Duraku: Kemi nevojë për institucionin e mirënjohjes
2024-02-22 09:37:39

Izet Duraku ka studiuar për Gjuhë-Letërsi shqipe në Tiranë, ku fillimisht u shfaq pasioni i tij për gazetarinë. Si bashkëpuntor në gazeta të ndryshme, Duraku ka përjetuar një fazë shumë tërheqëse të jetës së tij, duke shkruar dhe ndarë informacione në një kohë kur gazetaria ishte një mision për të zbuluar e përhapur të vërtetën dhe më pas përjetoi emocione kur ishte në role më të larta dhe drejtuese.

Izet Duraku ( foto personale)

Izet Duraku (foto personale)

Në intervistën për Radio Ejani ai flet për kohën e studimeve dhe karrierën si gazetar.  Duraku ka theksuar rëndësinë e miqësisë dhe respektit, duke e shfaqur atë si një virtyt kyç në shoqëri. Po ashtu, ai ka ndarë mendimet mbi rëndësinë e parimeve të trashëguara nga prindërit e tij, që kanë shërbyer si udhërrëfyes në ndërtimin e karakterit dhe sjelljes së tij. Ai ka hedhur dritë mbi pasionin e tij për letërsinë dhe shkrimin, duke rrëfyer sfidat në botimin e librit të tij të parë me poezi. Biografia e tij përfshin ngjarjet dhe vendimet që e kanë formuar, duke e bërë atë një figurë të njohur dhe të respektuar në fushën e gazetarisë dhe letërsisë.

CMG: Kur ka nisur puna juaj si gazetar, nëse shkojmë në një retrospektivë të gjatë?

Izet Duraku: Ky është një mision i së vërtetës. Jeta nuk është propaganda, por informim dhe kënaqësi. Fillesat e mia janë shumë të hershme. Kjo ka lidhje me vitet e largëta të studimit në degën e Gjuhë-Letërsi Shqipe në Tiranë. Fillimisht isha prezent përmes shkrimeve në gazeta të ndryshme. Ndërkohë  isha bashkëpunëtor me kohë të plotë për rreth dy vite si gazetar. Kjo ka qenë kënaqësi për mua sepse më jepte një mundësi për të takuar shumë njerëz dhe për të zgjeruar gjithë rrethin tim.  Në atë kohë nuk ka pasur kaq shumë studentë, ishim pak dhe suportonim njëri-tjetrin. Ardhja ime në Tiranë ishte një trampolinë. E kisha ëndërr Tiranën, më ka pëlqyer gjithmonë ky qytet, shumë i vrullshëm. Mëngjeset në Tiranë ishin të vrullshme, punëtorët ishin gjithnjë në lëvizje. Gazetaria, përveç pasionit kishte edhe kufizimet e veta, por mjafton që kishim vullnetin e mirë. Në atë kohë kishim një përpjekje për ta pasuruar gjuhën shqipe dhe largimin e fjalëve të huaja nga ajo që ne adresonim.

CMG:  A janë njësoj mëngjeset e tanishme me ato të dikurshme?

Izet Duraku me shkrimtarin Ismail Kadare ( foto personale)

Izet Duraku me shkrimtarin Ismail Kadare (foto personale)

Izet Duraku: Mëngjeset nuk janë më njësoj në Tiranë, çdo gjë ka ndryshuar dhe është bërë më me ritëm dhe kjo gjë na ka ndikuar të gjithëve, për të ndaluar dhe për të kuptuar se si vrapon koha. Por, mendoj se kështu ndodh kudo. Jeta është dinamike. Ku ka gjallëri, ka punë por edhe lodhje, megjithëse lodhja nuk është e keqe, duhet të ndodhë për të bërë njerëzit të mësojnë më shumë.

CMG: A jeni ndjerë të vlerësuar në atë kohë?

Izet Duraku: Po jam ndjerë. Në atë kohë kishte diçka pozitive, sepse njerëzit të cilët kishin vlera publikoheshin, thuhej e mira me zë më të lartë se sot. Unë jam me parimin që njeriu me vlera duhet vlerësuar në sy. Duhet thënë e mira sepse prej saj lindin veprime pozitive, njerëzit duhen motivuar në çdo loj forme për t’u përsosur dhe për t’u bërë qytetarë të mirë. Përshembull, në atë kohë kishte vende të ndryshme në shkollë apo kënde në gazeta, të cilat i jepnin zë të fuqishëm të gjithë të rinjve.

CMG: Si u ndjetë kur u bëtë prind ?

Izet Duraku: Unë u bëra prind i një vajze. Nuk mendoj se kishte emocion më të forte, i cili më përshkroi në momentin kur e mora atë në duar dhe i dhashë dashurinë time. Asokohe të gjithë kërkonin që fëmija e parë të ishte një djalë. Unë ndryshe nga rrethi im kërkoja që fëmija e parë të ishte vajzë. Sot i kam të dy edhe djalin edhe vajzën dhe secili prej tyre ka rëndësinë e vet në jetën time.

CMG: A ju ke dhënë mjaftueshëm kohë, pasi kjo është sfidë për gazetarët?

Izet Duraku dhe familja e tij ( foto personale)

Izet Duraku dhe familja e tij (foto personale)

Izet Duraku: Ju kam dhënë shumë kohë dhe dedikim, por sa herë që e mendoj këtë pyetje, ndihem keq sepse ndoshta duhet t'iu kisha dhënë më shumë dashuri. Mund t’i kisha përkëdhelur më tepër fëmijët e mi, por zgjodha që të isha me ta në atë rrugëtim disi më autoritar. Përkundrazi, kjo i ka ndihmuar sepse i bëri më të fortë në rrugëtimin e jetës së tyre dhe i drejtoi ata në çdo fushë të jetës në të cilën sot ndodhen. Unë e kam marrë pas shpërblimin e tyre, sepse të dy kanë dalë në jetë dhe janë të suksesshëm.

CMG: Çfarë roli ka zënë miqësia në jetën tuaj ?

Izet Duraku: Unë jam miku i shumë miqve. Nëse kam bërë diçka të mirë në jetë është që kam ndërtuar  miqësi kudo. Respekti si virtyt duhet të shquhet si një vlerë e lartë e shoqërisë.

CMG: Çfarë ju ka mbajtur larg veseve dhe një rruge jo të drejtë ?

Izet Duraku: Parimet e nënës dhe të babait tim. Ata ishin dy njerëz të dashur që nuk kishin arsim të lartë, por jeta u kishte dhuruar urtinë dhe dashurinë. Ata kanë ditur se si të ndërtojnë tek unë një ideal, një formë e të ekzistuarit të një njeriu të mirë. Kujtoj një nga shprehjet që e kam përdorur dhe do vijoj ta përdor gjithmonë që është: Fjalën e mirë thuaje në fillim dhe të keqen në fund.

Njerëzit duhet të jenë të duruar dhe të jenë njerëz që të rregullojnë marrëdhëniet mes njëri-tjetrit. Babai im ishte njeri fjalëpak, por nxirrte mësime në çdo gjë që ai thoshte. Nuk e di ende edhe sot se si e ka ndërtuar brenda vetes së tij çdo tipar aq të përsosur dhe ku e gjente durimin që të na udheëzonte për çdo gjë, por ja ka dalë më së miri.

CMG:  A ju kanë lënë prindërit amanete?

Izet Duraku:  Po na  kanë lënë të jemi njerëzorë dhe ta duam veten dhe këdo që është rreth nesh. Është shumë e rëndësishme që të jemi njerëzorë. T’i duam njerëzit, fqinjët, të mos bëjmë fjalë, të kemi edukatë, të rezervohemi etj. Pra, e keqja të shtyhet dhe e mira të manifestohet.

Izet Duraku ( foto personale)

Izet Duraku (foto personale)

CMG: Cila është marrëdhënia që keni me letërsinë?

Izet Duraku:   Kam pasur gjithmonë një marrëdhënie shumë të  ngushtë me letërsinë. Kam shkruar qëkurse kam qenë i ri dhe ato poezi kam zgjedhur që gjithmonë t’i  dokumentoj në shkrimet e mia. Libri i parë me poezi ka qenë një sfidë për t’u pranuar nga shtëpia botuese. Në atëkohë ka qenë vetëm një shtëpi botuese dhe njerëzit nuk binin në ujdi për të publikuar librin tim, e megjthatë edhe pse i vonuar, publikimi doli dhe ishte një emocion shumë i madh për mua. Unë zgjedh të shkruaj pak, këtë parim kam ruajtur gjithmonë sepse më duket se kam më shumë për të thënë në këtë formë.

Intervistoi  Megi Latifi