Agjencia e Inteligjencës Financiare. Ekspertët flasin për funksionimin e saj
2024-02-21 11:28:42

Agjencia  e Inteligjences Financiare (Foto Tirana Diplomat)

Pastrim parash (Foto Fast News Albania)

Zyrtarizohet Agjencia e Inteligjencës Financiare, institucioni që merret me luftën kundër pastrimit të parave dhe produkteve që burojnë nga veprat penale, si dhe me luftën kundër financimit të terrorizimit. Konkretisht AIF-ja do të financohet nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera të ligjshme, sipas legjislacionit në fuqi. Buxheti i saj do të jetë një zë i veçantë në buxhetin e ministrisë përgjegjëse për financat. Kjo agjenci funksionon si qendër kombëtare e ngarkuar me mbledhjen, analizimin dhe shpërndarjen tek agjencitë e zbatimit të ligjit të të dhënave për veprimtaritë e mundshme të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Në një intervistë për mediat eksperti i ekonomisë Zef Preçi jep opinionin e tij për ngritjen e kësaj strukture dhe rolin që ka, ndërsa shprehet pak skeptik.

“Ajo që duhet thënë është se problematika që pastrimi i parave ka në Shqipëri nuk lidhet aq me institucionin apo emrin e institucionit sa me performancën e tij, apo marrëdhënien mes disa institucioneve pasi është funksion i ndarë në disa institucione. Ajo çfarë unë vë re është se në tërësi është ruajtur agjencia ekzistuese ndonëse opinionit publik nuk i është ofruar ndonjë analizë se çfarë ka bërë mirë apo çfarë nuk ka bërë mirë. Për sa e shoh këtë ndryshim statusi të një agjencie apo institucioni shtetëror në varësi të qeverisë e shoh si një reflektim për sa i takon vërejtjeve të bëra në moneyval dhe ato agjenci ku shteti është palë si një përpjekje e vullnetit të mirë, kurse jam skeptik për sa i takon përformancës apo të rejave që do të sjellë agjencia.”- tha Preçi.

Gjatë vitit 2023 Shqipëria doli nga lista gri e pastrimit të parave, në të cilën kishte hyrë në shkurt të vitit 2020. Çfarë roli do të ketë agjencia e re?

“Ajo pasqyron çfarë ka kritere qenia në një organizatë ndërkombëtare ku shteti është palë dhe ka të bëjë me përmbushjen e disa kritereve, që lidhen me hartimin e një rregulloreje që ishte vënë si detyrë dhe në të njëjtën kohë me tërheqjen e qeverisë nga ligji për amnistinë fiskale, që tashmë ka ndodhur. Ne duhet të dallojmë çfarë është formale, administrative, pjesë e procedurave dhe çfarë është ekonomia reale. Në vlerësimin tim gjatë kësaj periudhe procesi i pastrimit të parave ka vazhduar intensivisht në ekonominë shqiptare. Unë mendoj që agjencia e re ka marrë një numër funksionesh që hanë diskutim. Së pari, unë shoh që ka një tendencë për të dubluar ato funksione që aktualisht ka SHIK-u. Nëse SHIK-u ka të drejtën e aksesit të pakufizuar të pagesave të tjera në sektorë privat dhe publikë, kjo e drejtë i është dhënë dhe kësaj agjencie. Po kështu shoh që janë ndërtuar marrëdhënie të tilla që kjo agjenci merr dhe fuksione që ka legjislativi. Agjencitë ekzekutive janë për të zbatuar nuk janë për të marrë akte.  Thuhet mes të tjerash që me kërkesë të qeverisë mund të përcaktojë se cilat shtete apo cilat kompani do të jenë subjekt i pezullimit të përkohshëm etj.”

Sipas ekspertit Preçi, agjencisë i jepet pushtet,  por duhet parë nëse keqpërdoret.

“ Do të thotë që një pushtet kaq i madh autoritar në emër të shtetit i jepet një agjencie ekzekutive që ka detyrë të zbatojë se çfarë është e shkruar e zezë në të bardhë dhe aktet ligjore qoftë të parlamentit apo qeverisë. Kjo ngre pikëpyetje për rrezikun e keqpërdorimit të këtij pushteti, po kështu aksesi në të dhënat bankare, e drejta për të pezulluar transaksione të tjerë, rrezikon të përdoret politikisht për kundërshtarët politikë dhe është një risk i të gjitha institucioneve shqiptare, por posaçërisht i atyre që kanë të bëjnë me ekonominë dhe biznesin” u shpreh eksperti.

Shërbime digjitale(Foto Samena Telecommunications Council)

Për televizionin Scan, eksperti  Preçi dha opinionin e tij se ku duhet të jetë fokusi i kësaj agjencie. Transparenca ndaj publikut sipas tij është thelbësore.

“Duhet që qeveria të përmbushë detyrimin sipas ligjit. Së dyti, po kaq e qenësishme të ketë një transparencë më të madhe në raport me publikun për zonat e riskut. Në të njëjtën kohë flitet për normalitet monetar, banka qendrore, dhe i sheh të gjitha fenomenet në ekonomi dhe nuk sheh që është rritur në mënyrë të jashtëzakonshme qarkullimi i parave jashtë kanaleve bankare. Ka nevojë që fenomenet të analizohen në vazhdimësi dhe njëkohësisht vetë bankat nuk janë të përjashtuara nga rrezikut i pastrimit të parave. Heshtja dhe mbulimi i fenomeneve nuk bën gjë tjetër veçse blen kohën, shtyn kohën. Gjithmonë ekziston rreziku i flluskës ndërtim, rreziku i falimentit në banka rreziku i rritjes së fuqisë së krimit të organizuar. Të gjithë sektorët shënojnë rënie nga një vit në tjetrin, kryesisht bujqësia, blegtoria që janë sektorët më potencialë për të zhvilluar ekonominë dhe mbështetur turizmin, që të gjithë biem dakord që është burim i rëndësishëm, dhe vetëm ndërtimi rritet dhe themi kemi rritjen më të lartë në rajon.”

Si një sektor potencial, eksperti flet edhe për turizmin në Shqipëri, duke theksuar se cilat janë nevojat emergjente.  Sipas tij e rëndësishme është të ketë impakt nga turistët në ekonomi.

“E para që do të mendoja është se Shqipëria nuk ka nevoje për një turizëm elitar. Shqipëria ka nevojë për të përcaktuar cili lloj turizmi duhet mbështetur dhe zhvilluar më shumë. Së dyti ka nevojë për të nxitur të kemi turizëm gjithëvjetor dhe të mos e fokusojmë tek dy apo 3 muaj të vitit dhe kryesisht tek bregdeti. Të shohim edhe turizmin malor,  historik, natyror etj. Së treti duhet thënë që është arritje e madhe që më në fund nuk çohen fadromat në maj, fiks kur fillon sezoni turistik tradicionalisht, por duhet rregulluar infrastruktura dhe po ashtu mendoj që duhet hequr dorë nga presioni dhe arbitrariteti fiskal dhe qeveritar mbi bizneset. Unë jam koshient që në sektorin e turizmit ka një nivel jo të vogël informaliteti dhe në të njëjtën kohë duhet të ndërgjegjësohet çdo qytetar, çdo sipërmarrës që turizmi nuk është vetëm lopë për ta mjelë, por ka edhe grazhdin, pra t’i ofrosh shërbimet e duhura. Njëkohësisht të mos mashtrohen sepse mund të ndodhë që për shkaqe të luftës apo rrethanave kurioziteti për një vend të panjohur të kemi bum në një vit, por ekonomia nuk matet me sa milionë turistë erdhën por matet me çfarë impakti pati, me nxitjen e prodhimit vendas, me shtimin e të ardhurave për familjet dhe qeverinë. Problemi i pasurive të patundshme lidhet me regjistrimin, ne kemi të paregjistruar një pjesë jo të vogël, lidhet së dyti me nivelin e taksimit, sa më e madhe taksa, historia e 30 viteve e jona dhe e gjithë vendeve ish socialiste tregon që sa më e madhe është taksa aq më pak paguhet dhe funksioni i taksave nuk është me mbush buxhetin as qeveria dhe as bashkia.”- shprehet Preçi.

Teksa flet për zhvillimin e internetit dhe përdorimit të aplikacioneve bankare, Preçi thotë se duhet të shihen edhe normat e komisioneve bankare.