Toni Milaqi, ekspozita e parë personale në Tiranë
2024-02-21 11:22:20

Piktori Toni Milaqi ne diten e promovimit - foto Galeria e artit Tirane

Poster i ekspozites se Toni Milaqit - foto Galeria e Artit  Tirane

Piktori Toni Milaqi jeton dhe zhvillon aktivitetin në Greqi ndërkohë që vetëm para pak ditësh hapi të parën ekspozitë personale në Tiranë duke përmbushur një ëndërr të vjetër. Në këtë ekspozitë piktori prezantohet me një përzgjedhje të pikturave që janë realizuar gjatë 5 viteve të fundit. Janë  38 piktura, të cilat vetë piktori i cilëson si më cilësoret dhe më të rëndësishmet e kohëve të fundit.

Ekspozita e titulluar “Introspeksion”, ka si motiv qëndresën stoike kundër dhunës. I gjithë koncepti me të cilën janë realizuar punimet ka të bëjë me udhëtime brenda vetes për të njohur fillimisht vetveten e më pas nevojën botën, ambientin rrethues dhe të tjerët. Prandaj përmes veprave të tij, piktori përpiqet të realizojë pikërisht këtë njohje të vetes. Nëpërmjet këtij udhëtimi që fillon me veten piktori përpiqet të ananlizojë fenomene të pranishme të shoqërisë, siç është dhuna, të cilën ai e sheh të pranishme në çdo hap në shoqërinë e sotme.

“Dhuna gjendet kudo, gjendet në mënyrën sesi flasim, se si sillemi me të tjerët, gjendet kur dalim në rrugë, në  mënyrë n se si kalojmë një trotuar apo se si përshëndetemi dhe flasim me njerëzit përballë. Kështu që është një element që mua më ka shqetësuar gjithmonë dhe përpiqem ta përçoj dhe në veprën time”, thotë  më  etj.

Për  t’iu kundërvënë kësaj dhune mënyra e vetme sipas tij është vështrimi me optimizëm i gjithçkaje që e rrethon, që nga njeriëzit e dashur të familjes, deri te fenomene që i kemi përqark  dhe njëkohësisht, tek natyra. Janë këto elemente që e bëjnë artistin të qëndrojë stoik dhe me këmbë në tokë.

“Është ajo që thotë Sokrati se nëse do të njohësh botën filloje nga vetvetja kështu që pikërisht këtë bëj dhe unë , përpiqem të zhbiroj tërësinë time emotive edhe konceptive. Njëkohësisht tentoj që nëpërmjet këtij akti të zbuloj edhe ambientin rrethues”, thotë  piktori.

Piktori Toni Milaqi ka zgjedhur që përmes punëve të tij të përçojë mesazhe të rëndësishme për reflektim.

“Më kanë interesuar gjithmonë si artist raportet e individit me shoqërinë, të individit me pushtetin, apo të individit me individin. Dhe ndiej se në këto raporte gjithmonë elementi i dhunës është një element tepër i qenësishëm, që mban një peshë të caktuar”, shprehet artisti.

Vepra te piktorit Toni Milaqi ne ekspozite - foto Galeria e Artit Tirane

Vizitore ne eskpzoiten e Toni Milaqit - foto Galeria e Artit Tirane

Në peizazhe urbane a rurale, kompozime, autoportrete dhe portrete të familjarëve, artisti rrëfen se punët e tij janë sa politike aq edhe spirituale. Kryesisht akrilik në kanavacë, zgjedh një teknikë me disa shtresëzime bojërash, teknikë e cila bëhet gjuha e tij shprehëse, gjesti i tij pikturik.

“Punë politike”, “ditar personal”, “ditar social”, me secilën nga këto togje fjalësh, piktori do të mund të quante punimet  e tij, por ai ka zgjedhur një emër të vetëm “Introspection” (Analizë e vetvetes), duke i përmbledhur të gjitha bashkë.

Për piktorin Toni Milaqi artisti është mbi të gjitha një misionar. “Një artist është një krijesë e pabindur. Ai nuk mund të jetë një kukull e askujt apo një prijës i asnjë mekanizmi politik, social apo ekonomik. Një artist është vetëshkatërrues në kërkim të dritës, si një flutur gjatë natës që rrotullon furishëm llambën elektrike, derisa i digjen krahët dhe më pas ajo zhduket. Një artist është romantik, deri në indiferencë, naiv deri në dhimbje, i fortë si çeliku më i fortë dhe në të njëjtën kohë i brishtë si xhami më delikat. Është kështu jo sepse artisti dëshiron të jetë kështu, por sepse nuk mund të jetë diçka tjetër. Të gjitha modelet që shërbejnë sot si shprehje e potencialeve artistike nuk janë asgjë më pak se nevojat e kamufluara të tregjeve të artit dhe mafias social-politike të fronizuar për dominimin e hapësirave pamore”, është kredoja estetike e piktorit Toni Milaqi, e cila gjendet e mishëruara te të gjitha veprat e ekspozuara që përkojnë edhe me rugëtim në kohë e periudha të ndryshme të jetës së artistit, në faza të ndryshme të krijimtarisë së tij.

Ekspozita e cila po ndiqet me shumë interes, pas Tiranës do të udhëtojë për në Athinë.

Toni Milaqi është një artist që ushtron aktivitetin e tij në Greqi, por që i mban fort lidhjet me atdheun. Piktorit Toni Milaqi që jeton larg atdheut prej më shumë se tre dekadash, iu desh të kalonte shumë kohë që të sillte personalen e tij të parë në Shqipëri.

Ka lindur në Tiranë dhe ka përfunduar studimet fillimisht në Liceun Artistik e më pas në Institutin e Lartë të Arteve (sot Universiteti i Arteve), për pikturë monumentale. Me një karrierë 30-vjeçare, ai ka organizuar disa ekspozita vetjake nëpër botë, ndërsa ka marrë pjesë në dhjetrave ekspozitave kolektive brenda dhe jashtë vendit.

Neritana Kraja