Regjisori francez kujton 20 vjet lidhje me operat kineze
2024-02-21 11:25:44

Regjisori francez i teatrit Patrick Sommier është i përkushtuar për të përcjellë te publiku francez kuptimin e vërtetë të operave kineze, të cilat, sipas tij, janë një përmbledhje e të gjitha formave të artit.  Me rastin e kremtimit të 40-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Francës, në vitin 2004, Sommier u ftua të bashkëpunonte në një projekt të përbashkët me Kolegjin Profesional të Operës dhe Arteve të Pekinit për të çuar Operën e Pekinit në Francë.

foto nga Xinhua

foto nga Xinhua

Sommier thotë se kur mbërriti në Kinë, si shumë evropianë të tjerë, kishte mjaft klishe për operën kineze, kostume madhështore, grim shumëngjyrësh dhe lëvizje të jashtëzakonshme akrobatike. Por, bukuria e Operës së Pekinit ia rrëmbeu shpejt zemrën, kujton ai.  Duke kujtuar bashkëpunimin e tij të parë me Kolegjin Profesional të Operës dhe Arteve të Pekinit, Sommier thotë se i bëri përshtypje energjia e aktorëve dhe personazhet me forcë të jashtëzakonshme nga klasikët kinezë që i kujtuan tragjeditë greke.

Ai tha se u prek gjithashtu nga profesorët kinezë, të cilët ua përcollën njohuritë e tyre studentëve të tyre duke aktruar me ta, gjë që ndryshon nga mënyra se si bëhen gjërat në botën e teatrit francez.

“Në Kinë, opera është një art që kërkon përkushtim të përjetshëm dhe aktorët janë mishërimi i operës”,- tha Sommier, i cili filloi të hulumtonte forma të ndryshme të performancës dhe punoi për prezantimin e operave tradicionale kineze te audienca franceze.

Pas sugjerimit të tij, Kolegji Profesional i Operës dhe Arteve të Pekinit organizoi një sërë shfaqjesh novatore në vitin 2005, ku në gjysmën e parë profesorë dhe studentë bashkëpunonin në skenë pa grim apo kostume, ndërsa në gjysmën e dytë shfaqeshin studentë që interpretonin klasikët në një mënyrë tradicionale. Shfaqjet tërhoqën mbi 22.000 spektatorë dhe më shumë se 7000 studentë francezë morën pjesë në seminaret mbi grimin e operës kineze dhe gjestet e trupit. Sommier shpreson që publiku të kuptojë vërtet bukurinë e Operës së Pekinit, në vend që ta shikojë atë vetëm me një vështrim turistik.

foto nga Xinhua

foto nga Xinhua

“Teatri nuk është një produkt për t'u konsumuar, por një takim i vërtetë kulturor dhe një qasje ndaj asaj që nuk dimë. Përveç kënaqësisë, ai duhet t'i intrigojë njerëzit, të cilët duhet të bëjnë pak përpjekje për të kuptuar gjërat e panjohura”,- thotë regjisori francez.

Në vitin 2010, Sommier zgjeroi bashkëpunimin e tij me Kolegjin Profesional të Operës dhe Arteve të Pekinit dhe solli në skenë versionin e sapokrijuar të klasikut kinez “The Water Margin”. Ndër vite, ai ka vazhduar të zbulojë dhe promovojë opera të ndryshme kineze.  Në qytetin juglindor të Quanzhou në provincën Fujian ai ishte i magjepsur nga Opera Liyuan, për të cilën ai thotë se ishte më e mira që kishte parë ndonjëherë.

Në vitin 2014, me rastin e kremtimit të 50-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, Sommier mori Operën Liyuan në Paris dhe në shumë qytete të tjera evropiane në turne.

Vitin e kaluar ai botoi librin e tij “Ximi” (Pasioni për teatrin), duke i kushtuar një pjesë të konsiderueshme rrëfimit të përvojave të tij me operat kineze. Duke vënë në dukje se teatri përbën një hap tjetër drejt kulturës kineze dhe se imazhi i Kinës është i nënpërfaqësuar në botë, ai thotë se ndryshimet midis operës kineze dhe teatrit francez pasurojnë këndvështrimin e publikut dhe në këtë mënyrë pasurojnë imazhin e një vendi.

Viti 2024 shënon 60-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Francës. Po ashtu është dhe Viti i Kulturës dhe Turizmit Kinë-Francë. Për këtë ngjarje janë planifikuar evente të shumta kulturore dypalëshe, duke përfshirë shfaqje teatrale.  Duke shërbyer si korrier kulturor midis të dy vendeve për dy dekada, Sommier shpreson që francezët dhe kinezët do t'i bëjnë përshtypje njëri-tjetrit me shfaqje të cilësisë së lartë.