Brian Gega ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja për gjuhë angleze dhe prej vitesh punon si përkthyes dhe interpret në media të ndryshme shqiptare si dhe organizata ndërkombëtare. Ai gjithashtu punon dhe si pedagog i gjuhës angleze në universitet. Briani e ka kaluar moshën e fëmijërisë dhe adoleshencës në Greqi, ku kishte emigruar me familjen, por më vonë familja e tij vendosi për t’u kthyer në Shqipëri. Brianit përveç përkthimit i pëlqen shumë të shkruajë poezi dhe tregime. Në një intervistë për Radio Ejani Brian Gega tregon për eksperiencën e tij si përkthyes dhe kënaqësinë që ka marrë nga ky profesion.
Brian Gega ne nje konference si perkthyes (Foto personale)
CMG: Ke një eksperiencë të gjatë si përkthyes i gjuhës angleze. Flasim për këtë përvojë tuajën?
Brian Gega: Eksperienca ime profesionale nisi nga media, fillimisht e kam nisur punën si interpret para nëntë vitesh te Top Channel. Ky televizion ishte kontakti im i parë dhe më vonë kam bashkëpunuar me televizione të tjera. Kam punuar te Klan TV, ABC dhe Euronews dhe vazhdoj të bashkëpunoj me disa prej këtyre televizioneve.
CMG: Ka qenë e vështirë për ty të përkthesh në emisione të drejpërdrejta televizive?
Brian Gega: Ka qenë dhe është e vështirë, sidomos në fillim ku kam patur shumë stres para emisionit, por me kalimin e kohës mësohesh. Problemi më i madh është me pajisjet, që ka raste nuk funsionojnë apo nuk ka lidhje interneti, por duhet të dalësh nga këto situata, sepse shikuesi nuk e di se çfarë ndodh pas skenave. Kështu që duhet të gjesh mënyrat për të dalë nga këto situata.
CMG: Është e bukur si eksperiencë puna e interpretit në televizion?
Brian Gega: Është vërtetë eksperiencë e bukur dhe pjesa më interesante janë njerëzit të cilët takon, historitë që dëgjon dhe lidhjet që bën me ta. Mendoj se të rrit shumë si nga ana profesionale, ashtu dhe ajo njerëzore.
CMG: Pse zgjodhët fushën e përkthimit dhe jo mësuesinë në fakultet?
Brian Gega: Në fakt unë nuk doja të studioja gjuhët e huaja, por shkenca politike, dhe ngaqë nuk dola mirë në matematikë fitova te gjuhët e huaja. Kur fillova studimet te Fakulteti i Gjuhëve të Huaja mendova të dilja mësues dhe të filloja pedagog në fakultet. Në vitin e dytë Bachelor më erdhi mundësia nga televizioni Top Channel për të punuar aty dhe e dashurova këtë profesion, i cili më pëlqen shumë. Kur mbarova studimet Bachelor vendosa të vijoja me përkthimin dhe interpretimin. Gjithashtu unë vazhdoj të jap dhe mësim te Fakulteti i Mjekësisë Dentare në termologjinë e tyre mjekësore. Më përpara kam punuar për katër vite te Fakulteti i Gjuhëve të Huaja si pedagog i jashtëm.
Perkthyesi Brian Gega (Foto personale)
CMG: Si janë marrëdhëniet tuaja me studentët?
Brian Gega: Unë sa herë jam para studentëve mendoj veten time student dhe parimi im kur jap mësim është që të jesh pedagogu apo mësuesi që do të doje të kishe gjithmonë. Pjesa më e madhe e studentëve të mi janë në vit të parë dhe janë në një periudhë të vështirë tranzicioni, ku shumë prej tyre vijnë në Tiranë për herë të parë dhe kanë më shumë ngarkesë. Mendoj se një pedagog gjatë mësimdhënies duhet të ketë parasysh dhe problemet e tjera me të cilat përballen këta studentë. Kështu që duhet të përpiqesh t’i ndihmosh në këtë tranzicion që ata janë duke kaluar.
CMG: Ke jetuar prej vitesh në Greqi, por familja mori papritmas vendimin të kthehet në Shqipëri. Si i kujton vitet në emigrim dhe përshtatja me jetën shqiptare kur u ktheve në atdhe?
Brian Gega: Babai im shkoi në Greqi përpara meje dhe nënës time, ndërsa unë bashkë me mamin shkuam kur unë isha pesë vjeç. Kemi qëndruar 10 vite në Greqi dhe të vetmet fjalë që dija ishin po dhe jo, por ngaqë nuk njihja shqiptarë të tjerë e mësova dhe gjuhën greke shumë shpejt. Kjo ishte mosha më e mirë për mua kur shkon në një vend të huaj në aspektin gjuhësor, sepse e ke më të lehtë për ta mësuar gjuhën. Në Greqi u ambjentova dhe me mësimet isha shkëlqyeshëm, madje merrja dhe fletë lavdërimi në fund të çdo viti. Në Greqi jam marrë dhe me aktivitete, por në momentin që krijova miqësinë time u kthyem në Shqipëri për shkak të problemeve social-ekonomike në krizën e Greqisë në vitin 2009. Ditën e parë që erdha në shkollë në Shqipëri e kisha të vështirë ambientimin, sepse është një botë komplet ndryshe dhe papritur vjen në një vend tjetër ku ti duhet të krijosh miqësi të tjera, por dhe gjuhën e flisja shumë keq sepse në Greqi vetëm me prindërit flisja shqip.
CMG: Nëse familja juaj nuk do ishte kthyer në Shqipëri, mendon se do kishe më shumë mundësi punësimi në fushën profesionale në Greqi?
Brian Gega: Mendoj se në Shqipëri për shkak të numrit më të vogël të njerëzve ka më pak konkurrentë. Ndërkohë që nga ana tjetër kjo konkurencë nuk është gjithmonë e drejtë, por është një vend që mund të gjesh mundësi dhe hapësira. Unë mendoj se në jetë të gjithë njerëzve u jepet mundësia të paktën dy herë, për të arritur të kapin atë që dëshirojnë.
Brian Gega ne interviste per CMG
CMG: Ke menduar të emigrosh sërish në një vend tjetër, për mundësi të reja?
Brian Gega: E kam menduar këtë gjë sepse në Shqipëri ka mundësi, por ka dhe konkurrencë jo pozitive. Pavarësisht dashurisë për atdheun dhe bashkëkombasve të tu, është dhe dëshira për një jetë më të mirë për ty dhe familjen tënde që do krijosh në të ardhmen. Në rastin tim është pak më e vështirë sepse profesioni im i përkthyesit anglisht-shqip nuk mund ta bëj jashtë. Për mua është pak më e komplikuar sepse duhet të gjej diçka tjetër jashtë vendit.
CMG: Punën e interpretit e ke bërë gjithashtu dhe në organizatat ndërkombëtare, dhe kjo eksperiencë të ka ndihmuar besoj për më shumë kontakte dhe për ta zhvilluar më tepër këtë përvojë?
Brian Gega: Profesioni i interpretit një nga gjërat e mira që ka është se je në kontakt me njerëz. Ky profesion ka shumë mundësira sepse shqipja është një gjuhë unike, ku gjithmonë nëpër konferenca dhe aktivitete do të duhet një përkthyes. Mendoj se dhe në të ardhmen do të duhet për një sërë vitesh. Unë e nisa karrierën time nga televizioni, vazhdoj të punoj në televizion kur kam mundësi, sepse punoj shpesh dhe me organizata të ndryshme. Kam punuar dhe vazhdoj të punoj me ambasada, me OSBE-në, madje kam punuar dhe drejtpërdrejt me sekretariatin e OSBE-së në Vjenë. Kështu që ndjehem me fat që e kam patur këtë mundësi. Kjo gjë më pëlqen shumë sepse shikoj një kulturë ndryshe të punës.
Brian Gega gjate nje udhetimi (Foto personale)
CMG: Puna që bën të ka ndihmuar për të udhëtuar e vizituar vende të ndryshme?
Brian Gega: Unë pasaportën e kam nxjerrë në vitin 2016, dhe e kam përdorur për herë të parë në vitin 2021 për një punë që kisha me OSBE-në kur shkova në Vjenë. Gjithashtu më vonë e përdora sërish për një punë tjetër me OSBE në Serbi, dhe më pas mendova që erdhi koha ta përdorja pasaportën dhe për udhëtime personale. Kam udhëtuar në disa vende dhe mendoj se udhëtimet lidhen me kohën e lirë që mund të kesh, por dhe me dëshirën për të shkuar diku. Mendoj se me një shumë të vogël parash mund të shkosh në një vend shumë të këndshëm dhe të shijosh kulturën dhe gjithçka që ai vend të ofron, por dhe të kënaqesh. Thjesht ka të bëjë me dëshirën për të udhëtuar.
CMG: Ke pasione të tjera përveç profesionit të përkthyesit?
Brian Gega: Më pëlqen shumë muzika dhe të shkruaj. Kur kam qenë në shkollë të lartë shkruaja poezi dhe tani kur kam mundësi shkruaj tregime. Fatkeqsisht ngaqë jam i ngarkuar me punët e përditëshme, nuk jam në gjendje t’i dedikohem shumë të shkruarit. Gjithashtu më pëlqen dhe leximi kur kam mundësi.
Brian Gega (Foto personale)
CMG: Ke punuar prej një periudhe të gjatë kohe në median e shkruar si gazetar dhe përkthyes i lajmeve. Si ka qenë kjo përvojë për ty?
Brian Gega: Unë për gjashtë vite kam punuar te Albanian Daily News, e cila është një gazetë e përditëshme, që botohet në anglisht dhe i shpërndahet ambasadave. Aty kam qenë përgjegjës për faqet sociale, jam marrë me përzgjedhjen e lajmeve dhe përkthimin e tyre, përshtatjen e lajmeve në gjuhën angleze për publikun e huaj. Kjo ka qenë për mua një përvojë shumë e këndshme. Është ndryshe e folura nga e shkruara, dhe unë jam përpjekur të marr diçka nga të gjitha profesionet. Në Albanian Daily News kam mësuar shumë në gazetarinë e shkruar dhe rregullat që duhet të ndiqen, për t’i përshtatur më pas në pjesë të tjera.
CMG: Ndjehesh i plotësuar profesionalisht me gjithë këto arritje?
Brian Gega: Ne gjithmonë duhet të jemi të kënaqur me atë çfarë kemi arritur, por gjithmonë duhet të synojmë majën.
Intervistoi: Gazmend Agaj