“Snowboarding”, dikur një sport i veçantë dimëror, ka fituar tërheqje në mesin e gjeneratës Z në Kinë, duke nxitur rritjen e biznesit për “Nobaday” me bazë në Pekin. Kompania, e cila në fillim, në vitin 2015, ishte fokusuar në produktet e “snowboarding”, si dërrasat, çizmet, lidhjet dhe pajisjet mbrojtëse, tani është zhvilluar në një prodhues të veshjeve sportive dhe pajisjeve të jashtme gjatë gjithë vitit.
Foto:VCG
Shitjet e snowboard-eve në platformat kryesore të tregtisë elektronike në Kinë u rritën në 350 milionë juanë (48.7 milionë dollarë) në vitin 2023, 47.7 për qind më shumë në baza vjetore, sipas “Mojing Market Intelligence”. Gjatë dy muajve të parë të sezonit të fundit të borës - midis tetorit dhe dhjetorit 2023 - të ardhurat mujore nga shitjet u rritën me 179.2 për qind në 125 milionë juanë.
Popullariteti në rritje i sporteve dimërore ka shtyrë një brez të ri të snowboarder-ëve të nxitojnë drejt shpateve të maleve plot dëborë, duke rritur shitjet e markave ndërkombëtare dhe vendase, si “Burton” dhe “Nobaday”.
Kohët e fundit ka pasur një trend të fortë në treg me produktet e nivelit fillestar dhe të avancuar, që kanë tërhequr vëmendjen e të pasionuarve pas sporteve dimërore, tha Liu Fengxi, themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i kompanisë. Produkti i nivelit fillestar të Nobaday, dërrasa e vogël e zezë, pati një rritje prej 200 deri në 300 për qind këtë sezon dëbore krahasuar me vitin e kaluar, falë të rinjve që nisën të frekuentonin “snowboarding” dhe klientëve ekzistues, të ndjeshëm ndaj çmimeve, që kërkojnë produkte më të përballueshme, tha ai.
Sipas tij, ky produkt përbën rreth 10 për qind të shitjeve të kompanisë, ndërsa produktet e saj të avancuara kanë pasur shitje të mira edhe në mesin e skiatorëve shumë të aftë. Krahasuar me një çmim mesatar prej 3000-4000 juanë për markat e huaja, produktet me një nivel të ngjashëm të performancës nga markat vendase janë me çmim rreth 1500 juanë.
Foto:VCG
“Ofrimi i produkteve direkt te konsumatorët na ka mundësuar të mbajmë çmime konkurruese në krahasim me markat ndërkombëtare, të cilat shiten përmes tregtarëve me shumicë”, tha ai.
Përveç inovacionit të produktit dhe strategjisë së çmimeve, “Nobaday” ka prioritizuar ndërgjegjësimin e markës përmes bashkëpunimeve strategjike dhe iniciativave të marketingut. Kompania ka nënshkruar kontrata me atletë profesionistë, si kampioni i botës në ski Max Parrot. Pavarësisht sfidave të paraqitura nga shitja me pakicë në dyqane, “Nobaday” ka zgjeruar rrjetin e saj të shitjes me pakicë në 11 pika.
“Ne kemi vazhduar të fokusohemi në ofrimin e përvojave në dyqan për klientët tanë. Po planifikojmë të nxjerrim produkte të reja në bashkëpunim me më shumë partnerë nga industria”,- tha Liu.
Kompania planifikon të prezantojë produkte të reja duke u bashkuar me Muzeun Britanik për të nxjerrë “snowboard” me vepra arti të famshme të inkorporuara. Biznesi online i “Nobaday” është rritur më lart se niveli i industrisë, për të shënuar rritje prej 40 deri në 50 për qind të të ardhurave nga nëntori në janar. Sjellja e konsumatorëve gjithashtu po evoluon, me shpenzime më të kujdesshme dhe një preferencë për masat e kursimit të kostos, shtoi ai.
Foto:VCG
“Konsumatorët janë më të zgjedhur në ditët e sotme. Atyre u duhet më shumë kohë për të vendosur. Duan ende të bëjnë ski, por të shpenzojnë më pak. Për shembull, disa skiatorë po zgjedhin vende me qira pranë vendpushimeve tradicionale të skive. Pavarësisht ndryshimeve, “Nobaday” mbetet e përkushtuar për të përmbushur nevojat në zhvillim të klientëve të saj dhe për të qëndruar pozitiv në lidhje me perspektivat afatgjata të industrisë së sporteve dimërore në Kinë”,- tha Liu.