Avioni C919 në Ekspozitën e Aviacionit të Singaporit më 20 shkurt 2024/ foto nga CFP
Pesë avionë të zhvilluar dhe prodhuar nga vetë Kina dhanë "shfaqjen grupore" të parë jashtë vendit, në Ekspozitën e Aviacionit të Singaporit, që u hap të martën në Qendrën e Ekspozitave "Changi".
Kuinteti përbëhet nga dy "C919", avioni i parë i madh i udhëtarëve i zhvilluar e prodhuar nga Kina, dhe tre avionë udhëtarësh "ARJ21", që janë të hapur për publikun në ekspozitën e modeleve, ekspozitën e jashtme statike dhe në shfaqjet e fluturimit gjatë veprimtarisë që do të zgjatë deri të dielën.
"C919", i krijuar nga Korporata e Avionëve Komercialë e Kinës (COMAC), është një avion me dy motorë, me trup të ngushtë me 158 deri 192 vende dhe me një rreze fluturimi 4 075 deri 5 555 kilometra. Ai ka nivel të përparuar të dizenjimit aerodinamik, sistemeve të shtytjes e materialeve, shkarkim më të ulët karboni dhe efektivitet më të lartë karburanti.
Avioni i parë "C919" e bëri fluturimin e tij komercial midis Shangait të Kinës Lindore dhe kryeqytetit Pekin më 28 maj 2023. Aktualisht, katër "C919" janë vënë në funksionim, duke u shërbyer mbi 110 mijë udhëtarëve.
Miniatura e versionit të avionit ARJ21 për shuarje zjarri në Ekspozitën e Aviacionit të Singaporit më 20 shkurt 2024/ foto nga CFP
Bienalja e avionëve e Singaporit ka tërhequr mbi 1 000 kompani nga më shumë se 50 vende dhe rajone.
Po të martën, u finalizuan porositë e reja për "C919" dhe "ARJ21" midis dy kompanive kineze të shërbimeve ajrore dhe COMAC-ut.
"Tibet Airlines" porositi 40 "C919" të variantit për lartësi të madhe dhe 10 "ARJ21" të të njëjtit variant. Ndërsa Grupi i Zhvillimit dhe Investimeve i Aviacionit Civil i Henan-it nënshkroi një porosi për gjashtë variante "ARJ21", përkatësisht për shuarje zjarri, shërbim mjekësor dhe komandën e shpëtimit emergjent.
Versioni "C919" për lartësi të madhe është përshtatje e modelit bazë, duke shkurtuar trupin dhe duke bërë modifikime në përshtatje me transportin në rrafshnaltë. Ai ka 140 deri 160 vende dhe aftësi ngritjeje e zbritjeje në të gjitha aeroportet në lartësi të madhe në Kinë. (Wang Lei/ Artan)