Eda Ballhysa (foto personale)
Punim nga Eda Ballhysa ( foto personale)
Eda Ballhysa figurën e nënës e ka pasur shumë të rëndësishme, pasi ajo ka pasur stil dhe shije për veshje. Ajo ka filluar të eksperimentojë me stilin e veshjeve shumë herët, duke qepur veshje të bukura që shfaqnin talentin dhe kreativitetin e saj. Pas një periudhe të mërzitshme në jetë, ajo gjeti kënaqësi dhe shpirt krijues në stilimin e veshjeve. Eda ka pasion për të ndihmuar vajzat të duken dhe të vishen më bukur. Për të, kjo nuk është thjesht një punë, por një mision për të ndihmuar njerëzit të shfaqin bukurinë e tyre nëpërmjet veshjeve. Eda Ballhysa ka një shpirt krijues dhe një aftësi të jashtëzakonshme për veshjet. Edhe pse ka studiuar histori dhe i pëlqen kjo fushë, Eda i është përkushtuar industrisë së modës. Pavarësisht sfidave, ajo ka arritur të gjejë një balancë dhe të krijojë një grup pune të përkushtuar.
Në lidhje me riciklimin e veshjeve, ajo thotë se është një ide vlerësuese, por kërkon kohë dhe përpjekje për ta realizuar. Eda e vlerëson cilësinë e materialit në veshje dhe beson se për të ricikluar një veshje me sukses, duhet të keni ide kreative dhe një aftësi të mirë teknike. Përmes pasionit dhe talentit të saj për stilimin, ajo ka arritur të bëjë një emër në botën e modës dhe të krijojë një identitet të veçantë në fushën e veshjeve.
CMG: Kur keni nisur të merreni me stilimin e veshjeve?
Eda Ballhysa: Mua gjithmonë më ka ardhur si dëshirë personale që të ndihmoj vajza për t’u dukur dhe veshur më bukur. Nëna dhe gjyshja ime kanë pasur të njëjtin profesion. Në qytetin ku ne jetonim na njihnin të gjithë, mbi të gjitha nënën time. Ndërsa unë vetë kisha një rebelim brenda vetes dhe çdo veshje unë e rimodeloja për dëshirën time personale. Madje nënëa shpesh më thoshte të lija me fund dhe të gjeja me një fustan sepse vetë unë i stiloja ato.
CMG: Po gjyshja çfarë ju thoshte?
Eda Ballhysa: Nëna ime është një figurë shumë e veçantë në jetën time. Ajo për mua mbetet gruaja më e bukur dhe më me shije për kohën në të cilën ajo jetonte dhe sërish zgjidhte veshje shumë të bukura për moshën e saj. Ajo merrej me veshje në kohën kur veshja ishte një domosdoshmëri. Nuk bënte biznes, por një mision për t’i bërë njerëzit të duken më të veshur, më të mirë. Mesa duket në genin tonë kemi pasur një dëshirë për të bërë mirë dhe për t’i ndihmuar njerëzit të duken bukur.
CMG: A është profesioni juaj mision për t’i bërë njerëzit më të lumtur?
Eda Ballhysa: Po! Unë e vërej tek vetja ime sepse i dedikohem çdo veshje që bëj dhe madje shumë veshje kur i dorëzoj më duket sikur më ikën një pjesë e vetes sime. Rreth vetes unë kam përzgjedhur njerëz të veshur bukur.
CMG: Cila ka qenë veshja e parë që ke prodhuar me duart e tua?
Eda Ballhysa: Ka filluar shumë shumë herët, ende në 8-vjeçare dhe kam qepur një fustan të bukur me basmë, kam bërë një fustan të bukur për veten time. Në atë kohë unë shikoja festivalin e RTSH-së, ku merrja ide për veshje të bukura. Më pas na vinin rrallë edhe revista të veçanta të cilat na kuriozonin. Kujtoj që në atë kohë e kishim shumë sfiudese të gjenim copat e duhura.
Punim nga Eda Ballhysa ( foto personale)
CMG: Për kohën kur ke jetuar, a mendon se keni qenë shumë hapa para nga të tjerët lidhur me veshjen?
Eda Ballhysa: Po, mund ta cilësoj kështu. Unë kam qenë ndër vajzat e veshura më mire, sepse i bëja ato vetë. Në atë kohë nuk e kuptoja se çfarë bëja, por di të them që ishte një periudhë që bëja një veshje paksa ndryshe nga të tjerat.
CMG: Këtë profesion ua ka trashëguar nëna juaj?
Eda Ballhysa: Jo, nuk do thoja kështu. Gjyshja ime nuk ka ndërhyrë shumë ndërsa ime më ka insistuar që të mos e bëja këtë punë. Unë kam fituar të drejtën e studimit për histori dhe shkollën e lartë e kam mbaruar për histori, por stilimi ka qenë gjithmonë brenda meje si një profesion që më jep shumë emocion. Unë kam punuar edhe në drejtorinë e Arkivit dhe pas shumë vitesh pati një ndryshim në strukturën e tyre dhe unë dola e papunë. U mërzita shumë dhe fillova të stiloja edhe më shumë veshje. Isha e mërzitur për tre muaj, por e lumtur për gjithë jetën.
CMG:A i beson dot dikujt tjetër për veshjet e tua?
Eda Ballhysa: Jo nuk i besoj dot, përzgjedh vetëm ato ide që kam dëshirë të bëj.
CMG: Si është marrëdhënia juaj me klientët?
Eda Ballhysa: Janë mikesha të miat. Në profesionin tim duhet t’i kesh mikesha sepse nuk mund të bësh ndryshe. Fillimi mund të jetë i ftohtë me një klient, por shumë shpejt ndryshon çdo gjë. Kam një eksperiencë të gjatë mbi supe dhe kam grupin tim të punës.
CMG: Si mendoni, a ja vlen që disa veshje të kaluara ti riciklojmë?
Eda Ballhysa: Ja vlen por do shumë kohë, nuk mund të rimodelohen veshjet shumë lehtë sepse kërkon shumë ide dhe teknika. Unë mendoj që duhet të riciklohen, por do të na marrë shumë kohë. Përpos faktit që veshja duhet të këtë një cilësi, në material por janë të shumta kërkesat e tjera nga klienti dhe janë disa elementë që duhet të bëhen bashkë që veshjet e ricikluara të rivishen më pas.
CMG: Si e manxhon kohën dhe punën?
Eda Ballhysa: Unë kam shumë kërkesa dhe mendoj se deri diku kam vendosur një lloj balance. Lloji i punës që unë bëj ka bërë një seleksionim të klientëve. Pra, nuk nxitoj të konkurroj se çfarë prodhon tregu, por unë brenda formatit tim them se kam zgjedhur një lloj klientele që di shumë mirë shijet e tyre.
Intervistoi Megi Latifi