Këngëtarja e njohur e muzikës shqiptare Vesa Luma me një koncert recital në Teatrin e Operas dhe Baletit shënoi rikthimin e saj në muzikë. Koncerti dhuroi një atmosferë të bukur me këngët ‘hite’ të artistes. Këngëtarja Vesa Luma mbetet një nga këngëtaret e dashura për publikun, i cili e ka duartrokitur dhe mbështetur që kur ajo u ngjit për herë të parë në një skenë madhështore, në formatin më të ndjekur televiziv të 20 viteve më parë, spektaklin e parë të talent show-t në Shqipëri, “Ethet e së premtes mbrëma”.
Ky edicion ka nxjerrë artistë të njohur të skenës shqiptare, ku në garë për çmimin e madh përveç Vesës, kanë qenë artistët Rona Nishliu, Luiz Ejlli, Teuta Kurti, etj. Pas këtij spektakli Vesa ka qenë mjaft aktive në tregun muzikor shqiptar, duke u angazhuar në festivale, koncerte, e duke sjellë përherë e më shumë hite. Në shtator të vitit 2015 Vesa u martua me artistin e njohur Big Basta dhe çifti ka një djalë. Pas një pushimi në muzikë, Vesa dhe Big Basta u larguan drejt Zelandës së re, ku n ndërtuan jetën familjarisht. Pas kësaj eksperience, çifti i artistëve u kthye vitin e kaluar në Shqipëri, ku një ndër objektivat e saj është rikthimi në muzikë.
Në muajin dhjetor 2023 ajo mori pjesë në Fest’62, ku në bashkëpunim me Big Bastën sollën këngën “Mbinatyrale”, një këngë ritmike, e cila u prit mjaft mirë nga publiku. Ndërsa në shkurt të këtij viti Vesa solli koncertin recital, një dëshirë e madhe e saj, që u finalizua me sukses. Në koncertin recital “Pikë Vese” koncert ajo interpretoi hitet e saj më të njohura dhe të pranishmit u argëtuan duke kënduar e kërcyer bashkë me të. Me anë të një postimi në rrjetin social Instagram, Vesa ka thënë se është ende e mpirë nga emocioni që mori nga ky koncert.
Vesa ka shkruar: “Të dashurit e mi.. mes shumë emocionesh të përziera, më në fund jam gati të ndaj me ju gjithë energjinë e akumuluar përmes një koncertit recital rikthimi, pikërisht nga vendi ku nisi rrugëtimi im muzikor, ku u takuam 20 vjet më parë – në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë.”
Vesa Luma dhe Big Basta në fest 62 (Foto nga facebook)
Teuta Kurti, Vesa Luma, Sava Lena, Rona Nishliu Fest 43, viti 2004 (Foto personale)
Në fund të koncertit këngëtarja Vesa Luma i falënderoi të pranishmit në koncertin e saj recital që u mbajt më 11 shkurt në Tiranë.
“Dua t’ju them FALEMIDERIT nga zemra ju që ishit në sallën e TOB, që më dhuruat emocionet ma të forta dhe që më mbushët me dashuri, sërish!”.
Me emocion Vesa ka shkruar “Çfarë nate. Jam ende e mpirë nga emocioni dhe nuk e di nga t’ia filloj, por do të përmbledh gjithçka më vonë sot… tani për tani, dua t’ju them FALEMINDERIT nga zemra gjithë ju që ishit në sallën e TOB, që më dhuruat emocionet më të forta dhe që më mbushët me dashuri, sërish! Jam munduar të justifikoj dashurinë tuaj, duke ju dhuruar një koncert recital 100% Live në festën kushtuar Tiranës kryeqytetit shqiptar, për të cilën jam shume krenare, Tiranës që do e vlerëson e mbështet artistët dhe artin, dhe gjithë shqiptarëve kudo ku janë. Falë jush sot ndihem njeriu më i lumtur në botë! Ju dua shumë! “
Biografia e Vesa Lumës
Këngëtarja dhe tekstshkruesja Vesa Luma, u njoh në Shqipëri nëpërmjet spektaklit “Ethet e së premtes mbrëma” në vitin 2004, nëpërmjet të cilës fitoi popullaritet. Pas këtij spektakli ajo mori pjesë në festivale si në Festivalin e Rtsh-së, në “Top Fest”, Festivalin “Kënga Magjike”, “Netët e Klipit Shqiptar”, ku shpesh herë është ndarë edhe me çmime.
Vesa ka mbaruar shkollën e ulët të muzikës për flaut, ndërsa ka vazhduar shkollën e mesme të muzikës "Prenk Jakova" në Prishtinë, dega e solo -këndimit. Ajo është diplomuar në Universitetin AAB (dega komunikim masiv dhe gazetari). Talenti i saj për muzikë është veçuar gjatë audicionit të njohur shqiptar "Ethet e se premtes mbrema" ku ajo arriti të ishte finaliste e këtij spektakli, falë talentit dhe zërit të saj, ku u vlerësuar nga kompozitorët dhe muzikantët më të njohur në Shqipëri. Po në të njëjtin vit, por në dhjetor të vitit 2004, Vesa Luma, Rona Nishliu & Teuta Kurti morën pjesë në Festivalin e 43-të të këngës në RTSH, me këngën "Flakaresha".
Vesa ka realizuar shumë hite si "Jemi dhe s'jemi", "Luaj", “Amanet”, etj.
Në vitin 2008, Vesa Luma publikoi albumin "Të kam dashur shumë", i cili përfshin gjithsej 8 këngë. Në vitin 2010 ajo publikoi albumin "Amanet”. Në vitin 2012 Vesa ishte pjesë e jurisë së talent show -t "X Factor Albania", si dhe ka qenë pjesë e spektaklit të kërcimit “Dancing with the stars”, në vitin 2011. Gjatë karrierës së saj artistke ajo numëron dy albume muzikore, 19 videoklipe, shumë çmime, si dhe me dhjetra koncerte brenda dhe jashtë vendit. Disa vite më parë ajo realizoi një mbrëmje muzikore në Zeilandën e Re ku jetonte, duke i bërë bashkë të gjithë shqiptarët aty, e ku kënduan në gjuhën shqipe.
Në dhjetor të vitit 2023, Vesa Luma dhe Big Basta morrën pjesë në Festivalin e 62-të të këngës së Rtsh me këngën "Mbinatyrale". Kohët e fundit ajo nuk ka qenë aktive në muzikë, por pas kthimit në Shqipëri, Vesa ka menduar të realizojë disa projekte artistike. Pas pjesëmarrjes në Fest’ 62-të, gjithashtu edhe koncertit recital “Pikë Vese” gjatë këtij muaji, ajo të do të realizojë të tjera objektiva që i ka vënë vetes. Në intervistat e fundit që ajo ka dhënë, ka theksuar se në vazhdim të karrierës së saj artistike ndoshta mund të eksperimentojë rreth artit.
Sava Lena