Shqipëria ul borxhin publik nën 60 përqind të Prodhimit të saj Kombëtar
2024-02-20 10:27:50

Më 16 shkurt 2024, në ambientet e Bankës së Shqipërisë, u zhvillua Mbledhja e Konstituencës rajonale të Fondit Monetar Ndërkombëtar(FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore(BB).  Konstituenca e FMN dhe BB në rajon, krahas grupeve me ekspertë të këtyre institucioneve, përbëhet nga guvernatorët e bankave qendrore dhe ministrat e financave të Italisë, Greqisë, Portugalisë, Maltës dhe San Marinos.

Ky takim, i organizuar nën kujdesin e Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave të Shqipërisë, u mbajt për herë të parë në Shqipëri. Kostituenca rajonale mblidhet një ose dy herë në vit, për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit në vendimmarrjet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, si dhe për të shkëmbyer mendime dhe ndarë eksperienca, në lidhje me sfidat me të cilat përballen ekonomitë e vendeve të rajonit.

Gjatë takimit (Foto ATSH)

Në takimin e 16 shkurtit, Ministri i Financave i Shqipërisë, Ervin Mete, deklaroi se, për vitin 2023, borxhi publik i vendit, jo vetëm zbriti në nivelet e përpara krizave të tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit 2019 dhe të situatës me Pandeminë nga Covid-19, por arriti nën 60 përqind të GDP-së së vendit, për herë të parë pas vitit 2011. 

Ky nivel përbën një objektiv të realizuar shpejt nga qeveria e Shqipërisë, me rëndësi themelore në qëndrueshmërine e financave publike të vendit.   

Ministri i Financave Ervin Mete theksoi se “Borxhi publik gjatë kësaj periudhe, jo vetëm zbriti në nivelet e para krizave, por arriti nën 60 perqind, për herë të parë që nga viti 2011, duke shënuar një nivel prej 59.2 perqind në fund të vitit 2023, sipas vlerësimeve më të fundit, duke e vendosur Shqipërinë ndër vendet që kanë ulur me ritmin më të shpejtë borxhin publik në rajon.   

Jemi angazhuar së fundmi në finalizimin e një strategjie të Menaxhimit të Financave Publike, në koordinim me Bashkimin Evropian, si një nga parakushtet themelore të avancimit me negociatat drejt BE-së, negociata në të cilat kemi pasur vlerësime shumë pozitive nga Komisioni.

Kreu i qeverisë E. Rama në takim (Foto ATSH)

Rekomandimet që kanë rezultuar nga këto negociata, së bashku me grupin e reformave që presim të dakordësojmë me Komisionin, si pjesë e Planit të Rritjes të vendeve të Ballkanit Perëndimor besoj do të jenë shtysa të rëndësishme për integrimin e tregjeve, përshpejtimin e rritjes ekonomike dhe konvergjencës së rajonit me vendet e BE-së.

Pjesë e reformave të Menaxhimit të Financave Publike është edhe Strategjia Afatmesme e të Ardhurave, për të cilën kemi punuar së bashku me FMN-në, me synim përmirësimin e administrimit fiskal dhe efektshmërinë e politikave tatimore. 

Në dinamikat komplekse të zhvillimeve gjeopolitike apo edhe rajonale, është e rëndësishme të forcojmë, rezervat për t’u përballur më me efektshmëri me sfidat e ardhshme. 

Objektiv mbetet arritja e një rritjeje të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse, por tashmë edhe të gjelbër. Shqipëria dhe rajoni janë në një pozicion të favorshëm për të realizuar veçanërisht këtë të fundit”.

Në vlerësimet e fundit të Fondit Monetar dhe të Bankës Botërore, Shqipëria rezultoi si një nga ekonomitë më rezistente në rajon. Kjo qëndrueshmëri paraqitet inkurajuese për perspektivën afatmesme dhe afatgjatë, si edhe për shëndetin e financave publike në vend.

Ekonomia shqiptare ka patur një ecuri të mirë të sektorëve të ndërtimit, bujqësisë dhe turizmit, të punësimit, të të ardhurave publike dhe të investimeve të huaja. Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kompanive shumëkombëshe, të borxheve publike dhe të ekonomive të ndryshme në botë, Standard and Poor’s, në fund të vitit 2023, rishikoi perspektivën e Shqipërisë nga e qëndrueshme, në pozitive.

Qeveria shqiptare ka vendosur objektivin e transformimit të Shqipërisë në vend eksportues neto të energjisë ne vitin 2030, bazuar në zgjerimin e burimeve të rinovueshme, sidomos atyre të energjisë diellore dhe të erës. Ajo synon të zgjerojë investimet e qëndrueshme në të gjithë sektorët e ekonomisë, duke përshtatur një kuadër efektiv të taksonomisë së gjelbër. 

Për një rritje gjithëpërfshirëse, Ministria e Financave e Shqipërisë ka nisur një diskutim të thelluar me Bankën Botërore, për analizimin e përbërësve të mbrojtjes sociale, me qëllim që të ndërmarrë një qasje reformuese ndaj sistemit të pensioneve. Ajo ka në vëmendjen e saj maksimale politikat ndaj mbrojtjes së kapitalit njerëzor dhe nxitjes së punësimit. Këto politika mbeten thelbësore, veçanërisht për gratë dhe të rinjtë.

Qeveria shqiptare ka vendosur si objektiv inovacionin, digjitalizimin dhe përdorimin e inteligjencës artificiale në ekonominë publike dhe në shoqëri. Për të, një nga shembujt e përdorimit të inteligjencës artificiale, krahas asistencës për qytetarët në shërbimet e portalit e-Albania, do të jetë ndihma në përafrimin e legjislacionit të Bashkimit Evropian “Acquis Communautaire” me legjislacionin e Shqipërisë. Përafrimi kërkon shumë kohë fizike, me përpunimin e qindra mijëra faqeve të ligjeve dhe rregulloreve dhe inteligjenca artificiale mund të ndihmojë në shkurtimin e ndjeshëm të kësaj kohe.

Ministri i Financave E. Mete (Foto ATSH)

Ministri i Financave E. Mete (Foto ATSH)

Përdorimi i inteligjencës artificiale është sot një nga temat më të mprehta të diskutimit për vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim në mbarë botën. Për qeverinë shqiptare, ai do të jetë një nga elementët që e ardhmja dikton të vendoset në funksion të rritjes së produktivitetit dhe rritjes së qëndrueshme ekonomike të vendit.

Fatos Çoçoli