Gazetari Liridon Cecja (Foto personale)
Liridon Cecja ka një karrierë gati 10 vjeçare në fushën e medias, ku kryesisht ka mbuluar zhvillimet politike, sociale dhe ekonomike në vend. Ai ka punuar në disa portale të ndryshme në Shqipëri. Pasioni i tij për fushën e gazetarisë ka nisur që në kohën kur ishte akoma gjimnazist, duke shkruar artikuj të ndryshëm për gazetën e shkollës. Prej disa vitesh Liridoni jeton jashtë Shqipërisë, ku në fillim emigroi në Gjermani, dhe aktualisht jeton në Nju Jork të SHBA-së. Ai ka hapur median e tij online të titulluar “Shqiptarët e Nju Jorkut”, ku promovon vlerat e personazheve shqiptare, që kontribojnë për komunitetin shqiptar. Ndër të tjera Liridoni na tregon se është ndjekës i Radio Ejani, të cilën e vlerëson për transparencën në informim. Në një intervistë për Radio Ejani Liridon Cecja tregon për punën e tij si gazetar, largimin dhe integrimin e tij jashtë vendit.
CMG: Flasim për eksperiencën tuaj në fushën e gazetarisë në Shqipëri?
Liridon Cecja: Unë kam filluar të merrem me gazetarinë që kur isha në gjimnaz, ku shkruaja te gazeta e shkollës dhe pashë se ishte një pasion i madh për mua. Mendoja se isha i aftë ta bëja këtë punë. Pastaj aplikova në disa media, ku fillimisht kam punuar disa muaj pa pagesë sepse doja të tregoja veten që isha i aftë ta bëja këtë punë. Ndërkohë që më vonë kam punuar në disa portale, si Politiko.al ku punova për pesë vite, pak kohë kam punuar tek portal i Ora News dhe më vonë në disa portale të tjera, të cilat nuk ekzistojnë më në Shqipëri. Kisha disa mundësira për të punuar në televizon, por objektivi im ishte që të largohesha nga Shqipëria për një eksperiencë ndryshe dhe vendosa të jetoj në Gjermani për tre vite e gjysmë.
CMG: Nuk të ka tërhequr ndonjëherë të punosh në radio ose televizon?
Liridon Cecja: Kam pëlqyer më shumë median e shkruar, sepse ndihesha më i pavarur. Kryesisht kam mbuluar fushën e politikës, por kam njohuri të mira dhe për sportin, ngjarjet sociale dhe ekonomike.
CMG: Ka qenë i lehtë vendimi për t’u larguar në Gjermani?
Liridon Cecja: Nuk ishte një vendim i lehtë, sepse në Shqipëri pothuajse kisha krijuar shumë njohje dhe kisha një punë të mirë, ku prisja që të rritesha akoma më shumë në detyrë. Mendova se duhet të rritesha si person që të sfidoja veten dhe të shikoja sesa mund të përshtatesha dhe të punoja në një shtet të huaj, Kështu që vendosa të shkoja në Gjermani.
CMG: Si u ambjentove në fillim me jetën në një vend të huaj?
Liridon Cecja: Fillimi ishte shumë i vështirë, sepse dhe gjuhën e dija shumë pak, moti ishte shumë ndryshe nga Shqipëria. Fillimisht unë bëra një punë komplet ndryshe, punova në një fabrikë dhe gjatë ditëve të para nuk kishte ditë që nuk e mendoja kthimin në Shqipëri, por doja ta sprovoja veten. Kështu që u përshtata me jetën, mësova gjuhën dhe qëndrova tre vjet e gjysmë në Gjermani. Pavarësisht se Gjermania është një vend i vështirë, pak konservator përsa i përket ideve të reja, njëkohësisht shkruaja nëpër portale të ndryshme kur kisha mundësi, ndonjë artikull në lidhje me zhvillimet në Shqipëri.
Liridon Cecja ne Nju Jork (Foto personale)
CMG: Si erdhi largimi juaj nga Gjermnaia për në në SHBA
Liridon Cecja: Në fakt ardhja ime në SHBA ishte pak e rastësishme, sepse fitova llotarinë amerikane dhe mendova ta provoja si eksperiencë të re, diçka ndryshe meqenëse SHBA është një vend që ofron më shumë mundësi sesa Gjermania. Kam gati një vit e katër muaj që jetoj në SHBA, ku dhe përshtatja ishte më e lehtë ngaqë flisja anglishten. Këtu ka një komunitet shumë të gjerë shqiptarësh, të cilët janë dashamirës. SHBA më pëlqen më shumë se Gjermania sepse është një vend goxha më i mirë në aspektin e mundësive, punësimit dhe janë shumë pro ideve të reja. Unë aktualisht po jetoj në Nju Jork, dhe ndjehem mirë këtu.
CMG: Bëheni bashkë me komunitetin shqiptar që jeton në Nju Jork në raste festash?
Liridon Cecja: Komuniteti shqiptar është shumë i organizuar si në Gjermani ashtu dhe në SHBA, ka disa organizata shqiptare që bëjnë organizime të ndryshme për festa, por dhe organizime të tjera rastësore. Gjatë festave të nëntorit kam marrë pjesë në shumë evente të shoqatave të ndryshme patriotike, ushtarake dhe humanitare. Ka qenë diçka fantastike sepse ata i ruajnë me fanatizëm traditat, kontribojnë për vendin dhe pse fizikisht janë jashtë, por që me zemër janë ende në Shqipëri.
CMG: Si lindi ideja për të hapur median tuaj “Shqiptarët e Nju Jorkut”, për të promovuar vlerat e tyre?
Liridon Cecja: Ideja e kësaj medie lindi për faktin sepse unë po shikoja shumë shqiptarë që ishin të suksesshmën, por nuk gjeje asnjë informacion për ta. Kështu që takova disa prej tyre, ja propozova idenë time dhe ata e mirëpritën këtë ide, sepse promovoheshin dhe njiheshin për kontributin dhe eksperiencat e tyre. Unë këtë punë e bëj për pasion, takoj njerëz të ndryshëm dhe një mundësi e mirë për mua të krijoj kontakte të reja. Këto personazhe unë i promovoj në këtë faqe për kontributin e tyre në raport me komunitetin shqiptar dhe besoj se kjo nismë do vazhdojë gjatë.
CMG: Si i kontakton këta persona dhe përzgjedhja e tyre për të qenë personazhe në median tuaj online?
Liridon Cecja: Si kriter kryesor është kontributi që japin në komunitetin shqiptar, sepse kur interesohem për një person pyes për kontributin e tij në komunitetin shqiptar, por dhe si ka arritur të bëhet i pasur. Kjo që po bëj është diçka e bukur, ku ata dhe unë ndjehemi mirë në këtë bashkëpunim.
Liridoni me shoqerine (Facebook)
Liridon Cecja gjate ne emisioni televiziv (facebook)
CMG: Çfarë të ka munguar nga Shqipëria gjatë këtyre viteve që jeton në emigrim?
Liridon Cecja: Sigurisht që më mungon familja, sepse kjo është një ndjenjë shumë njerëzore. Së dyti më mungon klima, pavarësisht se këtu në SHBA ka më shumë diell dhe është pak më ndryshe se në Gjermani, por Shqipërinë e ka bekuar Zoti se pothuajse të katër stinët janë me diell. Gjithashtu më mungon koha kur shkoja në zyrë çdo ditë, dhe ndiqja me intensitet zhvillimet politike dhe ekonomike në Shqipëri. Ndërkohë që më pëlqen dhe jeta këtej, sepse ndjehem më i vlerësuar, të ardhurat janë shumë më të mira dhe gjithçka është në rregull.
CMG: Përveç fushës së gazetarisë a ke pasione të tjera në jetë?
Liridon Cecja: Mua më pëlqen shumë grafik dizajni, që edhe pse nuk kam bërë ndonjë shkollë kur më kontaktojnë dhe kërkojnë ndonjë logo e bëj me pasion. Planifikoj që në të ardhmen të bëj ndonjë kurs gjashtëmujor këtu për grafik dizajnr. Mendoj se kjo fushë ka lidhje me gazetarinë, sepse të dyja kanë të bëjnë me krijimtarinë. Mendoj se mund të kem sukses edhe në këtë fushë.
CMG: Si e kalon kohën e lirë në Nju Jork?
Liridon Cecja: Zakonisht në fundjavë kam kohë të lire dhe këtu është mirë se ka restorante shqiptare dhe shkoj me shoqërinë. Ndonjëherë mund të dal për vrap ose shkoj në palestër. Gjithashtu në kohën e lirë lexoj libra që trajtojnë temën e vetëzhvillimit.
CMG: Cilat janë projektet tuaja në të ardhmen përsa i përket fushës së medias?
Liridon Cecja: Dëshiroj të krijoj në podcast, mbase pas gjatë muajsh ose një viti, kjo varet sesi do të ecin punët. Qëllimi im është që ky podacast të promovojë në mënyrë vizuale shqiptarët e rëndëshishëm këtu, ata që kontribojnë për komunitetin. Ndërkohë që në të ardhmen kam në plan të bëj një master për dizajn, media apo komunikim. Unë për momentin po punoj si gazetar i pavaruar, por në të ardhmen synoj të punoj dhe për ndonjë media amerikane në këtë fushë.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.
Liridon Cecja: Unë jam një dëgjues i Radio Ejani dhe lexoj shpesh lajmet tek media juaj online, ku më pëlqen shumë transparenca që keni dhe sesi i përcillni lajmet. Ndërsa miqve të mi ju uroj gjithë të mirat, shëndet e suksese në jetë.
Intervistoi: Gazmend Agaj