Eshtë i njohur fakti që pas vdekjes së shkrimtarëve, veprat dhe letërkëmbimet e tyre private mblidhen nga familjarët, e më pas nga miqtë apo studiuesit e letërsisë. Kjo gjë ka ndodhur edhe me trashëgiminë që kanë lënë disa nga shkrimtarët e rëndësishëm shqiptarë, vepra e të cilëve ruhet apo publikohet nga familjarët e tyre.
Përmes botimeve, sendeve të ruajtura, ekspozitave, konferencave apo takimeve me lexuesit, ata arrijnë të mbajnë edhe më të freskët lidhjen e shkrimtarit me lexuesin. Nuk janë të rralla rastet kur vetë familjarët japin kontributin e tyre përmes bashkëpunimit me entet e specializuara për publikime e dorëshkrimeve, siç ka ndodhur së fundmi me dorëshkrimet e Agollit, Priftit, Poradecit, etj.
Ndërkohë që në raste të tjera, familjarët mund të bëjnë dorëzim të dorëshkrimeve pranë institucioneve kulturore, bibliotekave, apo arkivave shtetërore, duke ndihmuar kësisoj në ruajtjen dhe dokumentimin e trashëgimisë letrare të shkrimtarit për brezat e ardhshëm.
Kështu, poeti i madh shqiptar Lasgush Poradeci, i dashur për publikun për lirikat e tij filozofike dhe ato të dashurisë, do të rishfaqet për lexuesit me një tjetër dimension. Ai konsiderohet si poet i vargjeve të thella të dashurisë e mendimit, që e lartësoi poezinë shqipe me gjithçka shkroi. Por përveç poezive që njohim, ai ka lënë edhe një varg letwrkwmbimesh. Është vajza e tij Maria, e cila po merret me zbardhjen dhe koleksionimin e letërkëmbimeve të poetit me personalitete të njohura të kohës si Skënder Luarasi, Gjergj Bubani, Mitrush Kuteli, Eqrem Çabej, etj. Pjesë e arkivit të Poradecit, këto letërkëmbime do të vijnë së shpejti në një botim të dedikuar, nën kujdesin e Marias dhe mbështetjen e QKLL.
Maria vajza e Lasgush Poradecit me foton e te atit poet - foto QKLL
“Koha vendos në vend gjithçka. Për gjërat e mëdha duhet një kohë e gjatë për vleftësimin e tyre. E kohë e gjatë është ajo kohë e cila muros, e bën monument vlerat e kulturës sonë kombëtare”, shkruan Lasgushi në një letër drejtuar Mitrush Kutelit. Ka ardhur koha që arkiva e letrave të poetit të hapet e të bëhen të njohura për lexuesit që e adhurojnë poetin. Viti 2024 do të jetë Viti i Lasgush Poradecit, ku përmes mbrëmjeve poetike, konferencave, aktiviteteve në shkolla e librari, takimeve me të rinj, do ta sjellim figurën e poetit që e lartësoi gjuhën shqipe më pranë lexuesve.
Julika Prifti, është një tjetër trashëgimtare që është angazhuar seriozisht për të promovuar veprën e pabotuar të babait të saj, shkrimtarit Naum Prifti.
Julika Prifti vajza e shkrimtarit Naum Prifti ne nje takim bashkepunimi ne drejtoren e Qendres Kombetare te Librit - foto QKLL
Përfaqësuese e një familjeje me kontribute në letërsinë dhe mendimin shqip, Julika disponon dorëshkrime të veprave të pabotuara të shkrimtarit Naum Prifti si dhe të Piter Priftit, sekretarit historik të “Vatrës”, një prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të Fan Nolit. Tregimtari Naum Prifti ka një krijimtrai të pasur, që ka patur gjithmonë simpatinë e publikut. Historia e letërsisë shqipe e radhit Naum Priftin në mesin e autorëve kryesorë të modernitetit letrar shqiptar, duke spikatur tek vepra e tij vlerat e dallueshme estetike. Ai dallohej për skicimin e mprehtë të karaktereve, thellësinë e mesazheve artistike, gjuhën e pasur dhe të lëmuar, persiatjet filozofike, ngrohtësinë e ndjenjës dhe shkallën e lartë të humanitetit. Është fat i madh që trashëgimia e tij artistike të publikohet e të bëhet prezente për lexuesit shqiptar, nga vajza e tij që ka marrë këtë mision të rëndësishëm.
Ky vit përveç botimeve nga arkiva e Naum Priftit është shumë i rëndësishëm për familjen Prifti, pasi shënon 100-vjetorin e lindjes së Piter Priftit, vepra e madhe e së cilit, është shumë pak e njohur në vend. Peter Prifti ishte editor i gazetës “Dielli”. Ai ka dhënë një kontribut në lobimin e çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare. Ruhet ende në koleksionet e “Diellit” një intervistë që Peter Prifti në vitet ’58-59, i pat marrë Nolit, që ato kohë jetonte vitet e fundit të jetës në Kryekishën e Shën Gjergjit. Në fakt Peter Prifti e ka emërtuar atë jo intervistë, por audiencë me Hirësinë e Tij, me Kryepeshkopin Mitropolit F. S. Noli.
Aranita Marko vajza e shkrimtarit Petro Marku e cila prej vitesh eshte ne balle te nismes per ruajtjen dhe vleresimin e punes se babait te saj - foto QKLL
Artikuj te publikuar nga Petro Marko - foto QKLL
Petro Marko është një tjetër shkrimtar i ndarë nga jeta. Ai konsiderohet së një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të letrave shqipe, i cili ka lënë një trashëgimi të pasur në botime me poezi, tregime, romane, drama, publicistikë, kujtime etj. Botimet e para të krijimtarisë së tij nisim me gazetat dhe revistat e viteve ’30, si: “Illyria”, “Demokratia”, “ABC”, “Bota e re” apo “Shqipëri e re”, për të vijuar më pas në botimet e veprave të tij. Viti që lamë pas ishte një vit që iu kushtua tërësisht shkrimtarit, ndërkohë që shtëpia e tij, ku jeton vajza e shkrimtarit, Aranita, një trashëgimtare e denjë e shkrimtarit të madh. Kujdesi dhe këmbëngulja e saj është e jashtëzakonshme për të ruajtur dhe trashëguar vlerat e të atit shkrimtar, por edhe të nënës, piktore.
Vetëm pak kohë më pare apartamenti i është nënshtruar kurimit për t'u kthyer në shtëpi-muze, të një prej shkrimtarëve më interesantë të letërsisë shqipe.
Në këtë apartament ruhet jeta e një prej çifteve më të bukur si Safo dhe Petro Marko, por dhe historia e tyre e mbijetesës. Me dashurinë e Aranitës, si dhe me botuesen e re të Petro Markos "Albas", veprat e tij do të vijojnē udhëtimin e përjetshëm me lexuesin.
Elona Agolli me te atin, shkrimtarin Dritero Agolli ne vitet e hershme te shkrimtarit - foto Konica.al
Dritëro Agolli, me ndarjen e tij nga jeta, ka lënë një boshllëk të madh në lëmin e poezisë shqipe. Dorëshkrime poezish, skica, letra, kujtime, të gjitha në një arkivë të pasur, për të cilat kujdeset vajza e shkrimtarit, Elona Agolli. Vetëm pak kohë më parë Akademia e Shkencave publikoi për herë të parë, pas vdekjes, veprën e Dritëro Agollit, kushtuar Migjenit, të cilën Agolli e pati shkruar kur studionte në Moskë, si punë diplome.
Ndërkohë, vajza e tij, Elona, ka shkëputur nga sirtari i dorëshkrimeve një fletore me poezi, duke ia dhuruar Akademisë së Shkencave. Fletorja me dorëshkrimet e poezive mban titullin “Fletorka e mesnatës”. Sigurisht, vajza e poetit, nuk e pati të lehtë ta hiqte nga shtëpia këtë kujtim të vyer, por duke qenë në arkivat e Akademisë, shumë shpejt do të mund t’i vijë dita e botimit dhe poezi të reja, të Agollit të shkojnë tek lexuesi.
Neritana Kraja