Marrëveshja Shqipëri-Itali për pensionet, mënyra e funksionimit
2024-02-19 10:09:30

Pas 15 vitesh negociata Italia dhe Shqipëria firmosin marrëveshjen për sigurimet shoqërore, nga e cila do të përfitojnë pensionistët shqiptarët që punojnë në Itali, por dhe shtetasit italianë që punojnë në vendin tonë. Nënshkrimi i marrëveshjes u bë në Romë në fillim të muajit shkurt nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani si dhe ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani. Janë rreth 550 mijë shtetas shqiptarë dhe rreth 20 mijë shtetas italianë, nga zbatimi i së cilës do të sigurojnë bashkimin e periudhave kontributive, duke bërë të mundur që asnjë vit pune të mos humbasë.

Nënshkrimi i marrëveshjes së pensioneve Shqipëri-Itali (Foto Shqiptarja.com)

Nënshkrimi i marrëveshjes së pensioneve Shqipëri-Itali (Foto Shqiptarja.com)

Në një intervistë për mediat Drejtuesja e Konferederates Italiane të Sindikatave të Punës në Shqipëri Beskida Aliaj shpjegon se kur bëhet funksionale kjo marrëveshje. Sipas procedurave që pritet të kalojë, prekja e kësaj marrëveshje nga qytetarët do të bëhet pas afro 2 muajsh.

“Nuk e dimë se kur do ta fusin në agjendë ditore për t’i bërë punimet dhe për ta miratuar deputetët e Senatit, uroj të jetë shumë e shpejtë dita dhe në momentin që ajo do futet në agjendë ajo do miratohet pastaj do publikohet në Fletoren zyrtare dhe 15 ditë më pas deri në 2 muaj do të marrë fuqi të plotë ligjore. Në ato ditë do mund të veprojmë dhe mund të bëjmë kërkesat për pension qoftë shqiptar apo italian.”- tha Aliaj.

Sqarohet më tej se si do të funksionojë marrëveshja e njohjes reciproke të pensioneve mes Shqipërisë dhe Italisë.

“Emigrantët akoma nuk e kanë kuptuar se çfarë të mirash u jep kjo marrëveshje apo se si do funksionojë e gjithë skema. Në fakt do jenë dy pensione, nuk do jetë një pension i vetëm, që i bëhet barrë shtetit italian për ta dhënë këtë pension pasi përndryshe do ishte një shpenzim dhe kosto shumë e madhe për shtetin italian për ta përballuar dhe për të konsideruar vitet shqiptare sikur janë vite italiane. Jo. Do bashkohen vitet e punës dhe të kontributeve në mënyrë figurative, pra që të sigurojnë që janë një e tërë, por pastaj secili shtet do të japë pjesën e vet për aq sa qytetari ka kontribuar në Shqipëri dhe në Itali.”

Pensione (Foto panorama)

Pensione (Foto panorama)

Për ta kuptuar më mirë implementimin e marrëveshjes dhe përfitimet jepet edhe një ilustrim. Marrëveshja parashikon unifikim të periudhave kontributive për efekt pensioni. 

“Unë po të jap një shembull hipotetik. Në fakt janë shembuj nga jeta reale që emigrantët më kanë ardhur në zyrë dhe i kam sqaruar. Pra një emigrant i cili ka emigruar në Itali dhe ka lënë pas në Shqipëri 14 vite pune me kontribute, ndërkohë të mos harrojmë që Shqipëria dikton që duhet të kesh minimumi 15 vite punë me kontributet e rregullta, në mënyrë që të futesh në skemën e pensioneve dhe ta përfitosh një pension sado të vogël, minimal të pjesshëm, sepse i ploti është me 38 vite punë. Ndërsa Italia këtë prag 15 vjeçar e ka më lartë, pra e ka 20 vite, dhe qytetari shqiptar ose dhe vetë italian duhet të ketë të paktën 20 vite punë që ta marrë një pension italian. Ky qytetar i cili iku në Itali, e hamëndësojmë thashë nga praktika reale janë këto shembuj. Sikur ka bërë 19 vite punë në Itali, i mungon një vit, ne thamë që duhen 20 vite. Atëherë ky qytetar pa marrëveshjen nuk do të merrte pension, as në Shqipëri dhe as në Itali sepse i mungon një vit në Shqipëri dhe 1 vit në Itali dhe në totalin e jetës së tij janë 33 vite punë.”- shprehet Aliaj.

Sipas Aliajt, në rast se kjo marrëveshje nuk do të ishte ky qytetar nuk do të merrte pension.

“Me anë të marrëveshjes na vjen në ndihmë që t’i bashkojmë këto vite dhe të na quhen 33 vite në total, por këto 33 na shërbejnë që të kalojmë pragun 15 vjeçar në Shqipëri dhe pragun 20 vjeçar në Itali. Duke qenë se janë 33 tani secili shtet Shqipëria do të japë një pension pra të 14 viteve që ke investuar në Shqipëri, ndërsa Italia do të japë një pension duke llogaritur vetëm 19 vite që i ke investuar në Itali. Secili shtet për aq sa ke investuar, sa ka investuar qytetari, emigranti. Do bëhen llogaritjet, në raport numër vitesh dhe në masë kontributi që ke derdhur. Në rast se qytetari ka derdhur një kontribut të ulët gjatë jetës së tij, sepse ka pasur një punë të pakualifikuar, atëherë dhe pensioni sigurisht do t’i dalë pak më i ulët sesa emigranti tjetër që mund të ketë pasur një punë si mekanik ose një punë të kualifikuar profesionale ose ka derdhur një kontribut më të lartë gjatë jetës së tij.“

Në intervistën për Tv Scan sqarohet edhe mënyra se si veprohet në Shqipëri me pensionistët italianë.

Pensioniste (Foto Ballkanweb.com)

Pensioniste (Foto Ballkanweb.com)

“Për pensionin italian, në momentin që i drejtohen zyrës tonë në Tiranë ne kemi një sistem që bën për 5 minuta gjithë llogaritjen e pensionit italian, sa do t’i takojë sepse kemi akses në IMS-in italian që është Instituti italian i Sigurimeve Shoqërore. Duke qenë se jemi patronato dhe çdo veprimtari e bëjmë së bashku, e bëjmë me atë llogaritje në sistemin tonë të brendshëm dhe i themi për 5 minuta kaq është masa e pensionit tënd për aq sa ke punuar. Ndërsa në Shqipëri do ta shohim për sa kohë do të na kthejnë një përgjigje, por do të jetë mesatarisht më pak se 1 muaj, përgjigja për pensionin shqiptar.”- shprehet Aliaj.

Aktualisht Shqipëria ka finalizuar marrëveshje në fushën e Sigurimeve Shoqërore me 16 shtete, përfshirë këtu Gjermaninë, Austrinë dhe Kanadanë.